Shfaqja “Këngëtarja tullace” vjen premierë në Tiranë për publikun. Me regji dhe koreografi nga Gjergj Prevazi shfaqja premierë do të jetë në amfiteatrin e Universitetit të Arteve në mbrëmjet e datave 20, 21 dhe 22 maj. “Këngëtarja tullace” një vepër e autorit Eugene Ionesco, e shkruar në vitin 1950 do të vijë premierë në formatin dans teatër, si bashkëpunim i Teatrit Metropol dhe “Albania Dance Theatre”, në kuadër të projektit “AIDA”. Vepra e një nga prej dramaturgëve kryesorë të teatrit avangardë francez, që vjen në skenë nga koreografi i njohur Gjergj Prevazi është me një kast të zgjedhur artistësh. “Këngëtarja Tullace”, konsiderohet ndër kryeveprat e teatrit absurd, por si shumë shfaqje të tjera të teatrit absurd, tema themelore e saj nuk është menjëherë e dukshme. Shumë kritikë e studiues të Ionescos, sugjerojnë se ky tekst shpreh kotësinë e komunikimit kuptimplotë në shoqërinë moderne. Në premierën e saj të parë në maj të po të njëjtit vit kur edhe u shkrua në Paris, u ndoq vetëm nga 7 vetë dhe kishte spekulime se kjo ishte parodi për kohën kur u shkrua. Në vepër, absurdi vesh anën e jashtme të personazheve, kotësinë e gjesteve, veprimeve dhe jetës së tyre duke mos e rrezikuar kuptimin e veprës. Absurde është jeta e personazheve të veprës, por jo marrëdhënia dhe dialogu mes tyre. Duke u bazuar në stilistikën e fans teatrit, shfaqja gërsheton dansin, muzikën dhe fjalën, duke shfrytëzuar në disa momente edhe referenca nga skena dansi të njohura botërisht, por të rikontekstualizuara në rrethanat e “Këngëtares tullace”. Skena është pothuajse e zbrazët. Ngjarjet zhvillohen në kohë pa kohë dhe ndodhin në vend pa vend. Premiera e shfaqjes do ta ketë përballjen e parë me publikun në datat 20, 21, 22 Maj 2021, për t’u rikthyer përsëri në muajin shtator. Në vepër çifti Smith: Rosella Pellicciotti dhe Elton Cefa, çifti Martin: Fjorald Doci dhe Semela Skenderasi. Zjarrfikësi Ermir Jonka. Muzika nga Endri Sina dhe kostumografia Frenci Gjerasi dhe Afërdita Satka.
Jeta e autorit
Eugene Ionesco (Eugjen Jonesko) lindi më 26 nëntor 1909 nën emrin Eugen Ionescu në Slatinë të Rumanisë, tek një baba rumun dhe një nënë franceze. Transferuar një vit më vonë në Paris me prindërit, pas Luftës së Parë Botërore ai u shpërngul në Majenne, në fshatin e vogël Chapelle-Anthenaise. Kthehet në Paris dhe shkruan një dramë patriotike, vepra e tij e parë, në kulmin e adoleshencës. Më vonë prindërit e tij u divorcuan, më 1925 Eugene u kthye në Rumani ku kryen arsimin e mesëm dhe mëson rumanisht. Në vitin 1929, ndonëse dëshira e tij ishte të bëhej aktor, me impulsin e babait të tij, ai u regjistrua në Universitetin e Bukureshtit. Në vitet në vijim ai iu kushtua shkrimit, artikujve kritikë dhe vargjeve poetike. Në kritikën e tij letrare, në mënyrë të veçantë, ai vërsulet kundër romancierit Camil Petresco dhe kundër poetëve Ion Barbu dhe Tudor Arghezi, shkrimtarët më të rëndësishëm të Rumanisë, të cilët ka për t’i lartësuar më vonë, çka e provon në esenë “Nol”, ku shpalos mundësinë e mbështetjes së dy tezave kundërshtare në të njëjtën kohë. Në vitin 1950 ai përfundoi dramën e tij të parë me titull “Këngëtarja tullace”, e cila u vu në skenë për herë të parë në maj të atij viti në Teatrin des Noctambules. Në gjysmën e parë të viteve pesëdhjetë shkruan edhe “Vizioni ëndërror i realitetit” dhe “Introspeksion shumë i thellë psikoanalitik”. Me një krijimtari të pasur, Eugene Ionesco vdiq më 28 mars 1994 në Paris në moshën 83 vjeçare.