Komisioneri Publik ankimoi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 352, datë 1.3.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Iliba Bezati, me funksion gjyqtare në Gjykatën e Apelit Vlorë. Komisioneri Publik konstaton se, nga shqyrtimi i vendimit nr. 352, datë 1.3.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore e fakti, që e bëjnë të cenueshëm vendimin në tërësinë e tij. Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, pasi të ketë kryer vetë Kolegji një hetim dhe vlerësim të plotë të rezultateve të hetimit administrativ për subjektin e rivlerësimit, të vendosë, në mënyrë alternative, lënien në fuqi të vendimit nr. 352, datë 1.3.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ose ndryshimin e tij. “Në lidhje me vlerësimin e kriterit të pasurisë, referuar nenit D, të aneksit të Kushtetutës dhe neneve 30 – 33, të ligjit nr. 84/2016, si dhe jurisprudencës të Kolegjit, Komisioneri Publik mban në konsideratë se gjatë kryerjes së procedurave të rivlerësimit, objekti i hetimit dhe i vlerësimit të pasurisë ndaj subjekteve që i nënshtrohen këtij procesi, sipas nenit 179/b të Kushtetutës, materializohet në kontrollin e saktësisë dhe mjaftueshmërisë së deklarimeve të subjektit (“Vetting” dhe ato periodike). Në çdo rast, subjekti i rivlerësimit duhet të deklarojë tërësinë e pasurisë së tij dhe të shpjegojë bindshëm ligjshmërinë e burimit të krijimit të saj, si dhe ekzistencën e të ardhurave të ligjshme, sipas përkufizimit kushtetues”, thuhet në ankimim. Më tej IKP bën me dije se nga verifikimi i akteve rezulton se hetimi i Komisionit mbi verifikimin e burimeve të ligjshme të personave të tjerë të lidhur, burimeve që kanë shërbyer për krijimin e pasurive në pronësi apo posedim të subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur me subjektin, deklaruar kryesisht në formën e dhurimeve ndër vite, nuk paraqitet i plotë, përkundrejt rrethanave që janë konstatuar. “Në rastet e shumave të deklaruara si të dhuruara nga personat e tjerë të lidhur, në eventualitetin e konsiderimit të këtyre të ardhurave si të ligjshme, në kuptim të nenit D të aneksit të Kushtetutës, Komisioni rezulton të ketë realizuar një interpretim ligjor, si në lidhje me konsiderimin e burimit të krijimit të këtyre shumave, ashtu dhe në lidhje me konsiderimin e ligjshmërisë së tyre, lidhur me pagesën e detyrimeve tatimore. Nisur nga praktikat e mëparshme të shqyrtimit të vendimeve të Komisionit, Komisioneri Publik nënvizon se jurisprudenca e Kolegjit në lidhje me interpretimin e dispozitës së nenit D të aneksit të Kushtetutës, tashmë është e konsoliduar, duke i konsideruar si kumulative ekzistencën njëkohësisht të burimeve të ligjshme dhe pagesën e detyrimeve tatimore për shumat e rrjedhura nga burimet e ligjshme, në mënyrë që të ardhurat të konsiderohen si të ligjshme për efekt të krijimit të pasurisë nga subjektet e rivlerësimit”, thuhet më tej.









































