Google search engine
Home Politike Rama dhe Basha takohen në Rinas, intensifikohen lëvizjet për bashkëqeverisje, komisioneri Varhelyi...

Rama dhe Basha takohen në Rinas, intensifikohen lëvizjet për bashkëqeverisje, komisioneri Varhelyi vizitë blic në aeroport

0
261

Shtohen sinjalet se vendi mund të shkojë drejt një qeverie me bazë të gjerë. PD i humbi zgjedhjet dhe pavarësisht kontestimeve, denoncimet e bëra nuk pritet të sjellin ndryshim rezultati. Nga ana tjetër, PS pavarësisht fitores duket e gatshme për të bashkëpunuar me PD. Para zgjedhjeve Basha e mohonte një gjë të tillë, por tani pas zgjedhjeve nuk ka folur fare. Por dje ka ndodhur një situatë që ka shtuar dyshimet se në prapaskenë po gatuhet diçka, ndoshta kjo dhe me ndihmën e ndërkombëtarëve. Dje në Rinas erdhi Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili pati takime me kryeministrin Edi Rama dhe me liderin e opozitës, Lulzim Basha. Por ka pasur zëra dhe për një takim të mundshëm Rama-Basha me negocimin e komisionerit. Më konkretisht, fillimisht ishte Rama ai i cili mbërriti në Rinas dhe u takua me komisionerin. Më pas ata dolën në një deklaratë për mediat. Pak pas nisjes së konferencës aty u paraqit edhe kryedemokrati Basha, i cili qëndroi në pjesën VIP. Pasi mbaroi konferenca e shtypit, komisioneri shkoi të takonte Bashën, por ishte mister se ku shkoi Rama. Gjatë gjithë kësaj kohe kryeministri qëndroi në aeroport dhe nuk u largua. Ndërsa ajo që i shtoi akoma dhe më tej dyshimet ishte se Rama e Basha dolën nga e njëjta derë dhe u larguan njëri pas tjetrit. Pyetja që shtrohet është: A ka pasur takim mes tyre dhe a po negociohet nga ndërkombëtarët për bashkëqeverisje? Dyshimet janë që po.

Reagon PD

Lidhur me këto dyshime të ngritura dje ka reaguar edhe Partia Demokratike, e cila sigurisht e ka mohuar që të ketë pasur një takim mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Sipas PD, këto lajme janë të sponsorizuara nga qeveria. “Nuk ka pasur asnjë takim midis Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Kjo është një gënjeshtër tjetër për të mbuluar vjedhjen më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë nga Rama-Doshi-Rakipi dhe bandat e tyre”, deklaron PD.

Qëndrimet e PS

Ditën e djeshme ishte kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ai i cili tha për mediat se ftesa e PS për Bashën qëndron. Duke folur në kuadër të Ditës së Dëshmorëve, Balla deklaroi se ndan të njëjtat qëndrime me kryeministrin Rama. “Sot është dita e dëshmorëve dhe s’është dita të merremi me opozitën, ajo që tha Rama është se gjatë këtij mandati të ri do kemi një qasje tjetër me opozitën dhe do të punojmë sa më shumë për punët e rëndësishme që na presin dhe opozita ka rolin e saj të pazëvendësueshëm në shumë reforma të rëndësishme që duhet të çojmë përpara dhe kontributi i tyre në Kuvend është i mirëseardhur”, tha ai. Në të njëjtën linjë ishte dhe ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali. Ajo tha se PS nuk ka asnjë limit në bashkëpunimin me PD. “Ne nuk kemi as kufi as tavan, ne kemi thënë jemi të gatshëm pa asnjë kufizim. Nuk ka mure për këtë bashkëpunim sepse besojmë që në një mandat kaq të rëndësishëm drejt integrimit ne duhet të ndalim komunikim banal të politikës. Politika e brendshme i ka marrë Shqipërisë më shumë se sa i ka dhënë. Pra duhet të jetë klima e duhur politike në vend, sepse një investitor i madh nuk vjen në një vend ku kërcet krimi edhe dhuna”, tha ajo. Pra duket se zërat për bashkëqeverisje po shtohen nga dita në ditë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here