Google search engine
Home Politike Miratohet Traktati për Ekstradimet Shqipëri-SHBA, Gjonaj: Do të garantohet bashkëpunim më efektiv...

Miratohet Traktati për Ekstradimet Shqipëri-SHBA, Gjonaj: Do të garantohet bashkëpunim më efektiv në luftën kundër krimit

0
203

Komisioni i Ligjeve ka miratuar ditën e djeshme Traktatin e Ekstradimeve Shqipëri-SHBA. Ky traktat u firmos në dhjetor të këtij viti mes ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, që modernizon dhe zëvendëson atë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Shqipërisë, të nënshkruar 87 vjet më parë, më 1 mars 1933, në Tiranë, ndërkohë që siguron një armë të fuqishme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së kriminelëve, që fshihen pas kufirit. E ftuar në mbledhjen e komisionit për prezantimin e projekt-aktit ishte Klajd Karameta, zëvendësministër i Drejtësisë, i cili u ndal në mënyrë të veçantë tek objektivat kryesorë të ratifikimit të traktatit të ekstradimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Objektivat kryesore të marrëveshjes në fjalë lidhen me krijimin e një kuadri të ri rregullativ, në lidhje me aplikimin e ekstradimit ndaj shtetasve të shteteve nënshkruese të marrëveshjes; lehtësimin e funksionimit të procesit të ekstradimit ndërmjet palëve, lidhur me ekstradimin e shtetasve të tyre përkatëse; garantimin e bashkëpunimit sa më të efektshëm ndërmjet palëve për luftën ndaj krimit; si dhe eliminimin e pengesave ligjore ndaj ekstradimit të shtetasve të shtetit të kërkuar, për ndjekje penale, ose për kryerjen e dënimit në shtetin kërkues, duke marrë masat e nevojshme për kryerjen e këtij ekstradimi”, deklaroi zëvendësministri Karameta. Ndërsa deputetja Klotilda Bushka në cilësinë e relatores vlerësoi se nisma është në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit dhe duke theksuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, ftoi kolegët e komisionit ta miratojnë atë. Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë, duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare të radhës. Më pas reagoi edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj përmes një postimi në “Twitter”, teksa theksoi dje se kjo marrëveshje ndihmon në luftën kundër krimit, në SHBA dhe Shqipëri. “Nëpërmjet këtij traktati krijohet kuadri i ri rregullator ligjor për aplikimin e ekstradimit ndaj shtetasve të shteteve nënshkruese të marrëveshjes. Pas miratimit në Kuvend të këtij traktati, do të garantohet bashkëpunim më i efektshëm ndërmjet palëve për luftën kundër krimit”, shkruan Gjonaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here