“Kujtime të plagosura” erdhi në programin artistik në “Netët e leximit të dramës shqipe”, që po zhvillon edicionin e katërt në Teatrin Kombëtar. Drama e shkruar nga Diana Çuli, u punua nga Hervin Çuli dhe në leximin artistik të saj ishin aktorë të njohur. Luli Bitri, Dritan Boriçi, Olta Daku, Ligoraq Riza, Dori Çaushi, Andia Xhunga, Genti Deçka, Myzafer Zifla, Luli Hoxha, Donald Shehu dhe Besmir Bitraku janë pjesë e leximit artistik të dramës “Kujtime të plagosura”, që ishte livestream në Facebook të Teatrit Kombëtar. Teatri Kombëtar më herët bënte me dije se drama “Kujtime të plagosura” u prezantua në këtë edicion të “Netët e leximit të dramës shqipe 4” me titullin “Mea culpa”, por ky i fundit u ndryshua në “Kujtime të plagosura” nga vetë autorja. Në dramën e shkruar nga Diana Çuli ngjarjet tregojnë se në një restorant rustik buzë Vjosës poetja Ada Ristani dhe bashkëshorti i saj kanë ftuar miq të vjetër, por që jetojnë jashtë Shqipërisë, për të festuar takimin e tyre pas shumë vitesh. Malli, kujtimet, ndjeshmëria ndaj natyrës së veçantë po e mbushin këtë mbrëmje me shumë çaste të bukura. Por, dikush troket në derë, dikush që pas pak do të shpallë se ka ardhur me qëllimin për të zbuluar një histori të dikurshme, të dhimbshme, tragjike. Dhe ngjarja e ndodhur dekada më parë fillon e ringjallet përmes atyre që ata thonë, përmes pyetjeve të rënda, përmes rrëfimeve të çuditshme, përmes lëngatës që përjeton e zonja e lokalit, Gjena. Dhe Vjosa aty pranë uturin e trishtuar për ato, që dëgjon. Me krijimtarinë e saj si autore Diana Çuli është një emër i njohur për lexuesit. Këtë herë me këtë vepër autorja Çuli është në “Netët e leximit të dramës shqipe”, për të cilën deri më tani dhe të tjera vepra janë lexuar nga aktorët e Teatrit Kombëtar. Para kësaj vepre në TK u lexua nga aktorët “Djali me fytyrë zogu” e autorit Arian Krasniqi.
Veprat në konkurs
Në edicionin e katërt të konkursit “Netët e leximit të dramës shqipe”, bazuar në shpalljen që kishte bërë më parë Teatri Kombëtar janë dorëzuar gjithsej 23 vepra shqiptare sipas publikimeve të institucionit, në Facebook. Pas grupit të parë që Teatri Kombëtar ka publikuar në javët në vijim do të shpallet edhe grupi tjetër, me veprat teatrore shqiptare. Veprat e përzgjedhura në grupin e parë nga Teatri Kombëtar, të cilat janë pjesë e leximit artistik në edicionin e katërt të “Netët e leximit të dramës shqipe” janë: “Djali me fytyrë zogu” Arian Krasniqi, “Muslimani” Enver Petrovci, “Departamenti i ëndrrave” Jeton Neziraj, “Pallati i ëndrrave” Altin Basha, “Pahitik në ëndërr” Xabir Ahmeti, “Prefekti” (Rikoncpetim” Besim Levonja, “Mea Culpa” Diana Çuli dhe “Duke pritur Gobon” Armand Bora. Teatri Kombëtar riktheu pas disa vitesh aktivitetin “Netët e leximit të dramës shqipe”. Ky është edicioni i katërt i aktivitetit “Netët e leximit të dramës shqipe”, konceptuar për herë të parë në vitin 2014 në vendin tonë, për promovimin e dramaturgjisë shqipe. Në një njoftim Teatri Kombëtar shprehej se pas suksesit dhe impaktit pozitiv me komunitetin artistik dhe teatërdashësit në edicionet paraardhëse “Netët e leximit të dramës shqipe IV” vjen këtë edicion në një formë të re. Edicioni i katërt në Teatrin Kombëtar kaloi në disa faza. Në fazën e parë teatri njoftoi të gjithë dramaturgët dhe regjisorët të dërgonin veprat e tyre, dhe në fazën e dytë u bë seleksionimi paraprak i veprave më të përshtatshme për t’iu nënshtruar leximit artistik. Në fazën e tretë, veprat e përzgjedhura po i nënshtrohen sistemit të leximit të veprës artistike nga aktorë të këtij institucioni, sipas një programi të paracaktuar i cili bëhet publik. Sipas Teatrit Kombëtar, veprat më të mira të edicionit të katërt gjithashtu do të jenë pjesë e kalendarit artistik për vitin 2022.









































