Google search engine
Home Politike PS rrezikon humbjen e 2 mandateve/ KAS hap kutitë e materialeve zgjedhore...

PS rrezikon humbjen e 2 mandateve/ KAS hap kutitë e materialeve zgjedhore për Beratin, 19 persona dyshohet se votuan 53 herë, ja problematikat

0
284

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka hapur dje kutitë e materialeve zgjedhore në 24 qendra votimi në Berat. Hapja e kutive me materiale zgjedhore vjen pasi, KAS pranoi kërkesën ankimore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila kërkoi rinumërim me argumentin se janë konstatuar shkelje, duke pretenduar se ka më shumë fletë votimi se votues dhe se në disa prej tyre mungon dhe regjistri. Kështu, në shqyrtim u morën materialet zgjedhore si procesverbalet, regjistri i votuesve, shënimet e komisionerëve, regjistri i identifikimit biometrik të zgjedhësve dhe pas inspektimit të tyre, do të vendoset nëse ka nevojë për rinumërim votash. Në mbledhjen e djeshme, ndërsa është bërë kryqëzimi i të dhënave të pajisjes elektronike PEI, janë konstatuar një sërë parregullsish. Sipas rezultateve, bëhet me dije se, janë rreth 57 raste të dyshimta në Berat, mes të cilave 2 raste kur 2 persona janë shfaqur në 2 QV të ndryshme, ndërsa 19 persona kanë dhënë shenjën e gishtit si nënshkrim biometrik për 53 zgjedhës. Ndërkohë, janë 74 janë rastet e dyshimta për në Qarkun e Gjirokastrës nga të cilat 2 raste të dyshimta, ku 2 persona janë paraqitur në 2 QV të ndryshme dhe 12 persona kanë dhënë shenjën e gishtit si nënshkrim biometrik për 70 zgjedhës. Sot KAS do marrë vendim nëse do kemi rinumërim votash në Berat.

Problematikat e zbuluara nga KAS

Pas përfundimit të shqyrtimit të materialeve zgjedhore për qarkun e Beratit janë hasur një sërë problematikash. Në disa prej tyre mungon raporti i PEI, procesverbalet e pjesëmarrjes në votim, mospërputhje në numërimin e votuese, fletë të dëmtuara, si dhe mungesë e listës së zgjedhësve. Kështu, ka rezultuar se pas shqyrtimit të kutisë për qendrën e votimit 3275, KZAZ 65 rezulton se ka pasur një tentativë për votim të dyfishtë dhe mungon raporti i mbylljes së pajisjes së identifikimit elektronik. Në disa QV të tjera, nuk ka korresponduar numri i votuesve të shënuar në procesverbal me numrin e kuponëve të prerë nga pajisja e identifikimit biometrik. Po ashtu, në disa QV ka rezultuar se nuk është gjendur në kuti manuali zgjedhor dhe procesverbali nga QV për kalimin në proces të votimit manual. Të tjera problematika që janë evidentuar nga KAS pas shqyrtimit të materialeve zgjedhore, kanë qenë edhe mungesa e raportit të hapjes dhe mbylljes së procesit së pajisjes së identifikimit elektronik. Në përfundim të mbledhjes u vendos se, përgjigja përfundimtare për kutitë me materiale zgjedhore do të shtyhet për të mërkurën në mëngjes. Ndërsa, ditën e sotme KAS do të mblidhet për të diskutuar për kërkesën ankimore të Gjirokastrës dhe Vlorës.

PS rrezikon 2 mandate

Zhvillimet e djeshme në KAS ku u evidentuan probleme pas shqyrtimit të materialeve zgjedhore në disa QV në Berat, janë sinjale se mund të ketë edhe përmbysje të rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit. Kështu, në qarkun e Beratit, LSI e humbi mandatin, për 77 vota. Duke marrë parasysh parregullsitë e zbuluara dje, shanset që PS të dalë me 4 mandate në Berat dhe LSI të marrë një mandat janë të shumta. Ndërkohë, një tjetër qark në të cilin LSI humbi mandatin për 136 vota është qarku i Durrësit. LSI mori 9.480 vota në këtë qark ku mandati i fundit iu dha Partisë Socialiste me 9.616 vota. Edhe për këtë qark LSI kërkoi në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve rinumërim dhe rivlerësim të votave. Kështu, nëse do të konstatohen probleme të tjera nga shqyrtimi i materialeve zgjedhore, kjo mund të sjellë edhe një përmbysje të rezultatit që doli nga zgjedhjet e 25 prillit. Pra PS rrezikon të humbë një mandat në Durrës dhe një në Berat.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here