Google search engine
Home Politike Gjykata Kushtetuese rrëzon ndryshimet në Kodin Penal, nuk ka nevojë për leje...

Gjykata Kushtetuese rrëzon ndryshimet në Kodin Penal, nuk ka nevojë për leje për të protestuar, bien dënimet me gjobë dhe burgim

0
247

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ndryshimet në Kodin Penal, i cili parashikon dënim për këdo që zhvillon protesta pa marrë leje në polici. Tashmë, kush proteston apo organizon mitingje nuk do të ketë më detyrimin që të marrë leje nga institucionet ligjzbatuese, por thjesht duhet që t’i njoftojë ato për organizimin e protestave. Vendimi është marrë dje nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka pranuar kërkesën e Gjykatës së Apelit Shkodër dhe ka shfuqizuar nenin 262 të Kodit Penal për protestat. Gjykata ka kërkuar që neni 262 të korrigjohet brenda 6 muajsh. “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh, çështjen me kërkues Gjykatën e Apelit Shkodër, me objekt: “Shfuqizimi i togfjalëshit “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, si i papajtueshëm me nenet 17, pika 1 dhe 47 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”. Në përfundim të shqyrtimit Gjykata Kushtetuese vendosi: Pranimin e kërkesës, shfuqizimin e shprehjes “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal, detyrimin e Kuvendit të plotësojë normën ligjore nga data e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese deri në hyrjen në fuqi të tij, ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Çfarë parashikon neni 262 i Kodit Penal

Në nenin 262 të Kodit Penal parashikohet që grumbullimet dhe protestat pa marrë leje fillimisht tek organet përgjegjëse përbën vepër penale dhe mund personi mund të gjobitet me gjobë dhe dënimi mund të shkojë deri në 1 vit burg. Po ashtu, neni parashikon se edhe pjesëmarrja në grumbullime, i cili është i paligjshëm, mund të ketë dënim për personin ose deri në 3 muaj burg. Ndërsa, në rast se kjo vepër do të përsëritet më shumë se një herë përbën kundërvajtje penale dhe mund të dënohet deri në 2 vite burgim. “Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit. Pjesëmarrja në një grumbullim apo manifestim të paligjshëm dhe pas një paralajmërimi të bërë për shpërndarje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në 3 muaj. Po kjo vepër e kryer, e kryer më shumë se një herë ose kur ka sjell pasoja të rënda, përbënë kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në 2 vite”, parashikon neni 262 i Kodit Penal.

Padia

Ndërkohë, pak kohë më parë Gjykata e Apelit Shkodër i kërkoi Gjykatës Kushtetuese në janar të vitit të kaluar të shpallë antikushtetuese ndryshimet e Kodit Penal që konsiderojnë vepër penale protestat që organizohen pa leje. Ndryshimi i bërë në vitin 2017 të nenit 262 në Kodin Penal kërkon leje për organizim të protestave në të kundërtën dënohesh me gjobë ose me burg deri në një vit. Kjo është padia e dytë për ligje antikushtetuese e depozituar nga gjykatat në vend pranë Kushtetueses. Më herët ishte Gjykata e Tiranës, e cila kërkoi të shfuqizohet ndryshimi në Kodin e Procedurës penale për rishikimet e dënimeve të dhëna në mungesë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here