Fiks Fare transmetoi mbrëmjen e së mërkurës skemën e shit-blerjes së votës në zgjedhjet e 25 prillit. Fenomeni i shitblerjes së votës nuk mungoi as në këto zgjedhje dhe këtë e faktoi me figurë dhe audio emisioni investigativ Fiks Fare. Në ambientet e jashtme të një qendre votimi në Njësinë nr 2 Tiranë, të prezantuar si përfaqësues të LSi-së jepnin 100 mijë lekë të vjetra në këmbim të një karte identiteti.
Pas disa të dhënave që kishin gazetarët e Fiksit se pranë një QV në Njësinë nr 2 disa të rinj rrinin jashtë dhe të ofronin lekë në këmbim të kartës së identitetit, një prej gazetarëve u paraqit në ketë qendër votimi. Teksa kërkon emrin në listat e afishuara për të votuar i afrohet një person i cili e pyet nëse a ka votuar. Gazetarja i përgjigjet se nuk ka votuar ende dhe po kërkonte emrin e vetë dhe të familjarëve në list. Në këto momente i riu i prezantohet si përfaqësues i LSI-së dhe i kërkon të flasin privatisht në një ambien më pak të vëzhguar. Ai e pyet se sa veta bëhen familjarisht që kanë të drejtë vote. Gazetarja e Fiksit i përgjigjet se janë 4 veta që votojnë në familjen e saj dhe në këto momente ai i kërkon fshehtësi të plotë mbi atë që do t’i kërkojë në këmbim. Ai i kërkon që të votojnë LSI-në kundrejt pagesës.
































