Në fund të korrikut do të startojnë zyrtarisht Lojërat Olimpike Veriore Tokio-2020. Siç dihet, ato u shtynë për një vit për shkak të pandemisë së koronavirusit, por tani situata është përmirësuar dhe Japonia po bën përgatitjet e fundit për të qenë e gatshme të presë sportistët elitarë nga e gjithë bota në evenimentin më të madh sportiv që njeh bota. Duhet thënë se përgatitjet për Olimpiadën po i bën edhe Shqipëria, në aspektin e vlerësimit për të qenë me një numër sa më të madh pjesëmarrësish, por shanset që Shqipëria të çojë në Olimpiadë një numër të konsiderueshëm sportistësh janë të pakta. Kjo dhe për faktin se koha është e kufizuar, nuk ka shumë aktivitete me vlerë kualifikuese dhe pandemia ua shoi shpresat edhe atyre që kishin besuar se do të vinte momenti i tyre më i mirë. Ambiciet e ekipit olimpik kombëtar shqiptar janë për 7 sportistë pjesëmarrës në disa disiplina sportive, por zyrtarisht, deri tani janë kualifikuar me normë olimpike vetëm dy atletë.
Gega dhe Calja, atletët që e kanë kapur normën
Atletja Luiza Gega është e para që siguroi normën olimpike për të qenë prezent në Lojërat Olimpike të Tokios. Madje ajo ka më shumë se një vit që e ka kapur normën në disiplinën e 3000 metrave me pengesa, ku gega është dhe një prej atleteve që synon garën finale në këtë disiplinë. Është padyshim krenari e atletikës shqiptare, me shumë rekorde kombëtare dhe që mund të regjistrojë një rezultat surprizë edhe në Olimpiadë, gjithmonë nëse gjërat ecin sipas parashikimeve. Atleti tjetër që ka siguruar normën olimpike është Briken Calja. Ai zuri vendin e tretë në Europianin e fundit, por ka pasur vende nderi e në podium në të gjitha garat ku ka marrë pjesë dhe llogaritet të jetë në 5 më të mirët e botës në peshën e tij, prandaj as nuk vihet në diskutim prania e Caljes në Olimpiadë. Përpjekjet nga shtanga për të siguruar një ftesë dhe për Erkand Qerimajn duket se janë zbehur krejtësisht, pasi rezultatet e fundit të shkodranit nuk e ndihmojnë atë të ketë pikëvarazhin e duhur.