E nisi sezonin si skuadër me probleme dhe dyshohej e do të luftonte për mbijetesë, pasi i kishte shpallur luftë UEFA për çështjen Çinari, por Partizani besoi deri në fund në drejtësinë e tij dhe e fitoi çështjen në fjalë në Gjykatën Sportive të Lozanës dhe më pas, falë edhe sulmuesit shkodran Çinari që ka rezultuar përcaktues, u fut në garën e titullit dhe tani është pretendent kryesor për trofeun. Pra, Partizani ka bërë një kthim të jashtëzakonshëm duke marrë statusin e pretendentit kryesor në luftën për titull. Më dy fitore në dy ndeshjet e mbetura, përballjen me Vllazninë në kryeqytet dhe pastaj transfertën me Bylisin ata janë kampionë. Edhe nëse Teuta e mbyll me pikë të barabarta me ta, fitorja në “Niko Dovana” u ka dhënë të kuqve avantazhin e bilancit në përballjet direkte me durrsakët. Një sforco e fundit nga një skuadër që demonstron seriozitetin e trajnerit të saj. Në Durrës ishte gjithçka përveçse e lehtë. Një fillim i vështirë nën presionin e madh të sulmeve të një Teute që e nisi vrullshëm, madje edhe me frikën e ndonjë gafe arbitrale si ajo penallti e kthyer mbrapsht me të drejtë. për të goditur atëherë kur rivalët nuk e prisnin. Pertej golit që u shënuar edhe për fajin e Frashërit, ishte Partizani skuadra me rastet më të pastra, disa herë Bardhi, Asani e edhe Ferhan Hasani, dolën të vetëm me portierin. Gjithçka nën petkun e një force fizike që në këtë fund kampionati bën diferencën, ishte kjo bashkë me qetësinë e një skuadre profesionistësh që solli edhe ndryshimin e fytyrës së ndeshjes, me Teutën që në pjesën e dytë demonstroi edhe lodhjen përballë një Partizani që falë edhe zëvendësimeve kishte më shumë forcë. Tani ju mbeten edhe dy ndeshje për të mbyllur me trofe një kampionat të jashtëzakonshëm. Nëse ja dalin, askush nuk mund të thotë se nuk e merituan.
Sulmuesi Asani mungon ndaj Vllaznisë
Java e 34-t e Kategorisë Superiore e ka ndezur më shumë garën për titull dhe menjëherë i ka lënë vendin raundit të 35-të që vjen me dy duele spektakolare Partizani-Vllaznia dhe Laçi-Teuta, ky raund do të luhet i gjithi në orën 17:00, ditën e premte. Partizani në ndeshjen që mund të vendosë edhe fatet e titullit ndaj Vllaznisë do të ketë një mungesë shumë të rëndësishme siç është ajo e anësorit të sulmit Jasir Asani i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Megjithatë edhe trajneri Brdaric nuk do të ketë në dispozicion një element shumë të rëndësishëm pikërisht mbrojtësin nga Maqedonia e Veriut Isaevski që gjithashtu ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Sikur të mos mjaftonte dëmtimi i Harmon edhe Laçi ndaj Teutës nuk do të ketë të gatshëm as sulmuesin tjetër Fatmir Prengaj i cili është i skualifikuar me Shpëtim Duron që do të ketë shumë probleme në sulm.
Portieri/ Hoxha: Me 99% jemi kampionë
Vendimtar goli i Çinarit, heroi, në fakt, me pritjet e tij, Alban Hoxha. Kapiteni i Partizanit në “Gol pas Goli”, u shpreh: “Ne shkuam në Durrës për ta sulmuar lart Teutën, por ndonjëherë loja nuk del ashtu siç e mendon. Na vendosën në presion që në minutat e para dhe na u desh të riktheheshim pas. Më vjen mirë që e shpëtova dy herë ekipin. Shënuam golin, i cili ishte me fat për ne. Kur e ke vetë në dorë, është më e lehtë për objektivin sesa kur pret nga të tjerët. Tashmë kemi dy finale. Nëse e mposhtim Vllazninë, atëherë me 99% jemi kampionë. Nuk kemi pasur presion gjatë gjithë sezonit. Objektivi që në fillim ka qenë Europa. Kemi qenë të qetë. Arritëm deri këtu, bëmë mirë gjatë gjithë kampionatit. Ndaj Vllaznisë besoj se do të jemi të qetë dhe do t’ia dalim për titullin”, theksoi ai. Më pas portieri Hoxha foli për çelësin e suksesit të kësaj skuadre, e cila i sfidoi të gjithë dhe doli tej parashikimeve. “Shikoj se ekipi është ndërtuar mire, Me djem të rinj dhe me lojtarë me eksperiencë. Ne, më të vjetrit, jemi munduar ta heqim presionin nga të rinjtë. Boshti është shumë i mirë. Çelësi i suksesit është grupi dhe loja e trajnerit Daja na ka bërë mirë. E qarkullojmë shumë topin dhe e e lodhim kundërshtarin. Edhe harmonia e ekipit na ka sjellë suksese”, shtoi më tej Hoxha.






































