Tashmë ajo që po ndodh më në Gazë mund të konsiderohet plotësisht një luftë dhe jo sulme dhe kundër sulme. Ditën e premte shteti i Izraelit ka ndërmarrë sulme ajrore dhe tokësore me artileri, kundrejt një rrjeti tunelesh nëntokësore që ndodhen në Gaza. Këto tunele përdoreshin për strehimin e militantëve palestinezë. Izraeli intensifikoi të premten sulmet ajrore dhe me artileri në Gaza, ndërsa militantët palestinezë të Hamasit vazhduan të hedhin raketa në drejtim të tij. Ushtria izraelite tha se forcat ajrore dhe tokësore janë përfshirë në sulme, por nuk kanë hyrë në Gaza. Ofensiva 40-minutëshe vrau 13 palestinezë, përfshirë një nënë dhe tre fëmijët e saj, trupat e të cilëve u nxorën nga rrënojat e shtëpisë së tyre, thanë autoritetet shëndetësore në Gaza. “Izraelitët përdorën 160 aeroplanë luftarakë, si dhe tanke dhe artileri, që qëlluan prej jashtë Rripit të Gazës”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, nënkoloneli Jonathan Conricus. E premtja ka qenë dita e pestë e fillimit të sulmeve me raketat ajrore. Që nga fillimi i sulmeve, autoritetet izraelite thanë se numri i të vdekurve në Izrael vazhdon të mbetet në tetë, mes tyre një ushtar që patrullonte kufirin e Gazës, gjashtë civilë izraelitë, përfshirë dy fëmijë dhe një punëtor indian. Ndërsa autoritetet palestineze të shëndetësisë të paktën 119 persona janë vrarë në Gaza, mes tyre 31 fëmijë dhe 19 gra, ndërsa 830 të tjerë janë plagosur. Deklaratat nga Izraeli gjatë tërë këtyre ditëve kanë qenë të drejtuara nga zgjatja e sulmeve, madje ditën e djeshme kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar se ofensiva më e madhe e kombit të tij kundër Hamasit në vite nuk ka mbaruar ende. “Ata sulmuan kryeqytetin tonë, ata qëlluan me raketa në qytetet tona. Ata këtë po e paguajnë dhe do të vazhdojnë të paguajnë shtrenjtë. Nuk ka mbaruar akoma”, tha ai. Tensionet kanë përfshirë edhe Bregun Perëndimor, ku kanë shpërthyer luftime të përgjakshme në disa qytete arabo-hebraike. Autoritetet kanë vendosur një ndalim-qarkullim natën në qytetin qendror të Lodit ku të paktën një person u godit këtë javë, ndërsa disa qindra njerëz në Lod dhe qytete të tjera janë arrestuar.
Këshilli i Sigurimit dhe takimi mbi konfliktin
Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara bëri me dije se ka rënë të mblidhet të dielën për të diskutuar për situatën, pasi planet për një takim ishin shtyrë nga kundërshtimet e Shteteve të Bashkuara. SHBA kundërshtuan një kërkesë të bërë nga Kina, Norvegjia dhe Tunizia për një takim publik, virtual të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të premten për të diskutuar mbi shkallëzimin e dhunës midis Izraelit dhe militantëve palestinezë. “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë aktive në diplomaci në nivelet më të larta në përpjekje për të lehtësuar tensionet”, shprehej ambasadorja amerikane në OKB Linda Thomas-Greenfield në Twitter. SHBA, aleate e ngushtë e Izraelit, përmendi përpjekjet diplomatike si arsye për kundërshtimin e kërkesës, duke thënë se një diskutim i Këshillit të Sigurimit nuk do të ishte produktiv, por lanë derën hapur për një takim të mundshëm të martën, sipas diplomatëve. Megjithatë, Sekretari i shtetit Anthony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë të hapura dhe mbështesin një diskutim të hapur në Kombet e Bashkuara rreth ngjarjeve në Izrael në fillim të javës së ardhshme. Blinken tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë intensivisht për të inkurajuar të gjitha palët të bëjnë një hap prapa dhe t’i rikthehen qetësisë. Ai përsëriti se sulmet me raketa nga militantët palestinezë kundër Izraelit duhet të pushojnë dhe se SHBA janë shprehur qartë se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten.