Gjyqtarja Migena Laska e Gjykatës së Tiranës u përball të martën në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Laska kryesohet nga Firdes Shuli, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin. Gjatë seancës dëgjimore, Komisioni e vlerësoi pozitivisht gjyqtaren Migena Laska për kriterin e figurës dhe profesionalizmit, ndërkohë që ajo u pyet për shitjen e një apartamenti dhe kursimet cash për një vit të deklarimit. Relatorja e çështjes, Brunilda Bekteshi tha në seancë se nuk janë gjetur probleme për blerjen e një automjeti tip Volkswagen në vitin 2016 kundrejt vlerës 10 mijë euro, me burim krijimi shitjen e dy apartamenteve të tjera dhe kursimet. Bekteshi tha se pagesa e çmimit të mjetit ishte kryer nëpërmjet transfertës bankare dhe se Laska kishte pasur burime të mjaftueshme për krijimin e kësaj pasurie. Sipas rrjetit investigativ “BIRN”, në analizën financiare të kryer për gjendjen cash ndër vite, Komisioni ka konstatuar balancë negative në shumën rreth 700 mijë lekë. Bekteshi tha se nuk përputhen gjendja cash e deklaruar nga subjekti me atë të konstatuar nga analiza financiare e KPK. Sipas relatores, në vitin 2012 ka rezultuar se subjekti ka investuar në likujditete bankare 500 mijë lekë nga gjendja cash, por nuk e ka deklaruar pakësimin e kësaj vlere. E pyetur në fund të seancës, gjyqtarja Laska shpjegoi se sipas procedurës, deklarimi për vitin 2012 ishte kryer në mars të vitit 2013 dhe se kryhej për gjithë vitin. Ajo vijoi se gjendja cash në shumën 500 mijë lekë e investuar prej saj në bono thesari në fillim të vitit 2012, ishte zëvendësuar deri në fund të atij viti nga të ardhurat prej pagës, duke arritur ta kursente atë vlerë dhe se nuk kishte pakësim të gjendjes cash në fund të vitit. Në vitin 2016, Laska ka deklaruar investim në obligacione thesari në shumën 49 mijë euro, me burim kursimet dhe interesat e bonove të thesarit prej 25 mijë e 533 euro si dhe shuma prej 24 mijë euro e dhuruar nga bashkëjetuesi Mustafa Nano. Bekteshi tha se shuma e dhuruar prej 24 mijë eurosh është transferuar nga bashkëjetuesi në llogarinë bankare të subjektit të rivlerësimit. Relatorja bëri me dije se Komisioni kishte hetuar lidhur me mundësinë e dhuruesit për blerjen e apartamentit në Kavajë në vitin 2011, pasi dy vite para këtij transaksioni ai kishte investuar edhe në blerjen e një apartamenti tjetër në Tiranë. Ajo shtoi se gjyqtarja Laska ka kërkuar që bashkëjetuesi të mos konsiderohet si person i lidhur për periudhën që ai ka krijuar apartamentin në Tiranë, pasi blerja ishte realizuar përpara bashkëjetesës së tyre. Në seancë nuk u evidentua ndonjë problem për blerjen e apartamentit në Kavajë, raporton “BIRN”.










































