Google search engine
Home Sport Strakosha do të luajë ndeshjen e fundit me Lacion, mediat italiane e...

Strakosha do të luajë ndeshjen e fundit me Lacion, mediat italiane e lidhin me Sauthemptonin në Premier League

0
230

Disa lojtarë të Kombëtares pritet të ndryshojnë destinacionin e tyre për sezonin e ardhshëm dhe në fokus ditët e fundit kanë qenë dy titullarë të përfaqësueses, portieri Thomas Strakosha si dhe mbrojtësi Elseid Hysaj, i pari pjesë e Lacios, kurse shkodrani pjesë e Napolit. Ecuria e tyre këtë edicion ka pasur dritëhijet e veta, me shumë ulje-ngritje, ndërkohë që gardiani ka pasur dhe probleme dëmtimi e kovidi dhe nuk ka luajtur minutazhin e duhur, për pasojë edhe në Kombëtare është angazhuar më shumë portieri tjetër, kosovari Etrit Berisha. Referuar medieve italiane, Thomas Strakosha pritet ta mbyllë si titullar këtë edicion në Serinë A me Lacion, duke luajtur në ndeshjet e fundit të sezonit me klubin italian. Një mënyrë që në Itali janë të bindur se do të shërbejë për t’i dhënë lamtumirën ashtu siç duhet tifozëve, ndërsa do të shërbejë edhe për të bindur se është në formë të mirë dhe nuk ka probleme me meniskun e tij për të bindur një klub nga Premier Liga që do të dërgojë përfaqësues për ta ndjekur e kontaktuar. Strakosha është titullar në ndeshjen ndaj Torinos, por edhe në fundjavë ndaj Sasuolos do të jetë përsëri mes shtyllave për të treguar vlerat e tij pah erë të fundit me fanellën e Lacios pasi pritet që në verë të largohet nga bardhekaltrit. Klubi beson më shumë te Pepe Reina sesa te portieri shqiptar e për këtë arsye, ky i fundit do të kërkojë një sistemim të ri për të ardhmen e tij pasi dëshiron të luajë rregullisht. Së fundmi, është mësuar se për portierin ka rishfaqur interes konkret një nga klubet e Premier Ligës. Sauthempton është në kërkim të një portieri cilësor dhe ka dërguar përfaqësues jo vetëm për ta ndjekur në ndeshjet e fundit me Lacion, por edhe për të kontaktuar me lojtarin e klubin italian për të hedhur piketat e para të bisedimeve që do të fillojnë me t’u mbyllur ky sezon.

Tare prezanton projektin e ri të Lacios, trajneri Inzagi në dyshim në krye të skuadrës

Ndërkohë, drejtori i Lacios, shqiptari Igli Tare, është pyetur mbi rinovimin e trajnerit Simone Inzagi, teksa së fundmi është përfolur se palët kanë mbajtur një takim të fshehtë. Mirëpo, Tare i ka përgënjeshtruar këto zëra teksa shprehet se do të flasin në pas fundit të kampionatit me Inzagin. “Në orët e fundit kam lexuar që është zhvilluar një takim privat me Inzagin, por nuk është e vërtetë. E kemi lënë që pas fundit të kampionatit, të ulemi dhe të flasim. Ne kemi pasur mundësinë edhe për t’u kualifikuar në Champions, por humbja me Fiorentinën na dëmtoi. Gjithsesi, edhe kualifikimi në Europa League është i rëndësishëm për t’i dhënë vazhdimësi asaj që kemi nisur. Të luajmë në Europë është thelbësore për shoqërinë”, u shpreh Tare.

Edhe Hysaj drejt largimit, për Napolin e vështirë

Në lidhje me kapitenin kuqezi Hysaj ka pikëpyetje të shumta. Në fakt, Mirko Valdifiori, për shumë vite shok skuadre me Elseid Hysajn te Empoli dhe te Napoli, i ka thurur elozhe të shumta mbrojtësit shqiptar dhe mendon se për klubin e tij aktual, Napolin, nuk do të jetë e lehtë ta zëvendësojë, Hysaj do të largohet në fund të sezonit me parametër zero dhe sipas Valdifiorit, bëhet shumë e vështirë për të gjetur një lojtar me të njëjtat aftësi. “Hysaj është një lojtar shumë i vlefshëm, i cili mund të luajë si në të djathtë, ashtu edhe majtas, siç e ka treguar gjatë kësaj kohe. Nuk do të jetë e lehtë për ta zëvendësuar edhe për këtë arsye. Ai është i fortë, ka personalitet, për të luajtur me Napolin kaq gjatë ka treguar shumë karakter dhe cilësi”, ishin fjalët e Valdifiorit për mediat italiane. Prej shumë muajsh, emri i Hysajt lakohet në skuadra të ndryshme në Itali, pasi ai ka vendosur t’i japë lamtumirën Napolit. Tani mbetet të mësohet vetëm nëse mbrojtësi do të zgjedhë një nga alternativat në Itali, apo do të preferojë të transferohet jashtë Serisë A, ku nuk mungojnë admiruesit e tij mes emrave të rëndësishëm të futbollit evropian.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here