Shkarkimi i presidentit Ilir Meta nga detyra duket se është më afër se kurrë. Pas dy ditësh diskutimesh intensive, dje Komisioni i Ligjeve miratoi raportin me shkeljet e presidentit Meta, të cilat, për socialistët janë garanci që Meta të shkarkohet nga posti i kreut të shtetit. Mbledhja e komisionit ka nisur në orën 11:00 të paradites së djeshme siç edhe ishte njoftuar, ndërsa vetë zoti Meta edhe pse ishte ftuar për të dhënë sqarime refuzoi të ishte i pranishëm, me arsyetimin se nuk kishte kohë të mjaftueshëm për t’u përgatitur për mbrojtjen dhe se kishte axhendë të ngjeshur që nuk mund ta anulonte apo anashkalonte.
“Ligjet” miratojnë raportin me shkeljet e Metës
Por mungesa dhe refuzimi i Metës për të dëshmuar para deputetëve të Komisionin të Ligjeve, nuk ka ndikuar aspak, përkundrazi, ligjvënësit kanë shpërthyer në akuza të forta në adresë të Presidentit të Republikës, pasi në rrafshin institucional axhendë më të rëndësishme se Kuvendi nuk ka. Ka qenë relatorja në Komisionin e Ligjeve e kërkesës së 49 deputetëve për shkarkimin e presidentit, Klotilda Bushka, e cila theksoi se Meta ka bërë shkelje flagrante para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit. “Kërkesa është në përputhje me bazën ligjore. Sa i përket çështjeve substanciale Presidenti i Republikës ka bërë shkelje të rënda në Kushtetutë. Kërkesa për shkarkim është një panoramë e qartë e të gjitha shkeljeve që listohen atje dhe kanë të bëjnë me shkelje flagrante para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit”, deklaroi Bushka. Ndërsa kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja shkoi më tej pasi akuzoi presidentin Meta, duke thënë se ky i fundit synonte që të nxjerrë jashtë afateve punën e Kuvendit për shkarkimin e tij, referuar datës 10 që ai ngulmonte të dëshmonte. “Metës jo se nuk i ka mjaftuar koha, por ai duke kërkuar datën 10 maj, ka kërkuar që kërkesën e deputetëve ta nxjerrë jashtë afatit. Pra presidenti ka tentuar që të pengojë qëllimisht punën e Komisionit të Ligjeve”, deklaroi Manja. Kujtojmë që këtë kleçkë dhe skenar të Metës e zbuloi e para gazeta “SOT” dhe që e publikoi në numrin e djeshëm për lexuesit. Ndërkohë pas diskutimeve, kreu i komisionit, Ulsi Manja ftoi deputetët që të votonin, ku me 14 vota pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim, Komisioni i Ligjeve ka miratuar propozimin për Kuvendin e Shqipërisë, lidhur me ngritjen e një Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Anëtarët e komisionit hetimor
Ky raport me 41 faqe që evidenton gjithë shkeljet e presidentit Meta do të votohet në seancën e sotme plenare. Pra, me votimin që pritet të ndodhë sot në Parlament gjatë seancës plenare, pritet t’i hapet rruga ngritja e komisionit që do të hetojë shkeljet e kryera nga Meta, sipas mazhorancës socialiste. Sipas burimeve, Komisioni Hetimor do të drejtohet nga Alekt Hyseni, ndërsa anëtarë do të jenë: Myslym Murrizi; Klotilda Bushka; Vasilika Hysi; Elena Xhina; Spartak Braho; Halil Jakimi Nikolin Staka dhe Arlind Çaçani. Ndërsa anëtarë zëvendësues do të jenë: Ermonela Felaj;
Xhemal Qefalia dhe Eugen Bojaxhi. Ky Komision pritet që brenda rreth 1 muaji të faktojë shkeljet e presidentit dhe në fund të kërkoj shkarkimin e tij. Ata që do vulosin shkarkimin E Metës do të jenë emrat e mësipërm.
Meta refuzon Komisionin e Ligjeve
Nga ana tjetër, vlen të theksohet fakti se mungesën në komision, presidenti Meta e justifikoi me faktimin se ka një axhendë të planifikuar dhe s’mund ta anulonte. Meta i ka kthyer përgjigje me anë të një njoftimi komisionit, ku ndër të tjera thekson se nuk mund të jetë në seancë edhe për faktin se iu la vetëm një ditë kohë të përgatitej për të dëshmuar, por shtoi se është i gatshëm për të shkuar në 10 maj “Ditën Kombëtare të Drejtësisë”. “Të nderuar anëtarë të Komisionit, Procese apo nisma të kësaj natyre, megjithëse janë iniciuar përmes urdhrave politikë që synojnë të shmangin vëmendjen nga parregullsitë që partia në pushtet ka shkaktuar në këtë proces zgjedhor, ju si Komisioni i Ligjeve, keni detyrimin që të qëndroni në lartësinë e detyrës që mbani, e që të kujdeseni që asnjë garanci dhe kërkesë e Kushtetutës dhe e ligjit të mos shkelet, por të respektohet”, shkruan ndër të tjera Meta.








































