Kur kanë mbetur dhe 5 xhiro deri në fund, në Superiore po evidentohet disa fakte që vlejnë për krejt sezonin. Së pari është partizani ekipi më i konsoliduar, dëshmuar me balancimin e treguesve sportivë dhe një organizim shumë i mirë, që e ka mbajtur atë në nivele të larta, duke sfiduar edhe vështirësitë me të cilët u përball klubi në fillim të edicionit për pamundësinë e bërjes së merkatos si pasojë e çështjes “Çinari”. Por edhe ekipet e tjera kanë surpriza, sidomos Laçi, “Macja e zezë” e Superligës, e cila ndeshjet brenda fushe i ka të garantuara, pasi nuk e njeh disfatën. Sipas analizës që bën edhe “Supersporti”, nëse në futboll do të ekzistonte një rregull që do ta lejonte një skuadër ti luante te gjitha takimet në shtëpi, me siguri qe Laçi do kishte në muze të paktën 2 apo 3 tituj kampion. Dikur ka qenë një fushë e nxehtë ku vështirë se mund ta merrje fitoren pa derdhur çdo grimcë energjie, tashmë stadiumi i Laçit nuk është më një makth për kundërshtarët, por mbetet një kështjellë që kërkon shumë përqendrimin, energji dhe ndoshta edhe pak fat për ta pushtuar. Bardhezinjtë edhe ndaj Kukësit në atë fitore 2-0 me protagonist Regi Lushken në ndeshjen numër 188 me Laçin, treguan se sa komod ndjehen kur luajnë në stadiumin e tyre, pavarësisht se fenomenin tifozeri e kanë zbehur masat anti-Covid. Laçi është skuadra më e mirë e Superiores për ndeshjet në shtëpi. Kamë fituar më shumë se çdo ekip tjetër në ndeshjet brenda, 9 takime dhe trajneri Shpëtim Duro pavarësisht mungesës së gjatë të goledaorit Nuabuezes në këtë edicion, ka gjithsesi sulmin më të mirë për ndeshjet në shtëpi me 27 gola të shënuar. Vetëm 1 humbje në 13 takimet e fundit në shtëpi dëshmojnë ecurinë pozitive të kurbinasve. Problemi i vetëm është që kalendari historik i futbollit ka edhe ndeshje jashtë, aty ku ekipet janë të detyruara të udhëtojnë e ku deri më tani Laçi ka grumbulluar 21 pikë duke u pozicionuar momentalisht ne vendin e 5-të. Në 5 takimet e fundit, bardhezinjtë 2 herë do luajnë në ambient familjar e 3 herë do të zbresin në fushë në transfertë. E thënë kjo “sindroma e shtëpisë”, nuk i ka penguar, përkundrazi i ka ndihmuat kurbinasit të jenë plotësisht të përfshirë në betejën për titullin kampion.
Partizani klubi më i qëndrueshëm, prandaj është favorit
Nëse Partizani do ta fitojë derbin me Tiranën, atëherë ai është favoriti kryesor për ta fituar titullin kampion në Kategorinë Superiore të këtij edicioni. Ndryshe nga Laçi që është i papërmbajtur në ndeshjet brenda fushe, Partizani është skuadër e konsoliduar dhe e balancuar. E konsoliduar pasi i funksionojnë në mënyrë të harmonishme repartet dhe kanë qëndrueshmëri në lojë e rezultate, ndërsa duket edhe klubi më i balancuar pasi këtë edicion është shfaqur më profesionist se të tjerët në organizim e për pasojë ka qëndrueshmëri në të gjitha aspektet, duke qenë skuadër dalluese e kampionatit. Valentino Murataj, mesfushori që iu bashkua Partizanit në merkaton dimërore thekson se të kuqtë kanë besimin për të dalë kampion dhe se kjo iu vjen nga fakti që në fushë, kundërshtarët i kanë mundur me lojë dhe rezultat. Në një prononcim për mediat, ish-lojtari i Bylis, shprehet se edhe ndaj Skënderbeut, Partizani mendon vetëm për fitoren pavarësisht objektivave që kanë kundërshtarët e tyre. “Mendoj se kemi shumë kualitete në skuadër që mund ta zgjidhim ndeshjen dhe e rëndësishme është që jemi shumë grup në ndeshjet e fundit dhe kemi besim se do dalim kampion. E kam besimin te skuadra se kemi treguar çdo ndeshje që jemi më të fortë se çdo kundërshtar pasi i kemi mundur me lojë dhe rezultat. Nuk mund të tregoj për objektivat që ka Skënderbeu, mund të flasim për veten. Partizani ka objektiv të vetëm titullin kampion dhe të sulmojmë dhe luftojmë titullin dhe të marrim një fitore në Korçë. Në ndeshjet e fundit janë të rëndësishme pikët sepse edhe pesë të tilla janë”, u shpreh Murataj.








































