Kombëtarja franceze fitoi Botërorin e vitit 2018 në Rusi dhe shpreson të fitojë edhe Europianin e vitit 2020, që siç dihet, për shkak të pandemisë u shty me një vit dhe do të zhvillohet këtë verë, duke nisur nga 15 qershori. Theksojmë se Franca është sërish pretendente për trofeun dhe si për ta konfirmuar këtë dje bëri një lëvizje surprizuese. Përkundër të gjitha mosmarrëveshjeve, pas viteve të pritjes së pashpresë, Karim Benzema do të thirret nga Didier Deshamps për të marrë pjesë në Kampionatin Europian, muajin e ardhshëm, si sulmuesi kryesor i ekipit kombëtar transalpin. Gazeta franceze “Le Parisien” ka thënë informacionin “bombastik”, që rrit besimin e tifozëve të “Gjelave” për një triumf në këtë turne madhor, që zhvillohet një vit me vonesë për shkak të pandemisë. 33-vjeçari luajti ndeshjen e fundit me Francën në vitin 2015. Që atëherë, ka humbur Euro 2016 (Franca u mposht në finale nga Portugalia) si dhe Kupën e Botës 2018, e fituar pikërisht nga Mbape, Griezman dhe bashkatdhetarët e tjerë të Benzemasë. Benzema u përjashtua për shkak të përfshirjes së tij në historinë e shantazhit ndaj Valbuenas. Pezullimi zgjati me kalimin e kohës, më pas pati një ftohje mes sulmuesit të Realit të Madridit dhe trajnerit Deshamps. 27 gola dhe 81 paraqitje me fanellën e Francës për Benzemanë, vendi i 10-të në listën e golashënuesve më të mirë të Francës. Në këtë renditje speciale ai u kalua vitet e fundit nga Griezman dhe Zhirud, të dy në kërkim të majës, ku spikat Thierri Henri, shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me 51 gola. Tani pritet thjesht zyrtarizimi i listës prej 26 futbollistësh, të cilët, në drejtimin e Deshamps do të kërkojnë të fitojnë për herë të tretë në histori titullin e kampionit të Europës. Po si ka qenë e vërteta në lidhje me largimin e Benzemasë nga përfaqësuesja e Francës? Shkak u bë një video me përmbajtje erotike me të cilën dyshohet se Benzema i bënte shantazh një shokut të tij të skuadrës e që më pas ai e denoncoi dhe për pasojë pati seanca gjyqësore të zgjatura. Për shkak të ndikimit negativ në imazhin e skuadrës, në atë kohë federata franceze e përjashtoi Benzema nga ekipi, duke e quajtur të papërshtatshënm për të qenë pjesë të një skuadre harmonike e me mkoral të lartë. Me pak fjalë, 6 vjet më parë, pikërisht gjatë vitit 2015, Benzema ishte përjashtuar në vjeshtën e vitit 2015, për shkak të një videoje me pullë të kuqe të Valbuena, të cilit i ishte bërë shantazh më pas për të përfituar para. Gjithsesi, koha e bëri Benzemanë një lojtar më të mirë dhe me largimin e Kristiano Ronaldos nga Reali, sulmuesit francez iu dha mundësia të ishte bomber kryesor i grupit dhje të spikaste me golat e tij, duke qenë nga më të mirët në Europë. Edhe këtë vit, sulmuesi 33-vjeçar pati një sezon të mrekullueshëm me Realin e Madridit në nivel personal dhe nisën hipotezat për një rikthim në kombëtare pas më shumë se pesë viteve. Tani mbetet të shihet se çfarë do të bëjë Benzema me Kombëtaren franceze, por në krahasim me Zhirud apo ndonjë tjetër ai është dukshëm më efikas dhe këtë e tregojnë statistikat.






































