Google search engine
Home Sport Federata e Basketbollit me dorë të hekurt, penalitete dhe gjoba për lojtarët...

Federata e Basketbollit me dorë të hekurt, penalitete dhe gjoba për lojtarët e Kamzës dhe të Elbasanit, ndeshja do të riluhet

0
274

Fundjavën e kaluar, në sallën sportive të Kamzës, pati një sherr serioz midis dy skuadrave të basketbollit, asaj të Kamzës dhe të Elbasanit, në kuadër të kampionatit të Kategorisë së Parë. Ngjarja u përshkallëzua shumë shpejt dhe pati përplasje fizike mes lojtarëve, aq sa u desh të ndërpritej ndeshja e për shkak të sherrit të ndërhynte policia. Ngjarja po hetohet nga organet policore, ndërkohë që Federata Shqiptare e Basketbollit, si organi përgjegjës i organizimit dhe menaxhimit të aktiviteteve të basketbollit, pasi shqyrtoi dosjen e kësaj ndeshjeje, të bazuar në raportin e zyrtarëve të takimit dhe pamjet filmike, nëpërmjet komisionit të saj disiplinor, mori vendime të rëndësishme që konsistojnë në një sërë penalizimesh për lojtarët e të dy kampeve të përfshirë në sherr si dhe gjoba të “majme” për shkelësit e rregullores. Për herë të parë në shumë vite, masë disiplinore është dhënë edhe për zyrtarët e ndeshjes, të cilët nuk kanë ditur ta menaxhojnë takimin dhe nuk kanë qenë në lartësinë e duhur për të dhënë vendimet e duhura në momentin që ndeshja po merrte përshkallëzime jo sportive. Një nga lojtarët që ka marrë penalizim të rëndë është amerikani Hymon i Kamzës,  i cili përjashtohet për një vit nga aktiviteti si dhe gjobitet me një shumë prej 1 milion lekësh të vjetra. Me nga gjashtë muaj përjashtim janë penalizuar  dhe lojtarët e Elbasanit Uruçi e Çela. Federata, për të mos dëmtuar garën nuk ka dhënë penalitete për klubet, por ka vendosur të luhet ndeshja në një moment të dytë. Duhet theksuar se në vendimin e dhënë nga Disiplinori, nuk është përfshirë një çështje e rëndësishme, ajo e thirrjeve raciste ndaj lojtarëve me ngjyrë të Kamzës, që ishin dhe zanafilla e sherrit të ndodhur në këtë ndeshje.

Vendimi

Komisioni, pasi mori në analizë relacionin e Vëzhguesit të ndeshjes dhe pamjet filmike të vena në dispozicion nga Federata Shqiptare e Basketbollit, bazuar në rregulloren e disiplinës si dhe praktikës së “FIBA” për rastet analoge të cilat nuk janë të parashikuara nga rregullorja e disiplinës, doli me përfundimet si më poshtë: 1. Lojtari Hymon me Nr. 2 i ekipit Kamza Basket, bazuar në nenin 14.21 të rregullores së Disiplinës,  dënohet me një vit përjashtim dhe 100.000 (njëqind mijë) Lekë gjobë.  2. Lojtari Ramiz Uruçi (lojtar i stolit) i ekipit Elbasani, bazuar në nenin 14.19 te rregullores së Disiplinës, dënohet me 6 gjashtë muaj përjashtim dhe 70.000 (shtatëdhjetë mijë) Lekë gjobë. 3. Lojtari Çela me Nr. 22 i ekipit Elbasani, bazuar në nenin 14.17 të rregullores së Disiplinës, dënohet me 6 gjashte muaj përjashtim dhe 60.000 (gjashtëdhjetë mijë) Lekë gjobë.  4. Lojtarët Davis me Nr. 3 te ekipit Kamza Basket, B.Skëndaj me Nr. O dhe I.Skëndaj me Nr. 10 të ekipit te Elbasanit, bazuar në nenin 14.13 të rregullores së Disiplinës, dënohet me 30.000  (tridhjetë mijë) Lekë gjobë secili.  5. Lojtarit Davis me Nr. 3 të ekipit Kamza Basket, i tërhiqet vëmendja se në rast përsëritje do të marrë masë maksimale ndëshkuese, për shkak të agravimit të situatës. 6. Gjyqtaret e ndeshjes, Olti Kasmi dhe Ani Balliu, për neglizhencë dhe mos reagim për parandalimin  e sulmeve fizike, të pezullohen për një periudhë 2 (dy) javore nga dhënia e këtij vendimi.  7. Komisari i ndeshjes, Arben Kasmi, për mos relatim të saktë të situatës ndaj gabimeve dhe neglizhencës së gjyqtarëve të fushës, të pezullohen për një periudhë 2 (dy) javore nga dhënia e këtij vendimi. 8. Përsëritjen e ndeshjes ndërmjet Kamza Basket vs Elbasani, Kategoria e Parë, meshkuj e planifikuar për datën 15.05.2021, në një datë të përshtatshme për administratën e FSHB, në të njëjtën fushë me të tjerë gjyqtarë dhe vëzhgues. Ky vendim është i ankimueshëm brenda 5 ditëve në kryesinë e FSHB-së, nga momenti i komunikimit të Vendimit të Zbardhur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here