
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi dje në detyrë Migena Laskën, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore vendosi konfirmimin në detyrë të gjyqtares. Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga Firdes Shuli, Brunilda Bekteshi relatore, Suela Zhegu anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve. Ndërkohë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi dje në detyrë edhe Alfred Shehun, prokuror pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Alfred Shehu. Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga Firdes Shuli, Etleda Çiftja relatore, Roland Ilia anëtar, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve. Me vetingun është përballur edhe gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Erjon Bani. Gjatë seancës dëgjimore ai u njoh me gjetjet e hetimit administrativ në të tri kriteret e rivlerësimit. Trupi gjykues kryesohej nga Pamela Qirko, me relator Roland Ilian dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin. Gjatë seancës dëgjimore nuk u evidentuan probleme në asnjë prej kritereve të rivlerësimit, ndërkohë që gjyqtari Bani u pyet lidhur me një llogari dy emërore ku figuronte si titullarë edhe bashkëshortja e tij, si dhe për një denoncim që ishte paraqitur në Komision. Relatori Ilia renditi pasuritë e disponuara dhe në përdorim të gjyqtarit Bani, mes të cilave edhe një apartament në përdorim me sipërfaqe 113 metër katror në Tiranë në pronësinë e të atit, e përfituar në vitin 2015 përmes shkëmbimit. Subjekti ka sqaruar se nuk ka asnjë të drejtë reale mbi këtë pasuri. Në përfundim të seancës ai falënderoi trupin gjykues për objektivitetin e hetimit administrativ dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 24 maj, ora 09:30.