Google search engine
Home Aktualitet Në kërkim për disa grabitje e plagosjen në Allias, arrestohet nga policia...

Në kërkim për disa grabitje e plagosjen në Allias, arrestohet nga policia Markeljan Cungu, “mjeshtri” i vjedhjeve

0
331

Arratia e 24-vjeçarit Markeljan Cungu, i shumëkërkuar për grabitje e plagosje në Allias, ka marrë fund dje pas arrestimit të tij nga autoritetet policore. I riu i cili ndër vite ishte kthyer në makth për banorët e kryeqytetit e sidomos për pronarët e vilave në periferi, akuzohet për 4 vepra të rënda penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”. Vepra për të cilat më herët Gjykata e Tiranës ka vendosur ndaj tij 25 vite burg në mungesë. Ashtu sikurse “profesionist” në grabitje, i riu ia doli të kalonte edhe përtej kufijve çfarë detyroi Policinë e Shtetit ta shpallte në kërkim ndërkombëtar. Ai u arrestua nga policia e Kosovës, ku fshihej prej disa muajsh dhe ditën e djeshme është ekstraduar drejt vendit tonë ku do të vuajë dënimin e përcaktuar nga Gjykata e Tiranës. Sakaq, referuar hetimeve Cungu konsiderohet si autor i qindra vjedhjeve të ndodhura në Tiranë. Ku e fundit ishte ajo e 19 janarit 2020 në zonën e Alliasit, ku mbetën të plagosur me armë zjarri një çift. Cungu në bashkëpunim me Fatjon Mërtënikajn, hynë për të grabitur në rrugën “Njazi Meka”, por u pikasën me pronarin e banesës dhe bashkëshorten e tij. Me vete kanë pasur një automatik dhe një pistoletë dhe për shkak se janë ndjerë nga pronari i shtëpisë, mes dy grabitësve dhe Petrit Lazes ka filluar përleshja në korridorin e shtëpisë. Sipas policisë, Cungu ka qëlluar me automatik në drejtim të Petrit Lazes, duke e plagosur rëndë me një plumb në bark, ndërsa më pas edhe bashkëshorten. Të rinjtë në fjalë të akuzuar për grabitje masive, janë persona të njohur për drejtësinë, pasi rezultojnë të dënuar më herët. Ndërsa Mërtënikaj ka qenë i dënuar më parë për prodhim dhe shitje narkotikësh.
Ja si ra policia në gjurmët e Cungut, për plagosjen e çiftit Laze
Në regjistrat e komisariateve të policisë së Tiranës 24-vjeçari Cungu, rezulton i dyshuar për një numër të konsiderueshëm grabitjesh, kryesisht gjatë kohës kur ishte minoren. Sakaq për grabitjen e armatosur të ndodhur mesnatën e 19 janarit, ku mbetën të plagosur Afërdita dhe Petrit Laze, ka qenë një analizë ADN-je ajo që ka sjellë zbardhjen e ngjarjes. Prokuroria për kryerjen e kësaj analize ka arritur të marrë kampionin e pështymës në një nga maskat e gjetura disa metra larg banesës së çiftit. Sakaq në zbardhjen e dinamikës dhe planit të grabitjes ka ndihmuar edhe dëshmia e bashkëpunëtorit, Fatjon Mërtënikaj. Ky i fundit, i cili është arrestuar pak ditë pas ngjarjes, ka kallëzuar para uniformave blu se plani për grabitjen e çiftit Laze është thurur nga Cungu. Gjithashtu ai ka deklaruar se edhe armët ishin siguruar nga 24-vjeçari, ku automatikun e kishte mbajtur vetë, ndërsa pistoletën Cungu. Ndër të tjera, gjatë rrëfimit në polici, 28-vjeçari ka treguar se Markeljan Cungu, i kishte thënë që të shkonin të vidhnin një banesë, pasi aty nuk kishte njeri. Ky i fundit ka shtuar se ditën e ngjarjes ishin veshur me përparëse grash ngjyrë të zeza dhe me maska. Pikërisht në njërën prej këtyre maskave të sekuestruara jo shumë larg vendit të ngjarjes, policia ka arritur të nxjerrë kampione pështyme, ku pas analizave në laboratorin e policisë shkencore është arritur të identifikohen dy autorët e disa grabitjeve të bujshme në Tiranë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here