Kohë reflektimesh, Teutës i mjaftojnë barazimet, Partizanit i duhet fitore direkte me durrsakët

0
205

Java e 33-të foli në favor të Teutës dhe durrsakët janë tani pretendentë kryesorë për titull, sepse ndodhen 3 pikë diferencë nga Partizani i vendit të dytë, 5 nga Laçi dhe Vllaznia, kur mbeten edhe 3 javë për t’u luajtur. Me bekimin e kalendarit që në sfidën e fundit i rezervon ndeshjen me Apoloninë e rrëzuar nga Kategoria, që vështirë se në përballjen e saj të fundit në Superiore do të gjejë motivimin për të ndalur një skuadër që luan për titullin kampion. Deri atë herë kanë dy finale, së pari me Partizanin këtë të hënë, dhe më pas me Laçin. Jetike sfida me të kuqtë, me një fitore në atë sfidë Teuta mund të vendosë një dorë e gjysmë te titulli, duke nxjerrë përfundimisht nga lufta rivalët kryesorë për të fituar këtë kampionat. Kjo madje me miratimin e matematikës, nëse fitojnë me Partizanin 6 pikë larg, kur mbeten dy ndeshje, edhe nëse e përfundojnë kampionatin me pikë të barabartë, bregdetarët do të favorizoheshin në renditje nga rezultati i sfidave direkte me të kuqtë, ku deri tani janë në barazim absolut, një tjetër motiv ky që i shton edhe më tepër rëndësinë atij takimi. Është një sfidë ku bregdetarët shkojnë me moralin në qiell, skuadra po funksionon për mrekulli, edhe në atë aspekt ku ka patur ndonjë lloj skepticizmi, shënimin e golave, plot 6 të shënuar në dy takimet e fundit, ndërkohë që mbrojtja mbetet pika e tyre e fortë, vetëm 1 gol i pësuar në 4 ndeshjet e fundit. Gjithsesi fati i Teutës është që ndaj Partizanit, e aq më tepër ndaj Laçit, kundërshtarit pasardhës, ka në dispozicion dy rezultate nga tre pasi i bëjnë punë barazimet, pikërisht ato që në fillimin e sezonit konsideroheshin të mallkuara, tani në fund, mund të jenë vërtet të bekuara për një titull që bën historinë.

Sërish statistikat, duelin do ta caktojnë detajet

Sfida që luhet në “Niko Dovana” të hënën, do të jetë vendimtare në të gjitha aspektet. Të dy skuadrat janë në balancë të plotë në edicionin aktual, pasi në të tre ndeshjet e luajtura mes tyre, në fund nuk ka pasur fitues. Dy ndeshjet në fushën e kryeqytetasve kanë përfunduar pa gola, ndërsa dueli në Durrës është mbyllur me rezultatin 1-1, me gola të Asanit e Krasniqit që në minutat e parë të duelit. Kjo do të thotë se skuadrat janë në bilanc të plotë në eventualitetin e mbylljes së kampionatit me pikë të barabarta dhe ajo sfidë në Durrës do të jetë përcaktuese për atë që vlerësohet si “pika bonus” mes dy ekipeve. Në kampionatin shqiptar, në rast barazie pikësh, merret parasysh fillimisht bilanci në ndeshjet direkte e më pas golavarazhi i përgjithshëm. Kësisoj, kush fiton ndeshjen, në teori merr 4 pikë pasi siguron epërsinë në kampionat ndaj rivalit direkt. Ndaj një fitore e Teutës do t’i jepte fund luftës për titullin kampion të Partizanit, që do ta kishte të pamundur të kalonte ekipin durrsak në renditje sido që të mbylleshin ndeshjet e dy javëve pasardhëse. Ndërsa një fitore e të kuqve, do të kalonte këta në vend të parë, edhe pse me pikë të barabarta me durrsakët, të cilët si qëllim kryesor në këtë sfidë do të kenë padyshim atë që të evitojnë humbjen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here