Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka nisur masat ndëshkuese ndaj prokurorëve që zvarrisin hetimet. Prokurori Çela i ka kërkuar Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë hetim, për prokuroren e Elbasanit, Armanda Xhaferri, për zvarritje të hetimeve. Përmes një njoftimi nga Prokuroria, bëhet me dije se Çela i ka kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nisjen e procedurës së inspektimit për hetimin e shkeljeve të kryera në ushtrimin e detyrës nga ana e prokurores Armarda Xhaferri. Rasti për Xhaferrin, e cila është prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, është ndjekur nga ana e Sektorit të Monitorimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, pas marrjes së informacioneve se prokurorja ka zvarritur hetimet dhe është kërkuar që ky rast të ndiqet dhe të monitorohet. “Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, bazuar në ligjin nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, në datën 05.05.2021 i ka kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nisjen e procedurës së inspektimit për hetimin e shkeljeve individuale të kryera në ushtrimin e detyrës nga ana e prokurores Armarda Xhaferri në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan. Pas informacioneve të marra për zvarritje të veprimeve procedurale në hetimin e procedimeve penale nga ana e prokurores, Sektori i Monitorimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka vijuar me ndjekjen dhe monitorimin e rastit, duke konstatuar veprime të cilat mund të përbëjnë shkelje disiplinore në ushtrimin e detyrës nga ana e prokurores Xhaferri në lidhje me funksionin e saj si magjistrat sipas nenit 102 pika 1 shkronja “e” të ligjit 96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ndryshuar me ligjin nr. 48/2019”, thuhet në njoftim.
185 ankesa të bëra nga institucionet
Ndërkohë, një pasqyrë më e qartë e ankesave të bëra, është bërë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë në raportin që ka bërë për vitin 2020. Në raport bëhet me dije se, ky institucion ka kërkuar nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme që të përcjelljen pranë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë të gjitha ankesat e depozituara për shkelje të pretenduara të kryera nga ana e magjistratëve. Në këto kërkesa përfshihen, dosje disiplinore në proces hetimi, problematikat e konstatuara që kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrave funksionale të zyrës së ILD si edhe çdo çështje tjetër lidhur me inspektimet tematike dhe institucionale. Në raportin e ILD, theksohet se pranë këtij Inspektorati janë depozituar në total rreth 3.054 ankesa, para si edhe pas datës 1 shkurt të vitit të kaluar. Nga këto ankesa të depozituara, thuhet se 185 ankesa janë bërë nga institucionet e tjera për njerëzit e drejtësisë, ndërsa bëhet me dije edhe numri i ankesave të depozituara nga qytetarët si edhe nga organizata të tjera. “Për periudhën shkurt dhjetor 2020 pranë zyrës së Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë janë depozituar në total 3.054 ankesa nga të cilat: 2.104 ishin ankesa të regjistruara para datës 1 shkurt 2020, të cilat u transferuan në dy faza. 950 ankesa të transferuara pas datës 1 shkurt nga të cilat, 756 ankesa nga qytetarët, 185 ankesa nga institucionet e tjera, 9 ankesa nga organizata të tjera”, thuhet në raportin e ILD.








































