Partizani barazim spektakolar me Laçin, zv/trajneri Bozhiqi qëllohet me shishe në Kurbin

0
246

Partizani luajti si në luftë ditën e djeshme në Kurbin, duke dalë me një pikë pas barazimit 2-2 por ndeshja do të komentohet gjatë për golat e anuluar, penalltitë e pretenduara nga “demat” dhe natyrisht për goditjen që pësoi zv/trajneri Bozhiqi, i goditur me shishe në kokë nga vendasit. Barazim që u dha Partizanit e Laçit nga një pikë, që nuk i kënaq asnjërën në renditje, pasi Teuta ka rimarrë kreun pas fitores së djeshme kundër Kukësit. E megjithatë, gara mbetet e hapur.

Ndeshja

Takimi i djeshëm në Kurbin nisi me vonesë për shkak të pranisë së disa tifozëve në tribunë, që refuzon të dilnin jashtë. Pa pasi gjyqtari vërshëlleu për nisjen e takimit, Laçi arrin të shënojë me Deliun, por dukshëm në pozicion jashtë loje. Provon pak më vonë Lushkja me një gjuajtje të fortë, që e gjen në pozicion Teqjen. Zhbllokohet sfida në minutën e 8-të me një gol fluturimthi të Partizanit. Pas ekzekutimit të këndores nga Asani, Bardhi kontrollon topin në zonë, godet, por pret Sherri, aty përfiton Çinari që në një mënyrë disi të çuditshme arrin ta shtyjë topin drejt rrjetës, 0-1. Shkodrani i afrohet golit të dytë personal në të 10’, por goditja e tij është shumë qendrore për të vënë në vështirësi Sherrin. Shënon një minutë më vonë Stenio Junior, por kryesori e anulon golin për ndërhyrje të gabuar të Çinarit ndaj portierit. Ekuilibrat në rezultat rikthyen në minutën e 18-të, kur pas një harkimi perfekt të Markut nga e djathta, Musta i rrëmben kohën Malës dhe nuk i jep asnjë mundësi reagimi Teqjes, 1-1. Drithërima në portën e Partizanit në minutën e 36-të, Redon Xhixha thuajse në vijën e 16 metrave gabon shënjestrën. Pretendon 11-metërsh Stenio Junior dy minuta më vonë, por nuk është i këtij mendimi Hamiti. Çfarë humbet ish-sulmuesi i Shkëndijës së Tetovës në të 44-tën, pas asistit perfekt të Muratajt, goditja jo shumë e fortë e brazilianit shkon ngjitur me shtyllën. Pjesa e parë mbyllet me tentativën e Markut, e lehtë për t’u kontrolluar nga Teqja. Kur skuadrat po u drejtoheshin dhomave të zhveshjes, trajneri i portierëve të të kuqve, Ilir Bozhiqi, goditet me shishe uji në kokë, një gjest i shëmtuar, që mund t’i kushtojë masë ndëshkimore skuadrës vendëse.

Pjesa e dytë

45-minutëshi i dytë nis me ritëm të lartë dhe përplasje të forta, kryesisht në mesfushë. Deliu provo nga jashtë zonës në të 53’, me topin që përfundon në fundore, për të ardhur te goli i dytë i Laçit i shënuar nga Marku në të 57-tën, pas një goditjeje këndi, duke shfrytëzuar topin e mbetur pranë zonës së portierit, 2-1. Megjithatë, rastin më pastër e humbet Jurgen Bardhi në të 67-ën, pa mundur të shfrytëzojë pasigurinë e Sherrit. Daja forcën sulmin (72’) duke hedhur në fushë Tedi Carën në vend të Muratajt, ndësa Kote ul në stol Brojën. Depërton bukur në thellësi të zonës së Laçit Çinari, por tregohet i vëmendshëm Sherri, që kotrollin goditjen e shkodranit në të 78’. Vetëm pak çaste më vonë Jasir Asani bën më të mirën duke tërhequr disa mbrojtës dhe shërbyer në mënyrë perfekte në shtyllën e dytë për Stenio Junior, që nuk mund të gabonte në atë pozicion, 2-2. Partizani beson te fitorja dhe në të 86-tën Asanit i jepet mundësia për të shënuar, por nuk i jep harkimin e duhur topit. Një minutë para përfundimit të kohës së rregullt, Tedi Cara nxjerr përballë Sherrit Stenio Juniorin, prirët me portën, me portierin shkodran që shmang golin e tretë. Pretendon për 11-metërsh Julian Shehu në limitet e kohës së rregullt, por nuk mendon kështu Hamiti. Në vijim të aksionit në krahun tjetër, Çinari shkarkon të majtën nga larg, por jashtë portës. Bardhi humbet në fund të takimit një rast ideal shënimi, një rast që mund t’i kishte dhënë 3 pikë Partizanit, ndërkohë që debati rreth vendimeve të arbitrit do të vazhdojë gjatë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here