Google search engine
Home Politike Akuzat për shkelje gjatë zgjedhjeve/ Reagon SPAK: Nuk do të ketë asnjë...

Akuzat për shkelje gjatë zgjedhjeve/ Reagon SPAK: Nuk do të ketë asnjë hezitim ndaj kujtdo që ka blerë vota, të gjithë do mbajnë përgjegjësi

0
188

Teksa numërimi i votave të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit po shkon drejt fundit, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit shprehet se do të luftojë me zero tolerancë shkeljet e konstatuara gjatë zgjedhjeve. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, SPAK bëri dje me dije se aktualisht është duke hetuar disa raste që lidhen me shkeljet në zgjedhje, sikundër është korrupsioni aktiv e pasiv, ndërsa garanton se nuk do të ketë asnjë hezitim ndaj kujtdo që ka blerë vota. Sipas Prokurorisë së Posaçme, të gjithë personat që janë përfshirë në korrupsion pasiv dhe aktiv në zgjedhje do mbajnë përgjegjësi. “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njofton se është duke ushtruar me përparësi ndjekjen penale për rastet që lidhen me veprat penale në fushën e zgjedhjeve, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, apo ndaj subjekteve të ndryshëm, që janë kompetencë hetimi të kësaj prokurorie. Për të gjitha rastet që janë në hetim, garantojmë subjektet që kanë paraqitur kallëzimet, si dhe opinionin publik se, deri tani janë hetuar dhe në vijim do të vazhdojnë të hetohen me përparësi, me metoda proaktive, objektivitet dhe pa asnjë hezitim, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të fakteve të pretenduara dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave që mund të jenë të përfshirë në veprimtari të kundraligjshme që lidhen me veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv në zgjedhje”, thotë SPAK.

SPAK: Po hetojmë 33 dosje

Më tej Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit zbuloi se aktualisht po heton 33 dosje për krime zgjedhore. Nga këto krime, SPAK thekson se 27 i përkasin veprës penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, ndërsa 2 dosje janë për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje. “Aktualisht në Prokurorinë e Posaçme janë në hetim 33 procedime penale, të cilët janë regjistruar : 27 procedime penale për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 Kodi Penal; 2 procedime penale për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga nenet 328 dhe 328/b Kodi Penal; 2 procedime penale për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, parashikuar nga neni 328/a Kodi Penal. (E lidhur me subjekte në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme); 1 procedim penal për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga nenet 248 dhe 328 Kodi Penal; 1 procedim penal për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Përhapja e sekreteve vetjake”, parashikuar nga nenet 328 dhe 122 Kodi Penal”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Kim: Kush shkel ligjin, ndiqet penalisht

Por në lidhje me krimet zgjedhore që po hetohen nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dje ka reaguar edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim. Kjo e fundit përmes një statusi në rrjetet sociale thekson se ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar duhet të ndiqen penalisht. Madje, ambasadorja Kim iu bën apel prokurorëve të SPAK që të çojnë deri në fund hetimet për krimet zgjedhore. “Shumë mirë për të parë njoftimin e SPAK për hetimet e krimeve elektorale. Unë e kuptoj që prokurorët do të bëjnë të njëjtën gjë. Ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe duhet të ndiqen penalisht. Askush nuk është mbi ligjin”, shkruan ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here