Presidenti Ilir Meta ka marrë në dorë frenat e LSI pas pikiatës në sondazhe. Dje militantët e LSI në Fier me në krye kandidaten për deputete Kejdi Mehmetaj janë përplasur me policinë bashkiake për shkak të një banderole, por ky zhvillim alarmoi Metën, i cili thirri në një konferencë urgjente për media nga ku, lëshoi paralajmërime të forta për revolta në 25 prill. Teksa foli për zgjedhjet presidenti u shpreh se nuk duhet që të preket asnjë votë. Ai tha se nëse kryeministri Edi Rama do t’i fitojë zgjedhjet në mënyrë demokratike, atëherë është i gatshëm t’i japë edhe mandatin e tij, ndërsa shtoi se nëse në këto zgjedhje do të preket një votë kryeministri Rama të gjejë vend ku të futet. “Shteti duhet të bëjë detyrën. Nuk dua më jo një pikë gjaku të derdhet për zgjedhjet, por asnjë pikë loti. Secili të votojë sipas bindjes së tij. Do i jap edhe mandatin e presidentit Edi Ramës nëse merr 71 mandate në mënyrë demokratike, ama po u prek një votë të gjejë vrimë ku të futet”, tha Meta.
Meta flet për votën
Presidenti Ilir Meta vijoi më tej duke thënë se opozita duhet të ndjekë me vëmendje numërimin e votave për partitë dhe kandidatët, pasi ai ka informacion se ka luftë të brendshme të kandidatëve të PS për votat dhe do të tentojnë të manipulojnë komisionerët e opozitës. Meta foli me bindje se asnjë një votë nga këto zgjedhje nuk do të preket. “Nuk do të preket asnjë votë e opozitës. Përfaqësuesit e opozitës të PD dhe LSI, jo vetëm që kanë për detyrë të mbrojnë çdo votë dhe natyrisht edhe të opozitës, por ata kanë për detyrë tani edhe votat siç do u japë populli dhe ata socialistë për PS. Kam informacione se kandidatët kanë nisur luftën e madhe dhe po përgatiten për të kapur njerëz të opozitës që të ndikojnë te numërimi i votave të kandidatëve të PS. Ky do të jetë minues për zgjedhjet. Çdo votë do të numërohet ashtu siç është”, tha ai. Sakaq, presidenti Meta ftoi të gjithë qytetarët që të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit. Ai i garantoi të gjithë qytetarët se votat e tyre do numërohen me përpikmëri, ndërsa paralajmëroi ata të cilët do të përfshihen në blerjen e votës se do të ndëshkohen. “Unë i ftoj të gjithë me qetësi dhe me vendosmëri të nisen drejt 25 prillit. Të kenë besim se votat e tyre do të numërohen në mënyrë të përpiktë, ashtu sikurse kam paralajmëruar sot të gjithë punonjësit e administratës shtetërore, vendore, apo qendrore. Do të ketë një ligj special, çdo njeri në administratë që përfshihet në krim zgjedhor nuk do të ketë më vend në administratën publike. Dhe nuk ka më gjë të rëndësishme, gjë më të shenjtë sesa vota e lirë dhe vota e barabartë”, deklaroi Meta.
Reagon Mehmetaj
Në një prononcim për mediat nga Fieri, kandidatja për deputete e LSI në këtë qark, Kejdi Mehmetaj ka sqaruar se çfarë ka ndodhur sipas saj. Mehmetaj thotë se banderolat e LSI-së ishin vendosur ambientet e godinës private dhe ishin marrë më qira. Ajo bën me dije se më datën 15 prill Bashkia e Fierit i ka dërguar një shkresë LSI për të hequr banderolën, por sipas saj pa shpjegim. Mehmetaj është shprehur se baneri u dëmtua por se simpatizantët e LSI, tanimë po nisin të vendosin banderolën në vendin ku ishte. “Pse po i hiqni banerat përgjigjuni pak. Do përfundoni në gjyq. Kaq frikë keni nga një baner. Duke dhunuar simpatizantët e LSI, deputetët e LSI. Ja pra në ambientet bashkisë Fier dhunohen simpatizantët e LSI. More leje për banerin që ke vënë aty more, frikacak. Për një orë do vendoset baneri lart, turp të keni. Keni shkulur shtyllën gjithë natën e keni vendosur banera aty. Do vish të më vendosësh banerin aty mua, ti ose Armando Subashi ose Edi Rama, keni frikë nga një baner”, thotë Mehmetaj.









































