Për herë të parë në historinë e vendit, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike mund të shkojnë te bashkëqeverisja. Edhe pse socialistët fituan mandatin e tretë më 25 prill, kryeministri Rama i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit liderit demokrat Basha. Edhe para zgjedhjeve Rama lëshoi deklarata të ngjashme, por në atë kohë shiheshin si diversione për të dobësuar aleancën PD-LSI. Basha në atë kohë doli kategorik kundër bashkëpunimit, por pas zgjedhjeve nuk ka folur kurrë mbi ftesën e Ramës. Vetë PD ka reaguar disa herë duke pretenduar se hiqet vëmendja nga zgjedhjet, por realisht nuk ka një refuzim të prerë. Por ku do të konsistojë bashkëpunimi PD-PS nëse arrihet një marrëveshje? Elementi kryesor ku pritet të bashkëpunohet është presidenti i ri. PS ka nisur procedurat e shkarkimit të Metës. Edhe pse fjalën e fundit do e thotë Kushtetuesja, sido që të vijnë punët, në pranverën e vitit që vjen nisin procedurat për presidentin e ri. Vetë Rama ditën e djeshme në takimin me deputetët e PS tha se presidenti i ri do të zgjidhet me konsensus me PD. “Është shumë herët për të folur për zëvendësimin e për zëvendësuesin e tij, por në çdo rast, qoftë para kohe, qoftë në kohë, në varësi se si do shkojë ky proces, ne do konsultohemi me Partinë Demokratike për emrin e presidentit të ri”, tha Rama dje.
Kreu i Kuvendit dhe organet e tjera
Një element tjetër është kreu i ri i Kuvendit. Nuk dihet ende nëse Ruçi do të vijojë të mbajë të njëjtin post, por nëse arrihet që të kemi bashkëqeverisje mes PS dhe PD, me shumë gjasa kreun e Kuvendit do e marrë PD. Ndërkohë mësohet se bashkëpunim ose më saktë konsensus do të ketë dhe në disa vendimmarrje të Parlamentit. Këtë vit i mbaron mandati Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Sipas ligjit, shpalljen e bën presidenti, por në fund e zgjedh Parlamenti dhe sipas informacioneve PS do të kërkojë që të kemi një emër konsensual. Një tjetër vendimmarrje e Kuvendit do të jetë përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Anëtarët jo gjyqtarë dhe jo prokurorë kanë mandat 3-vjeçar dhe në fund të vitit duhet të zëvendësohen. Emrat e rinj po ashtu do të tentohen të zgjidhen me konsensus. Element tjetër janë zgjedhjet vendore. Dje kryeministri Rama në takimin me deputetët ju kërkoi që të nisin përgatitjet për zgjedhjet vendore. Normalisht ato duhet të mbahen pas dy vitesh, por nëse kemi bashkëpunim mes PS dhe PD, atëherë në vjeshtë mund të kemi zgjedhje vendore. Momentalisht kemi 5 bashki pa kryetarë, më konkretisht: Bashkia Shkodër, Bashkia Vorë, Bashkia Durrës, Bashkia Dibër dhe Bashkia Kavajë. Presidenti nuk i njeh zgjedhjet dhe nuk nxjerr dekret për zgjedhje të parakohshme aty. Por me shkarkimin e Metës situata do të ndryshojë dhe me shumë mundësi do kemi zgjedhje të reja vendore.
Qëndrimet e Ramës
Dje kryeministri Rama i shtriu sërish opozitës dorën e bashkëpunimit. Ai tha se ky mandat nuk do të jetë si dy të parët, pasi do të ketë një raport krejt tjetër me PD. “Mandati i tretë nuk duhet t’i ngjajë në asnjë mënyrë dy të parave në aspektin e marrëdhënieve me opozitën, Partinë Demokratike, sado të na sulmojnë, të na shajnë, të na provokojnë apo sado ta kontestojnë legjitimitetin e padiskutueshëm të fitores sonë nga mos gëlltitja kronike e humbjes së tyre të qartë e të thellë. Shqipëria na ka ridhënë besimin e madh e mbështetjen e plotë për të udhëhequr e ne do të udhëheqim pa humbur më kohë dhe energji me politikën bajate dhe banale të akuzave e të kundërakuzave të përditshme. Kemi një plan shumë ambicioz për Shqipërinë dhe koha, energjitë, forcat e mendimit dhe e veprimit tonë duhet të jenë të tëra në dispozicion të vizionit Shqipëria 2030. Ne nuk kemi marrë një mandat për të luftuar me Partinë Demokratike, por për të çuar deri në fund, punët e mëdha që kemi nisur e për të nisur punë të mëdha që duhen çuar deri në fund”, tha Rama.









































