Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka kthyer përgjigje Kuvendit lidhur me ftesën për t’u paraqitur në seancë dëgjimore në Komisionin Hetimor Parlamentar për shkarkimin e tij. Në përgjigjen e tij, Meta vë theksin se kërkesa në përmbajtjen e saj nuk “referon asnjë dispozitë kushtetuese dhe ligjore për bazueshmërinë e saj”.
Sipas tij, kjo nismë është një formë hakmarrjeje, ndërsa shton se presidenti do të mbetet i vetmi që nuk do të frikësohet dhe i vetmi që “nuk e keni detyruar dot që të shkelë kushtetutën.”
Pas mesazhit të presidentit, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit është zhvilluar mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Mbledhja ka nisur me votimin e vendimit që Presidentit të Republikës t’i lihet një afat për tu paraqitur në komision. Metës i është dhënë afat nga nesër deri të hënën e ardhshme që të vendosë dhe të vijë kur të dojë.
“Dëgjesa nuk do bëhet sot, për të mundësuar dëgjesën, në funksion të veprimtarisë së këtij komisioni, me qëllim për të dëgjuar dhe palën tjetër e cila është pala nën hetim sipas kushtetues. Si detyrim, për ta thirrur dhe dëgjuar presidentin, për të shprehur qëndrimin e tij, do të propozoja që ti nisim një shkresë që sot ku do ti komunikojmë se ne jemi gati për ta dëgjuar që nga dita e nesërme deri të hënën, të zgjedhë ditën dhe orën, për ti hequr çdo alibi kujdo. Jeni dakord?
Deri ditën e hënë.. sa i bie data? Ky afat ka lidhje dhe me afatin e veprimtarisë së Kuvendit”, u shpreh Alket Hyseni.









































