Google search engine
Home Politike Ushtria amerikane forcon prezencën pas zgjedhjeve, vijnë gjeneralë të lartë për stërvitjen...

Ushtria amerikane forcon prezencën pas zgjedhjeve, vijnë gjeneralë të lartë për stërvitjen e NATO, veniten planet për skenarë destabilizues rusë

0
415

Rritet prezenca ushtarake amerikane në vendin tonë. Teksa na ndajnë vetëm 3 ditë nga zgjedhjet e 25 prillit dhe situata është tensionuar jashtë mase, duket se forcat e SHBA dhe të NATO do të jenë në vendin tonë edhe gjatë procesit zgjedhor. Më 26 prill nis stërvitja “Defender Europe 21”, por çdo ditë mbërrijnë në Tiranë ushtarakë amerikanë, të cilët po merren me organizimin e stërvitjes. Dje ambasada amerikane ka njoftuar se përveç ushtarëve, në Shqipëri do të vijnë edhe gjeneralë të lartë amerikanë. “Lajm i mirë: pres me kënaqësi t’u uroj mirëseardhjen disa gjeneralëve amerikanë në Shqipëri javën e parë të majit si pjesë e “Defender 21”. Ata do të jenë këtu për të vëzhguar mijëra ushtarë, detarë dhe pilotë amerikanë dhe shqiptarët, duke punuar së bashku për këtë stërvitje ushtarake historike”, njoftoi ambasadorja Yuri Kim. Ajo që bie në sy është se përveç forcave ushtarake nga shumë shtete, në vendin tonë do të vijnë dhe zyrtarë tepër të lartë të ushtrisë amerikane. Ata do të menaxhojnë stërvitjen, por pritet të kenë takime me autoritetet shqiptare. Ambasada njofton se ata do të vijnë në ditët e para të majit, fiks në periudhën kur pritet që të shpallet dhe rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit. Këto ditë cilësohen si më delikatet, pasi pala humbëse mund të mos e pranojë rezultatin. Presidenti Meta ka dhënë sinjale se nëse PS i fiton do ketë trazira, por duket se është e vështirë të shkohet te skenarët rusë të destabilizimit për sa kohë në Shqipëri do të jenë jo vetëm ushtarët amerikanë, por dhe gjeneralët më të lartë të NATO e SHBA.

Detajet e stërvitjes

Stërvitja do të zhvillohet në periudhën 26 prill-20 qershor 2021 në territorin e Shqipërisë dhe në këtë stërvitje do të angazhohen mijëra trupa nga vendet anëtare të NATO-s dhe vende të tjera aleate, 10 anije, 18 avionë, 19 helikopterë, 6 sisteme raketash patriot dhe 1.000 automjete joluftarake. Në stërvitje do të marrin pjesë forca nga Shqipëria, Turqia, SHBA-ja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kanadaja, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia dhe vende të tjera. Pra duket qartë se me një prezencë të tillë ushtarake shanset për skenarë destabilizimi pas zgjedhjeve janë zero. Qëllimi i pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në paketën e stërvitjeve “Defender Europe 21” është demonstrimi i aftësive të Forcave të Armatosura për të pritur, koordinuar dhe për t’u stërvitur e trajnuar me forcat amerikane dhe të NATO-s në aktivitete/ operacione të përbashkëta, në një ambient operacional kompleks, në poligone e terrene stërvitore. Stërvitja “Defender Europe 21” zhvillohet në periudhën 26 prill – 20 qershor 2021, në Komandat e Forcave Tokësore, Ajrore dhe Detare, në garnizonin “Skënderbej”, në bazën ajrore të Farkës, në bazën ajrore të Kuçovës dhe në poligonet stërvitore të Bizës e Fekenit, si dhe në rrugëkalimet ajrore e tokësore për në këto rajone. Në total në stërvitjen që do të zhvillohet dhe në disa shtetet europiane do të jenë 31 mijë trupa, ku rreth 8 mijë do të kalojnë përmes territorit shqiptar, ndërsa rreth 3.100 trupa do të qëndrojnë në vendin tonë për gati dy muaj. Kjo stërvitje është një mesazh i qartë për Rusinë dhe shtetet e tjera që përbëjnë kërcënim për aleancën e NATO, pasi do të ketë demonstrime me avionë, raketa, tanke e luftime tokësore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here