Deklarata e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në lidhje me mundësinë e ndryshimit të marrëveshjes së arritur nga ish kryeministri Hashim Thaçi dhe ish Sekretarit të Përgjithshëm të NATO në vitin 2013, ka nxitur reagimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në seancën e së enjtes në Kuvend, kryeministri Kurti u shpreh se synon të ndryshojë një marrëveshje të vitit 2013 midis ish kryeministrit Hashim Thaçi dhe ish sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmussen, që ka të bëjë me mënyrën e veprimit të Forcës së Sigurisë në veriun e Kosovës. Në një reagim për Gazeta Express, një zyrtar nga selia qendrore e NATO-s në Bruksel, është shprehur se Ushtria e Kosovës nuk mund të shkojë në veri të Kosovës pa miratimin paraprak të Komandantit të KFOR-it në Kosovë. Kjo sipas tij vjen si pasojë e faktit që NATO, letërkëmbimin e zhvilluar në mes të Hashim Thaçit dhe ish Sekretarit Rasmussen, e konsideron marrëveshje të mirëfilltë. “Sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, FSK-ja nuk mund të lëvizë në pjesën veriore të Kosovës pa miratimin paraprak të Komandantit të KFOR-it. Për NATO-n, ‘marrëveshja e Brukselit 2013’ është shkëmbimi i letrave midis ish- Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Andreas Fogh Rasmussen dhe z. Hashim Thaçi”, ka thënë ky zyrtar. Për sa i përket deklaratës së Kurtit në Kuvend, ai pretendoi ndryshim të saj duke qenë se e konsideron një marrëveshje të dëmshme për shtetin e Kosovës. “Marrëveshja në fjalë, që ka qenë shkëmbim i letrave, ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme për interesat e Republikës së Kosovës, dhe unë vazhdoj të qëndroj prapa asaj që kam deklaruar në vitin 2020. Unë s’kam akuzuar sekretarin e NATO-s për atë shkëmbim të letrave, por kam akuzuar titullarin e atëhershëm të institucioneve të Kosovës që e ka vendosur firmën në një shkresë të tillë. Një problematikë që i ka rrënjët 8 vjet më parë, nuk mund të rregullohet me vetëm një takim. Atëherë e kam referuar çështjen në Prokurori dhe tash çështja i mbetet prokurorisë në trajtim”, ka thënë kryeministri i Kosovës.
Qëndrimet e Kosovës
Kryeministrin Kurti në mandatin e parë si kryeministër në muajin shkurt të vitit të kaluar shpalosi një letërkëmbim të muajit prill të vitit 2013 ndërmjet ish Sekretarit Rasmussen dhe ish kryeministrit Thaçi, në të cilin zoti Thaçi zotohej se Forca e Sigurisë së Kosovës do të nuk do të hyjë në veriun e banuar me shumicë serbe “pa një pajtim paraprak” të forcave paqeruajtëse të NATO-s. Po ashtu sipas letërkëmbimit, për të siguruar pajtimin, forcat paqeruajtëse mund të këshillohen me komunitetin në veri. Kurti tha se kjo është e dëmshme dhe duhet të ndryshohet. Në fund të fjalës së tij, zoti Kurti shpjegoi se një hap i tillë nuk do të ndikojë në përkeqësim të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut. “Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe NATO-s do të vijnë duke u thelluar, mos u brengosni”, theksoi ai. Në lidhje me situatën është prononcuar edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka akuzuar ish-kryeministrin e atëhershëm Hashim Thaçin për marrëveshjen me NATO-n në vitin 2013 dhe jo sekretarin e kësaj organizate Anders Fogh Rasmussen. Haxhiu po ashtu tha se marrëveshjet që janë trashëguar nga qeveritë pasuese janë të dëmshme dhe shumë të rrezikshme. Ajo shtoi se kryeministri Kurti nuk e ka akuzuar sekretarin e NATO-s por titullarin e atëhershëm që ka dhënë firmën. “Më lejoni të them atë që ka thënë kryeministri Kurti që si qeveri ne kemi trashëguar marrëveshje shumë të dëmshme, të rrezikshme dhe në këtë drejtim edhe Kurti ka thënë dje se marrëveshja të cilën e potencuat ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme për interesat e Republikës së Kosovës. Dhe siç e ka adresuar Kurti, ai nuk e ka akuzuar sekretarin e NATO-s por ka akuzuar titullarin e atëhershëm që e ka dhënë firmën pra nënshkrimin në një dokument të tillë dhe padyshim që ka adresuar që problemet e vjetra nuk mund të adresohen me një takim për një kohë tepër të shkurtër”, ka thënë Haxhiu. Ministrja Haxhiu po ashtu theksoi se çështja është adresuar në prokurori.











































