I riu i cili disa ditë më parë terrorizoi kryeqytetin, pasi hyri në sheshin “Skënderbej” me shpejtësi me një automjet duke tentuar të shtypë qytetarët, ka dalë dje para togave të zeza. Ndaj tij është vendosur masa e sigurisë “Arrest me burg”, për tre akuza, tentativë vrasje në rrethana cilësuese, prodhim dhe shitje narkotikësh dhe drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt. Ndërsa për të ka dëshmuar edhe shoku i tij, i cili ka qenë ai që i ka dhënë automjetin 32-vjeçarit. S. Xhepa gjatë seancës së zhvilluar paraditen e djeshme mësohet të jetë shprehur se makinën e mori me qira dhe ia dha për një xhiro, por 32-vjeçari i arrestuar A. Mema bëri aksident. Pas aksidentit Xhepa ka dëshmuar se është larguar nga makina dhe se më pas pa ngjarjen e rëndë në televizor. “Mora makinën me qira dhe ia lash Arbenit për një xhiro. Gjatë ecjes ai humbi kontrollin dhe bëri aksident. Unë zbrita nga makina pas aksidentit, por Arbeni jo dhe vazhdoi të lëvizte me makinën e goditur. Unë ika për në shtëpi pas ngjarjes, ndërsa më vonë në TV pash ngjarjen që ndodhi tek sheshi “Skënderbej””, thuhet në dëshminë e S. Xhepës. Ndërsa pak pas ngjarjes teksa është shoqëruar në polici, 32-vjeçari A. Mema ka deklaruar se ishte nisur për të votuar dhe ka kaluar nga zona e parkut ku ka marrë 5 gramë kanabis në dy qese farmaceutike. Ndër të tjera agresori është shprehur se një pjesë prej tyre i ka pirë dhe pastaj shton se nuk e ka kuptuar si ka ndodhur ngjarja. “Dola nga shtëpia dhe para se të shkoja për të votuar, kalova te zona e parkut. Aty mora 5 gram kanabis në dy qese farmaceutike. Një pjesë e piva. Nuk e di as vetë si ndodhi sepse nuk po kuptoja asgjë. Isha në Yzberisht dhe aty më doli një makinë para e përplasa”, ka thënë ai mes të tjerash.
Agresori ishte nën efektin e kanabisit
Pas terrorit me mjet në shesh, i riu u neutralizua nga një qytetar që bëri një veprim heroik. Ka qenë 22-vjeçari, i identifikuar si Klodian Elqeni, ai i cili iu afrua automjetit të agresorit dhe e goditi atë me shqelm në fytyrë, ndërsa tha për mediat se e bëri këtë veprim pasi mendoi se bëhej fjalë për një akt terrorist. Më pas ka ndërhyrë edhe një qytetar tjetër të cilët së bashku me 22-vjeçarin, e mbajtën të bllokuar agresorin deri në mbërritjen e policisë. Sipas Policisë rezulton se agresori ishte në gjendje shumë të dehur dhe i droguar, pasi në automjet janë gjetur edhe disa doza lënde narkotike, ndërsa para se të futej në shesh, ai ka përplasur edhe disa automjete të tjera. Pas ngjarjes, dy të rinjtë që shmangën tragjedinë e mundshme, janë pritur në selinë e Partisë Socialiste nga Kryeministri Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. Sakaq heroi i ditës Klodian Elqeni ka treguar se 32-vjeçari iu vërsul njerëzve. Për këtë arsye ka ndërhyrë duke e qëlluar me dy këmbë në fytyrë nga xhami i makinës. Elqeni tha se merret prej kohësh me stërvitje. “Mendova që është akt terrorist. U frikësuam ndalëm njerëzit, por ai u vërsul drejt njerëzve, pasi u ndalua makina u afruam për të parë çfarë ndodhi. Ai ndaloi në mes të sheshit, e ktheu makinën i erdhën disa persona afër dhe se ndalën dot, pastaj u vërsul drejt njerëzve. Nuk e di se çfarë mendonte, por thjesht mu duk shumë e rrezikshme mënyra si ecte”, shtoi ai.