Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken gjatë turit të vizitës së tij në Europë, ka vizituar ditën e djeshme edhe Ukrainën. Gjatë vizitës së tij zoti Blinken ka takuar presidentin Volodymyr Zelenskiy, kryeministrin Denys Shmyhal dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba. Qëllimi i vizitës së Sekretarit të Shtetit, në Ukrainën e tensionuar për shkak të përqendrimit për një kohë të gjatë të trupave ushtarake ruse në kufi me të në rajonin e aneksuar të Krimesë, ishte që të tregohej dhe të theksohej mbështetja e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës përballë agresionit të vazhdueshëm të rus. “Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për veprimet e vazhdueshme agresive të Rusisë dhe retorikën kundër Ukrainës, përfshirë praninë e rritur të trupave ruse në Krimenë e pushtuar dhe përgjatë kufijve të Ukrainës. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të monitorojnë nga afër situatën”, thuhet në deklaratën për shtyp të zotit Blinken. Sekretari amerikan ka bërë me dije se Ukraina është duke u përballur me dy “armiq”, me agresionin nga jashtë që vjen nga Rusia dhe tjetra nga agresioni nga brenda, që vjen nga korrupsioni, oligarkët dhe të tjerët që po vendosin interesat e tyre përpara atyre të popullit ukrainas.
SHBA Rusia nuk do ngelet pa përgjigje
Në një intervistë të dhënë për gjigantin mediatik “BBC”, Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken ka bërë me dije se SHBA është tepët e vëmendshme për gjithçka që po ndodh në lidhje me opozitari Aleksei Navalny dhe ka sqaruar se edhe pse do të dëshironin një marrëdhënie të qendrueshme me shtetin rus, vendi i tij do t’i përgjigjet akteve të pamatura dhe agresive nga Rusia. Blinken sinjalizoi se Ukraina është një përparësi e lartë për politikën e jashtme të Presidentit Joe Biden. Vizita e tij ishte parashikuar shumë në Ukrainë, me shpresat për ndihmë të shtuar ushtarake dhe mbështetje të fortë për anëtarësimin në NATO që u shprehën në vijat e para të betejës kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje dhe në sallat e qeverisë në Kiev. Një nga temat e takuara në Kiev, është edhe mbështetja ekonomike që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës, duke bërë një llogari rreth më shumë se 4.6 miliardë dollarë në ndihmë totale, asistencë në fushën e sigurisë dhe nevoja që nuk lidhen me sigurinë, duke filluar që nga viti 2014. Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se kërcënimi rus ndaj vendit të tij vazhdon të jetë i pranishëm. Sekretari i Shtetit Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë krenare që e kanë mbështetur Ukrainën përballë agresionit rus. “Mund t’ju them zoti president, se ne qëndrojmë me forcë krah jush, ashtu si edhe partnerët tanë. Këtë mesazh e kam dëgjuar kur isha në NATO para dy javësh”, tha ai. Blinken tha në Kiev, se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të forcojnë partneritetin me Ukrainën në mënyrë që ajo të mbrojë veten kundër agresionit rus. Ai gjithashtu do t’i bëjë thirrje Rusisë të mbështesë angazhimet e saj sipas marrëveshjeve të Minskut për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainën lindore. “Jemi të vetëdijshëm që Rusia ka tërhequr disa forca nga kufiri i Ukrainës, por atje vazhdojnë të mbeten forca të konsiderueshme Shërbimi ynë i zbulimit njoftoi se vetëm 3,500 ushtarakë (rusë) filluan të tërhiqen dhe të largohen nga territori i pushtuar i gadishullit të Krimesë. Nuk shohim ndonjë rënie tjetër”, vuri në dukje zoti Blinken. Në fund të muajit të kaluar, zyrtarë të lartë amerikanë dhe të Bashkimit Evropian thanë se rreth 150 mijë forca ruse ishin mbledhur përgjatë kufirit të Ukrainës dhe në Krime. Edhe Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba ka pritur në takim zotin Blinken, dhe theksoi se forcimi i lidhjeve mes Ukrainës dhe SHBA-së si aleatë demokratikë në rajonet e Evropës Qendrore dhe Detit të Zi sigurojnë kontribut të rëndësishëm për sigurinë dhe prosperitetin e popujve të të dy vendeve dhe për rajonin euroatlantik.







































