Në 95-vjetorin e lindjes së akademikut Tish Daija (1926-2003) u zhvillua një veprimtari shkencore dhe përuruese në bashkëpunim me Fakultetin e Muzikës (UA), për të promovuar partiturën e baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria”. Vepra e kompozitorit Tish Daija është me libret dhe koreografi të Panajot Kanaçit. Veprimtaria nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë u zhvilluan online dhe me pjesëmarrje fizike. Promovimi që u zhvillua të premten bën fjalë për botimin e plotë të kompjuterizuar të partiturës historike të baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria” (573 faqe). Veprimtaria u moderua nga dr. Mikaela Minga, anëtare e akademisë së të rinjve. Akademik Vasil S. Tole tha se historia e këtij baleti është një histori suksesi. Tole u shpreh se premiera e baletit u bë më 13 janar 1963 në Teatrin e Operës dhe Baletit (sot Akademia e Arteve). Sipas tij, në vitin 1983 me rastin e 20-vjetorit të vënies në skenë, janë riorkestruar disa numra nga baleti. “Është shfaqur afro 300 herë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Kjo trupë e ka shfaqur baletin jashtë vendit në turnetë e Greqisë (1983), në Itali (1991) dhe në Festivalin “Vera e Ohrit (2005). Në Francë ky balet është vënë në skenë me artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit Clermond-Ferrand (1980), me koreograf Brice Leroux. Baleti është vënë në skenë gjithashtu edhe në Kosovë nga Ansambli i Baletit të Teatrit Krahinor të Prishtinës në vitin 1979”, tha Tole. Më tej akademiku Vasil S. Tole foli për rëndësinë e botimit, ndërsa po rrezikohej degradimi i veprës origjinale. “Botimi i partiturës historike të baletit të parë shqiptar do t’i shërbejë një larmie të madhe përdoruesish, nga dirigjentët brenda e jashtë vendit, kompozitorëve të rinj dhe muzikologëve, bibliotekave të specializuara ose jo, nxënësve dhe studentëve të muzikës, dashamirësve, koleksionistëve, etj”, tha ai. Veprimtarinë e përshëndeti edhe baletmaestri Albert Janku, i cili është një nga protagonistët e vetëm që ende jeton të baletit të parë shqiptar. Janku tha se është vepër e bukur dhe kujtoi me nostalgji kohën kur u realizua. “Veprat e bukura i mbijetojnë kohës dhe janë pasuri e madhe e popullit”, tha Albert Janku. Dr. Eno Koço, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave tha se Tish Daija përfaqëson një nga ata pak kompozitorë që mbeten në elitën e kompozitorëve më të shquar shqiptarë. Djali i akademik Tish Daisë, kompozitori Gust Daija, online (SHBA), pasi falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen kryesisë së ASH për botimin e partiturës, tha se “Halili dhe Hajrija” ishte vepra e katërt e kompozitorit në fillimet e punës së vet.