Google search engine
Home Politike Drejtesi Shtimi i tensioneve para zgjedhjeve, ushtria merr në mbrojtje prokurorët e SPAK,...

Shtimi i tensioneve para zgjedhjeve, ushtria merr në mbrojtje prokurorët e SPAK, blindohen edhe ambasadat

0
262

Klima e tensionuar politike dhe afrimi i zgjedhjeve kanë detyruar autoritetet të marrin masa për të ruajtur institucionet e sigurisë së veçantë. Pas plagosjes në Kavajë, dje pati një vrasje në Elbasan dhe klima duket mjaft e tensionuar. Ndërkohë të gjithë sytë i kanë kthyer nga Prokuroria e Posaçme, e cila do të hetojë krimin zgjedhor në këto zgjedhje. Deri më tani janë me dhjetëra raste të shënuara e për këto arsye dje godina ku qëndrojnë prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme është marrë në ruajtje nga ushtria. Mësohet se ushtarët do të qëndrojnë aty edhe disa ditë pas zgjedhjeve, derisa klima të qetësohet. Ndërkohë gazeta ka mësuar se janë dhe 71 objekte të tjera të rëndësisë së veçantë që do të merren në ruajtje nga ushtria, përfshirë dhe ambasadat në vend. Duke qenë se policia do të kalojë në gatishmëri gjatë zgjedhjeve dhe ditën e shtunë efektivët do të marrin në dorëzim qendrat e votimit, atëherë po aktivizohet ushtria dhe policia ushtarake për të siguruar këto institucione të rëndësisë së veçantë. Po ashtu do të ketë një koordinim dhe me Gardën e Republikës për të siguruar mbrojtjen e zyrtarëve të lartë të shtetit nga rreziqet që mund t’u kanosen gjatë zgjedhjeve. Mbrojtja e objekteve të rëndësisë së veçantë bëhet përmes një marrëveshje mes Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, për të garantuar qetësinë në zgjedhje.

Arrestime në Vlorë

Ndërkohë policia ka goditur dje një tjetër rast të shitblerjes së votës. Pas arrestimeve në Pukë, dje kanë përfunduar në pranga 2 persona në qytetin e Vlorës, po përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë u proceduan penalisht shtetasi turk Abdulgafur Balikçi 23 vjeç, banues në Vlorë dhe shtetasin Juriseld Muçaj 24 vjeç, po ashtu banues në Vlorë. Dyshohet se Muçaj ka marrë një shumë lekësh nga shtetasi turk për sigurimin e disa emrave personash të njohur prej tij për dhënie vote. Aktivistëve iu është sekuestruar një bllok, ku gjendeshin të shkruar 15 emrat e personave që dyshohet se do u blinin votën. Gjithashtu shtetasve u janë sekuestruar edhe celularët për shkak se kanë pasur biseda, të cilat konfirmojnë veprën penale të shitblerjes së votës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme SPAK Tiranë, për veprime të mëtejshme. Pas arrestimit nga policia të 23-vjeçarit, ka reaguar kryesuesi i listave të LSI në Vlorë, Luan Rama. Ai u shpreh se kjo çështje është një përpjekje që synon të trembë votuesit. Sipas Ramës, Abdulgafur Balikçi është vendosur në një situatë të tillë manipulimi për arsye se është larguar nga Partia Socialiste dhe ka kaluar në anën e LSI. “Manipulimi mediatik i një lajmi të shitur qëllimisht nga segmente kriminale brenda strukturave të Policisë së Shtetit në Vlorë për shitje e blerje votuesish në emër të LSI-së nga ana e qytetarit Abdulgafur Balikçi, është vetëm përpjekja e radhës që synon të trembë e frikësojë votuesit. Abdulgafur Balikçi është shtetas shqiptar, me origjinë turke që punon si mjek stomatolog, i angazhuar në radhët e LSI-së pasi braktisi sektin e rilindjes, për këtë arsye është vënë në qendër të këtij skenari përbaltjeje dhe manipulimi”, tha Rama. Ai u bëri thirrje organeve të drejtësisë të zbardhin të vërtetën dhe të vendosin para ligjit militantët e Rilindjes, të cilët sipas tij gjenden në Policinë e Shtetit. Rama tha se nëse Balikçi është në kundërshtim me ligjin të dënohet, por policia nuk mund shesë lajme pa konfirmuar gjykata çështjen.“ Duke qenë besimplotë se prokuroria do ta zbardhë të vërtetën, besoj se do të marrë në përgjegjësi penale edhe militantët e rilindjes në radhët e Policisë së Shtetit, të cilët janë një segment kriminal i saj. Nëse mjeku Abdulgafur Balikçi është në shkelje të ligjit, le të ndëshkohet, por këtë nuk mund ta bëjë policia duke shitur lajme të pakonfirmuara dhe të pavlerësuara nga gjykata”, u shpreh ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here