Aleatët nuk i dhanë mbështetjen e nevojshme Partisë Demokratike. Ashtu sikur herët e tjera edhe në këto zgjedhje Partia Demokratike u bë pjesë e garës në aleancë me një sërë kandidatësh që i përkisnin partive të vogla. Në nisjen e garës ata ishin të bindur se kjo aleancë do të fitonte zgjedhjet e 25 prillit dhe do të mundte kandidatët e Partisë Socialiste, por të dhënat e publikuara deri më tani tregojnë se ata dështuan. Aleatët e vegjël kanë marrë shumë pak vota duke e dëmtuar kështu më shumë PD, në vend që ta mbështesnin për të arritur fitoren, duke treguar kështu se kjo aleancë nuk ka qenë e duhura dhe bashkëpunimi i tyre nuk ishte fuqi. Referuar të dhënave të KQZ, aleatët e PD kanë pësuar dështim total në qarkun e Tiranës, ata nuk kanë arritur të thyejnë herësin për të siguruar një mandat. Sipas të dhënave më pak i votuari në këtë qark ka qenë Vangjel Dule me afro 800 vota, i ndjekur nga Mesila Doda, e cila ka marrë disa vota më shumë por aspak kontributive për aleancën dhe pas saj vjen Artur Roshi. Numër të vogël votash ka marrë edhe kryetari i LZHK, Dashamir Shehi, i cili ka siguruar vetëm 4920 vota. Gjithashtu as Shpëtim Idrizi i PDIU dhe Korab Lita i BLD nuk e thyen herësin për mandat. Idrizi mori rreth 7 mijë vota. Ndërkohë edhe aleatët e tjerë po në këto linja kanë qëndruar, ku përmendim Fatmir Mediu i PR mori mbi 6 mijë vota. Gjithashtu nuk morën numër të konsiderueshëm votash as aleati i FRD Sali Sheu, i cili renditet si një nga kandidatët më të dobët në këto zgjedhje dhe as Petrit Doda që mori rreth 5 mijë vota.
Ndoka dështon në Shkodër
Më e thellë ka qenë humbja në Shkodër, ku të gjithë aleatët kanë mundur të sigurojnë vetëm 47 mijë vota. Ajo që bie në sy është se, kandidati ku PD kishte më shumë shpresa, Nard Ndoka ka marrë vetëm 228 vota. Si kryetar i Partisë Demokristiane ai bëri aleancë me Bashën dhe kërkoi mandat në Shkodër me bindje se aty do të dalë fitimtar. Por, Ndoka jo vetëm që nuk arriti të siguronte dot asnjë mandat, por është kandidati në listën e këtij qarku që i dha më pak vota PD. Nga të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vërehet se edhe kandidatë që janë më të rinj në politikë kanë fituar simpatinë e popullit shkodran dhe kanë marrë dy herë më shumë vota se Ndoka. Asnjë nga të gjithë kandidatët që Aleanca për Ndryshim vendosi në listën e Shkodrës nuk arriti të thyejë herësin dhe të marrë një mandat. Gjithashtu, aleatët e Bashës dolën dobët në numrin e votave edhe në qarkun e Elbasanit. Përmendim këtu kandidaten Lumturie Hasa nga PDIU, e cila ka kontribuar vetëm me 1908 vota për Aleancën.
Reagimet pas humbjes
Disa nga aleatët e Bashës kanë dhënë reagimin e tyre menjëherë pasi PS shpalli fitoren. I pari që ka reaguar ishte kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili e quajti 25 prillin si ditën e zezë për qytetarët. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mediu shkruan se opozita duhet të nxjerrë përgjegjësitë e veta për qëndrimet e saj dhe mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit të koalicionit. “25 Prilli është një ditë e zezë në kombin shqiptar! Edi Rama e vodhi këtë mandat mbi blerjen masive të votave, duke përdorur grupet kriminale, administratën publike, policinë dhe strukturat e drejtësisë, si dhe vjedhjen e të dhënave personale. Megjithatë opozita duhet të nxjerrë përgjegjësitë e veta për qëndrimet e saj dhe mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit të koalicionit”, shkruan Mediu në rrjetet sociale. Ndërsa ka pasur zëra nga kandidatët që ishin pjesë e PD se humbja erdhi për shkak se aleatët nuk sollën asgjë produktive dhe nuk bashkëpunuan si duhet në organizim dhe strategji.










































