Google search engine
Home Politike Vrasja e Xhuvanit në Elbasan/ SHÇBA procedon 2 zv/drejtorët e policisë dhe...

Vrasja e Xhuvanit në Elbasan/ SHÇBA procedon 2 zv/drejtorët e policisë dhe 8 efektivë, nuk vepruan për të parandaluar ngjarjen

0
276

Dy zëvendësdrejtorë të policisë dhe 8 efektivë të tjerë janë proceduar dje nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, lidhur me vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, ngjarje e ndodhur paraditen e 21 prillit. Hetimet për rastin në fjalë po kryen në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit ndërsa sipas të dhënave, vrasja mund të ishte shmangur nëse do të kishte pasur reagim më të shpejtë nga ana e zyrtarëve. Pasi theksojmë se këta të fundit, në momentin e vrasjes kanë qenë në vendngjarje. Sakaq kujtojmë se gjykata ka lënë në burg autorin e dyshuar për vrasjen, Arbër Paplekajn. Paplekaj akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese dhe vjedhje me armë. Ai ka folur pak në sallën e gjyqit ku është shprehur se është i tronditur, pasi në ngjarje ka humbur jetën një person. Ndërsa, janë lënë në “Detyrim paraqitje”, A. Hoxha, P. Vuksani, E. Prenga, J. Mataj, E. Guga, E. Demushi, T. Ymeri, R. Xhepa, N. Kasma, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë së personit e kryer me dhunë në bashkëpunim”. Po ashtu është dhënë “Detyrim paraqitje” edhe për E. Bekon, i akuzuar për moskallëzim krimi, ndërsa vijon të jetë në kërkim K. Xhaferri. Referuar hetimeve nga prokuroria mësohet se këta të fundit, vullnetarë të Partisë Demokratike bllokuan makinën e Mehmet Grecës para përplasjes me armë, me dyshimet se aty kishte karta identiteti dhe para me të cilat bliheshin vota. Prokurori tha se në makinën e Grecës më pas u gjet një listë me emra të votuesve të regjistruar me shkrim dore, ndërsa në makinën e K. Xhaferrit janë gjetur 19 fotokopje të kartave të identitetit të qytetarëve të Elbasanit.
Dëshmia e Paplekajt
Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar disa ditë më parë, i arrestuari Paplekaj është shprehur i tronditur për humbjen e jetës së një personi. Ai nuk ka pranuar të japë shpjegime të mëtejshme, dhe se nuk ka dijeni se në ç’rrethana ndodhet familja e tij dhe katër fëmijët. Ndërsa ka shtuar se është betuar për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe se nuk e mendonte se do të gjendej në një situatë të tillë. “Duke qenë se jam tepër i tronditur nga ngjarja e ndodhur për shkak të humbjes së jetës së një personi dhe se nuk kisha menduar ndonjëherë se do të gjendesha në një situatë dhe rrethanë që të rrezikoja jetën e dikujt për shkak se unë jam i trajnuar dhe i betuar për mbrojtjen e jetës së qytetarëve pavarësisht rrethanave ekstreme në të cilat jam ndodhur për të reaguar në mbrojtje të vetes dhe personave me të cilët isha nuk ndryshon dhimbjen dhe tronditjen që kam. Po kështu duke qenë në kushtet e ndalimit dhe nuk kam dijeni se në ç’rrethana ndodhet familja ime dhe katër fëmijët që unë kam për këto arsye unë nuk jam i qetë për të dhënë shpjegime në këto momente”, mësohet të ketë thënë ai.
Vrasja e Pjerin Xhuvanit
Ngjarja e rëndë u regjistrua më 21 prill, ku Xhuvani u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, E. Prenga, P. Vuksani, E. Bodinaku dhe Xh. Sota punonjëse e policisë. Pak orë pas ngjarjes, Paplekaj pranoi krimin dhe u dorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që po blinin vota. Ndërsa theksojmë sërish se, ngjarja në fjalë zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një strukture të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here