Google search engine
Home Sport Finale angleze në Champions League, Çelsi eliminon Realin e Madridit

Finale angleze në Champions League, Çelsi eliminon Realin e Madridit

0
342

Finalja e madhe e UEFA Champions League që do të luhet më 26 maj në Stamboll do të jetë e gjitha angleze. Në finale do të përballen Çelsi dhe Mançester Siti, skuadra që ia dolën të shkojnë deri në këtë finale të madhe. Çelsi eliminoi mbrëmë në gjysmëfinale Realin e Madridit, me rezultatin e pastër 2-0, duke bërë surprizën e madhe në Ligën e Kampioneve të këtij edicioni. Çelsi dhe Reali i Madridit e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë, duke pasur ambicie të qarta për finale. Natyrisht, të hapur mundësinë e kualifikimit e linte veçanërisht rezultati i duelit të parë të luajtur në Madrid e të mbyllur në barazim, 1-1. Takimi i mbrëmshëm kishte favorit skuadrën e Realit, e cila ka eksperiencë të madhe në Champions dhe e aftë me lojtarët që ka në dispozicion të bëjë në çdo kohë diferencën. Gjithsesi, anglezët u treguan mjaft të matur në veprimet e tyre gjatë pjesës së parë, duke siguruar një profil të lartë prezantimi, për t’i bërë ballë si duhet skuadrës së Zinedin Zidanit. Në fakt, në pjesën e parë statistikat e lojës ishin më të mira për spanjollët, që dominuan veçanërisht në kontrollin e topit me mbi 65% por edhe me goditje drejt kuadratit. Por diferencën në rezultat do ta bënin anglezët, pasi në minutën e 28-të Timo Verner e vëri si duhet detyrën, duke u treguar mjaft agresiv në veprimet e tij e mjaft i shpejtë dhe duke shënuar për Çelsin. Edhe pse “Los Blancos” e rritën shumë lojën e tyre në fazën ofensive, rezultati në pjesën e parë nuk ndryshoi, pra 1-0 për anglezët. Në pjesën e dytë Reali u përpoq të ndryshonte diçka në lojën e tij, në aspektin sulmues, me shpresën se do ta kthente rezultatin. Kurse Çelsi, në epërsi të një goli mendoi të mbrohej me kujdes e të shfrytëzonte kundërsulmin. Dhe taktika e ndjekur nga trajneri i bluve anglezë, Tuhel, rezultoi efikase në pjesën dërrmuese të 90-minutëshit. Në pamundësinë për të gjetur rrugën e rrjetës, trajneri i Realit, Zidane, tentoi të nxjerrë para portës edhe mesfushorët dhe mbrojtësit, sepse mbulimi që u bëri rivali ishte mjaft i rreptë. Për minuta të tëra Reali vërtitet në kufijtë e zonës së Çelsit, në kërkim të golit, por goli po vononte të vinte. Dhe rregulli i pashkruar në futbollit që “po nuk shënove do ta pësosh”, mori jetë mbrëmë në fundin e takimit, pasi në minutën e 85-të Mount, i cilësuar edhe si çelësi i suksesit të bluve në këtë edicion të Champions, shënoi golin e dytë për anglezët dhe ky gol i vrau përfundimisht shpresat e Realit për të shkuar në finale. Ishte një asist i Pulisiç që e nxori Mount në pozicion të favorshëm dhe ai nuk e pati aspak të vështirë të dërgonte topin në rrjetë. Nuk kishte më kohë dhe për Realin thuajse kishte përfunduar gjithçka. Skuadra madrilene kthehet duarbosh në shtëpi, e eliminuar, ndërsa në finale shkon Çelsi, skuadra që as llogaritej fare në fillim të sezonit, por me punë dhe besim ia doli e tani do të kemi një finale angleze në mbrëmjen e 26 majit në Stamboll, pikërisht Çelsi-Mançester Siti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here