Google search engine
Home Aktualitet Kesina Lami: “Aladin” shfaqja që nisi aktivitetin artistik për fëmijë të Teatrit...

Kesina Lami: “Aladin” shfaqja që nisi aktivitetin artistik për fëmijë të Teatrit Shëtitës “Çajupi”

0
517

“Aladin” titullohet muzikali i mrekullueshëm për fëmijë me regji nga Kesina Lami. Muzikali shfaqet për fëmijët në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve, duke marrë duartrokitje të shumta. Teatri Shëtitës për fëmijë nisi udhëtimin me premierën “Aladin” më 8 maj dhe regjisorja Kesina Lami shprehet se janë aranzhuar artistë të rinj. Në intervistën për gazetën “SOT” regjisorja Kesina Lami flet për punën që është bërë për muzikalin dhe atë që përcjell për fëmijët. Ajo shprehet se me Aladinin është një histori, që e mira fiton mbi gjithçka. Ky projekt artistik nën regjinë e Kesina Lamit është një realizim i bukur për fëmijët. Këndohet live nga aktorët, ku dhe kostumet sipas regjisores vijnë realizuar më së miri. “Aladin” këtë javë vjen në data 21 dhe 22 maj në orën 18:30, ku fëmijët do të shikojnë një shfaqje me interpretimin mbresëlënës të aktorëve. Kesina Lami në aktivitetin e saj artistik është e angazhuar dhe me shfaqjet për të rritur. Ndërsa këto kohë në Tiranë po shfaqet premiera “Aladin”, ajo tregon se po punon dhe për një tjetër projekt teatror për të rritur.

-“Aladin” do të mirëpresë këtë javë spektatorët e vegjël në datat 21 dhe 22 maj në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve. Një shfaqje me të cilën nisi aktivitetin artistik për fëmijë dhe Teatri Shëtitës “Çajupi”. Si erdhi ky bashkëpunim për muzikalin?

Për mua që do të merresha me një shfaqje për fëmijë ishte pak e vështirë, sepse nuk kisha bërë më parë një projekt të tillë. Frika ishte tek pjesa, se si do ta presin fëmijët këtë shfaqje. Por kur pashë reagimin e fëmijëve, që të gjithë po kërcenin në skenë me aktorët, ishte një ndjesi shumë bukur për mua si regjisore. Si fillim ishte profesor Kiço Londo, që mua ma prezantoi si projekt teatror dhe e kisha pak me frikë, por thashë do ta provoj. Ishte dhe shfaqja e parë që do të hapte aktivitetin Teatri Shëtitës “Çajupi”. Një shfaqje muzikal. Kur Londo më tha që do të bësh një shfaqje për fëmijë isha e fiksuar për të bërë një muzikal, sepse për fëmijë nuk kemi parë shumë. Më të shumtën ne shohim një shfaqje që mund të ketë një apo dy këngë për fëmijë. Ndërsa unë këtu si regjisore nga 50 minuta që është gjithë shfaqja “Aladin”, 38 minuta janë vetëm me muzikë, ku këndohet live nga aktorët dhe jo me regjistrim.

-Muzikali “Aladin” po shfaqet për fëmijët me një kastë aktorësh të rinj. Çfarë vlerësoni tek ata?

Të gjithë janë aktorë të rinj. Kam Elios Shulin dhe Anxhela Gaxhazi, që janë në vit të tretë në fakultet për regji-teatri. Dua të theksoj, që Elios Shuli ka bërë tekstet e këngëve. Instrumentali është nga “Aladin”, ajo që është bërë në vitin 1992, jo “Aladin” i ri tani sepse është bërë dhe film në vitin 2019. Unë kam qenë shumë fanatike për të ruajtur pikërisht atë lloj muzike arabe. Të gjithë tekstet e 13 këngëve i ka shkruar Elios Shuli, që është shumë i talentuar për tekstet e këngësh. Uroj që një ditë të bëhet dhe një tekstshkrues shumë i mirë, sepse i ka perlë tekstet. Kemi në shfaqje dhe Altea Alushi, që është në vit të dytë për regji-teatri si dhe Dario Zela, që nuk ka lidhje me teatrin, por ai bën një kurs tek “Klea Huta Akademi” për aktrim. Ai është dhe këngëtar që ka një zë të mrekullueshëm, ka qenë dhe te “Kënga magjike” apo dhe tek “Gjeniu i vogël”. Kostumografia është përgatitur nga Ledia Huta, mjaft e talentuar që i ka bërë kostumet identike, ngjyrat perfekte dhe në harmoni me njëra-tjetrën.

-“Aladin”erdhi si një muzikal për fëmijë, duke marrë shumë duartrokitje. Ajo që u përcoll në fund përmes lojës së aktorëve ishte dhe që e mira fiton mbi gjithçka….

Me Aladinin është një histori, që e mira fiton mbi gjithçka. Aladini është një njeri, që ka vjedhur tërë jetën, por për një arsye. Arsyeja e tij ishte që ishte i varfër, pa familje dhe duhet të mbijetonte. Tek kënga e biografisë së tij, ai thotë që nuk do të vjedhë, por është i detyruar ta bëjë këtë gjë, sepse ai nuk ka as familje dhe as shtëpi. Pra ai do të mbijetojë, por jo se është i keq. Në shfaqje Aladini i jep dhe fruta fëmijëve. Ai nuk vjedh vetëm për veten, por dhe iu jep të tjerëve, siç janë fëmijët që nuk kanë të hanë. Xhafari që është personazhi i keq, në fund në shfaqje e fusim në një sunduk të madh, duke i thënë që ti nuk ke për tu kthyer kurrë, sepse zgjuarsia, mençuria e Aladinit dhe pafajësia e tij fiton mbi gjithçka.

-Sa rëndësi ka për ju në jetën artistike puna, që po bën Teatri Shëtitës “Çajupi” me aktivitetin e tij, duke angazhuar regjisorë dhe aktorë të rinj?

Unë jam shumë falënderuese ndaj profesor Kiço Londos. Ka një vullnet dhe dashuri shumë të madhe për teatrin. Dhe pavarësisht pandemisë dhe vështirësive që ka për momentin ai e ka gjetur mënyrën që ne të japim shfaqje teatrore dhe të dhurojmë art te spektatorët, sepse kemi gati 1 vit e gjysmë që nuk po shohim një shfaqje teatrore, një vepër arti. Të gjithë kanë mbetur pa punë, pa art. Kështu që e shoh si një iniciativë shumë të mirë që ai ka marrë, dhe Teatri Shëtitës “Çajupi” një derë të hapur për të gjithë ne artistët e rinj. Unë jam e re dhe sa kam mbaruar shkollën në Akademinë e Arteve dhe të gjithë aktorët që unë kam në muzikalin “Aladin” janë studentë.

-Pasi muzikali “Aladin” të mbarojë së shfaquri në Tiranë, a do të vijojë edhe në vende të tjera për fëmijët?

Muzikali “Aladin”, pasi të mbarojë turin në Tiranë që ka 25 shfaqje do ta çojmë edhe në rrethe. Aty ku nuk kanë parë në përgjithësi shfaqje teatrore për fëmijë, qoftë dhe në Kamëz që nuk kanë dot mundësi për të ardhur në qendër të Tiranës për të parë një shfaqje. Të gjithë janë fëmijë dhe kanë nevojë të shohin shfaqje teatri, të shohin art.

-Sa problem ka qenë për ju deri tani pezullimi i aktivitetit në skena brenda teatrove?

Mendoj se ka ndikuar keq. Të paktën të ishin hapur teatrot dhe të funksionin në salla me 20 apo 30 për qind të publikut, ashtu si janë hapur dhe lokale apo restorantet. Për sa kohë ti shkon në një lokal dhe njerëzit i ke ngjitur, nuk ka gjë nëse lë dy karrige bosh dhe përdor 20 apo 30 për qind të sallës së teatrit për publikun të shikojë shfaqje. Unë nuk e di se çfarë po bëjnë të gjithë artistët këtë kohë. Unë kam pasur dhe një fat të madhe, që kam punuar me Festivalin Teatror Universitar dhe kam bërë shfaqje në muajin shtator dhe janar livestream. Mos të kesh teatrin është sikur të priten krahët. Dhe është e tmerrshme përse nuk po i hapin teatrot, kur është hapur çdo gjë tjetër.

-Si regjisore ju këtë kohë punuat për muzikalin “Aladin”, por ndërkohë që puna juaj është dhe në veprat teatrore për të rritur. Po punoni për një vepër shkruar nga Enver Petrovci, për çfarë bëhet fjalë?

Unë tani po merrem me veprën “Pasaporta” e shkruar nga Enver Petrovic. Kam dy aktorë për këtë shfaqje. Është Kejdi Gishto dhe Enkelejda Fishekaj dhe asistente Orestia Nano. Këtë shfaqje ne do ta japim në Kosovë meqë atje janë hapur teatrot, por edhe në Maqedoninë e Veriut. Ne shpresojmë që të hapen dhe në Tiranë teatrot për ta sjell këtu shfaqjen teatrore.

-Një regjisore e re, por si nisi rruga juaj drejt artit?

Mamaja ime ka pasur gjithmonë qejf që të më aktivizojë, dhe për herë të parë jam ngjitur në skenë në moshën 5 -vjeçare, në qendrën kulturore në aktivitetet që zhvillohen në rrethe. Kisha një artikulim aq të mirë sa salla u ngrit në këmbë. Aty u kënaqa unë si një 5 vjeçare që isha, por nuk mbaj mend shumë përveçse një foto që kam nga ajo kohë në shtëpinë time. Mamaja ime insistoi deri në klasë të 7 deri sa tha mjaft. Por unë kam bërë gjimnazin në një shkollë në Tiranë. Aty kisha profesorin tim që është i arteve, i cili më spikati si talent. Unë e kisha lënë pas dore punën me artin, sepse dhe prindërit nuk ishin më dakord për t’u futur në rrugën e artit. Por unë insistova që të futem në këtë rrugë. Kur erdha këtu nuk kisha asnjë mbështetje. Kjo më ka bërë shumë mirë, sepse unë punova fort për këtë rrugë.

-Me angazhime në fushën e teatrit, në skenë keni sjellë shfaqje për fëmijë dhe të rritur, por ku kanë qenë vështirësitë tuaja?

Po të duash shumë diçka dhe po të punosh fort arrin. Në përgjithësi ne që mbarojmë regji-teatri fokusohemi dhe te regjia e aktrimi. Por nuk mund të kesh dy prioritete. Mendoj që nëse fokusohesh vetëm tek njëra do ia arrish atë që do. Unë jam fokusuar tek regjia, dhe deri tani nuk kam shkuar në asnjë shfaqje si aktore, pasi kam mbaruar Universitetin e Arteve. Kam punuar shumë për këtë, për mua që jam dhe regjisore e re është e vështirë të gjesh një kast aktorësh të mirë dhe të kesh një frymë grupi të mirë. Të tjerët kanë eksperiencë, ata që janë më të rritur edhe dinë ti menaxhojnë kanë edhe emrin, por për mua në fillime ka qenë e vështirë përshtatja, pasi si është një aktor nuk është një tjetër, apo janë orët e gjata të provave, etj. Kemi punuar ndonjëherë dhe 7 orë në prova. Kam ndjerë shumë vështirësi, por kam pasur dhe fatin që mua më është dhënë mundësia. E kam kërkuar dhe vetë, por që më është dhënë mundësia.

Muzikali për fëmijët

Muzikali “Aladin” me regji nga Kesina Lami ka në role aktorët Anxhela Gaxhazi, Altea Alushi, Elios Shuli dhe Dario Zela. Kostumografe Ledia Huta dhe tekstet e këngëve Elios Shuli. Ngjarjet në shfaqje tregojnë për Aladinin, djali i cili vidhte për të mbijetuar takohet në qytet me vajzën më të bukur që kishte parë. Pasi vajza ikën ai kupton që ishte princeshë Xhasmin. Por dashuria midis tyre ishte e pamundur për shkak të pozicioneve shoqërore. Teksa Aladdini vidhte kudo nëpër qytet në një sunduk të vjetër ai gjen një llampë. Ajo ishte llampa magjike, që vetëm një shpirt i pastër mund ta gjente. Xhindi del nga llampa dhe prezantohet me Aladinin, ishte në shërbimin e tij për ti plotësuar 3 dëshira. Dëshira e tij e parë ishte të bëhej një princ për ti propozuar princeshës Xhasmin. Problemi që Aladini hasi pas kësaj ishte magjistari Xhafar, këshilltari i babait të Xhasmin. Xhafari kur mori vesh që llampa është gjetur bëri plane për t’ia vjedhur. Ai donte me çdo kusht të martohej me Xhasmin dhe të sundonte vendin. Konflikti i personazheve ndodh në këtë pikë kur Xhafari vendos për ti rrëmbyer llampën Aladinit. Magjistari Xhafar arrin t’ia vjedhë dhe të bëhet magjistari më i keq i të gjitha kohërave. Por Aladdini një djalë shumë i zgjuar e bind Xhafarin të bëhet xhind, duke e futur në llampën magjike të së keqes dhe e hedh në fund të oqeanit. Dashuria dhe pastërtia e Aladinit dhe Xhasminës mbizotëron mbi ligësinë e Xhafarit.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here