Google search engine
Home Politike Drejtesi Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Durrësit futet në veting/ Gjetjet e KPK...

Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Durrësit futet në veting/ Gjetjet e KPK për Rezarta Aliun

0
278

Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Durrësit, Rezarta Aliu u ballafaqua me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të tre kriteret e rivlerësimit, në seancën dëgjimore që u zhvillua të mërkurën. Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Rezarta Aliu kryesohet nga Suela Zhegu, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tomçi Petkoviç. Sipas “Birn”, Rezarta Aliu përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe punoi fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 2011, ajo u emërua gjyqtare në Gjykatën e Përmetit dhe aktualisht e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Durrësit. Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtarja Aliu dha më së shumti shpjegime lidhur me një apartament të blerë nga nëna e saj përmes një kredie të butë në vlerën e 4 milionë e 950 mijë lekëve. Komisioni i ka kaluar barrën e provës Aliut për këtë pasuri pasi ka rezultuar se ajo është bashkëkredimarrëse me nënën e saj. Si dorëzanës kanë qenë edhe dy vëllezërit e subjektit dhe shtetasi S.M., me profesion avokat. Për shkak të afatit të gjatë të kredisë S.M. është tërhequr nga cilësia e dorëzanisë dhe është zëvendësuar nga bashkëshorti i subjektit. Relatorja Shuli tha se gjyqtarja Aliu ka deklaruar se në momentin kur është përfituar kredia me kushte lehtësuese nga e ëma, ajo jetonte së bashku me familjen e origjinës. Subjekti ka shpjeguar se është vendosur si kredimarrëse për shkak se ishte e vetmja në familje që kishte një pagë në atë kohë. Apartamenti me sipërfaqe 97.2 m2 në Yzberisht të Tiranës është blerë në vlerën totale 6.2 milionë lekë, nga të cilat 1 milion e 237 mijë lekë janë likujduar në dorë. Ndërkohë, vlera totale e përfituar nga kredia e butë është transferuar nga llogaria bankare e nënës së subjektit, në llogarinë e shitësit të apartamentit. Shuli tha se nuk kanë rezultuar probleme për mënyrën e përfitimit të kredisë dhe të apartamentit nga nëna e gjyqtares Aliu dhe se kjo e fundit nuk ka pasur asnjë pretendim për pjesë takuese në këtë pasuri.

Megjithatë, nga analiza financiare ka rezultuar një balancë negative prej 510 mijë lekë për pagesën e këstit të parë, pasi nuk është paraqitur dokument justifikues për të ardhurat e vëllait nga emigracioni dhe të familjes nga bujqësia. Gjyqtarja Rezarta Aliu tha se u qëndronte shpjegimeve të saj për pagesën e këstit të parë, por kërkoi të përjashtohej nga barra e provës për apartamentin e nënës së saj. “Pasuria është blerë nga nëna dhe jo nga unë. Të ardhurat janë mbledhur ndër vite nga aktiviteti bujqësor për ushtrimin e të cilit kam dorëzuar prova. Gjithashtu, kanë shërbyer edhe të ardhurat e vëllait nga emigracioni. Jam juriste dhe e di që dokumentet nuk e përmbushin kriterin e dokumentacionit ligjor justifikues, por për të krijuar bindjen”, tha Aliu në seancë. Ajo shtoi se kishte vendosur në dispozicion të Komisionit dokumentacion nga institucionet përkatëse që vërtetonin të ardhurat mesatare që përfitoheshin nga shfrytëzimi i tokës që zotërojnë familjarët e saj, raporton “Birn”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here