KPK ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Tiranës, Avni Kraja. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shpalli dje vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës Avni Kraja. Pas shpalljes së vendimit për shkarkimin nga detyra, prokurori Kraja nuk ishte i pranishëm gjatë seancës, por u përfaqësua nga avokatja e zgjedhur prej tij, Irena Riso. Hetimi administrativ për prokurorin Kraja u përfundua vetëm për kriterin e pasurisë. Nga analiza financiare për periudhën 2003-2016 rezultoi se Kraja kishte një bilanc negativ prej 14 milionë lekësh, që nuk justifikoheshin me burime të ligjshme. Në relatimin gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 7 maj, u evidentua se një pjesë e mirë e këtij bilanci negativ ndikohej nga blerja e një apartamenti 135 metra në Tiranë dhe disa transaksione me automjete që i kishin rezultuar KPK-së si të dyshimta. Kraja dhe avokatja Irena Riso paraqitën parashtrime të përmbledhura në seancë kur theksuan se gjithë pasuria ishte një apartament dhe se burimet e krijimit ishin të ligjshme. Ndërkohë, trupi gjykues që kreu rivlerësimin e prokurorit Kraja kryesohej nga Lulzim Hamitaj, me relatore Alma Faskajn dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Në seancën e fundit të vetingut në KPK për prokurorin Avni Kraja pati debate mes trupës, vëzhgueses ndërkombëtare dhe subjektit, pasi ky i fundit kërkoi përjashtimin e relatores Alma Faskaj. Si pretendim për përjashtimin, Kraja tha se Faskaj ishte shkarkuar një herë nga detyra prej Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD, në vitin 1996 dhe se kjo e bënte të paligjshme praninë e saj në trupë. Ai iu referua edhe kallëzimit penal nga gjyqtarja Hajrie Muçmata për të njëjtat arsye. Kraja tha gjithashtu se ai dhe Faskaj kishin punuar në të njëjtën godinë në Lushnje, ajo si gjyqtare dhe ai si prokuror. Ai pretendoi se nuk e kishte ditur që bëhej fjalë për të njëjtin person deri 4 ditë më parë, kur ishte vënë në dijeni prej avokates Irena Riso. Avni Kraja e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992 dhe përgjatë tre dekadave e ka ushtruar funksionin e prokurorit në Lushnjë, Krujë e Shkodër dhe prej vitit 2010 në Prokurorinë e Tiranës.









































