Zbardhen detajet e sherrit të fortë në LSI-në e Vlorës. Ilir Meta prej disa ditësh u vendos në qytetin bregdetar duke spostuar Luan Ramën, kryesuesin e listës së kandidatëve të kësaj partie. Po ashtu pas tij shkoi dhe Petrit Vasili, i cili orientonte votuesit që të votonin numrin 2 në listë dhe jo Luan Ramën. Pra dukej qartë se Meta dyshonte për tradhti ndaj Luan Ramës. Por çfarë ka ndodhur realisht? Gazeta “SOT” ka mundur të zbardhë të plotë historinë e sherrit ku u përfshi dhe presidenti. Një burim shumë i sigurt pranë kreut të shtetit i tha gazetës se në telefonin e Metës ka mbërritur fillimisht një video, ku shfaqet Luan Rama në një takim me drejtuesin politik të PS në Vlorë, Damian Gjiknuri. Kjo ka alarmuar Ilir Metën, i cili personin e parë që ka telefonuar ka qenë bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, ku ka shpërthyer në kritika e akuza të forta. Meta e ka akuzuar atë se po i shkatërron partinë e krijuar me aq mund. Madje mësohet se kjo video ka krijuar një sherr të fortë brenda familjes presidenciale, ndërsa raportet vijojnë të jenë ende të ftohta. Nëse vihet re, për ditëlindjen e Metës, Kryemadhi i bëri një dedikim të gjatë në rrjetet sociale, si duket një formë ndjese, ndërkohë Meta në disa dalje publike e ka treguar qartë se nuk ia fal dot djegien e mandateve. Elementi tjetër është se Meta i kishte vënë pas Luan Ramës një “spiun”, apo patronazhist nëse mund ta quajmë kështu për shkak të termit kaq shumë të përfolur kohë e fundit. Mirëpo personi që i kishte vënë pas Meta nuk e kishte informuar për këtë takim dhe mësohet se ka pasur dhe një konflikt fizik mes presidentit dhe “patronazhistit” të Luan Ramës, pasi Meta i kërkonte llogari se përse nuk e kishte përmbushur detyrën që i kishte lënë për të monitoruar çdo lëvizje të kandidatit të LSI. Presidenti ka pasur dyshime për një puç nga Luan Rama, pasi sipas zërave në Presidencë, dyshimet ishin se ai pas zgjedhjeve do të kalonte me PS. Edhe vetë Meta në një prej konferencave të shtypit që ka mbajtur e ka treguar hapur këtë gjë. “Se ç’po bën numri 8 në Vlorë, unë nuk e di. E di që kishte një skenar për të marrë 9 pa ndeshje fare, ky skenar është përvëluar dhe djegur. Për këtë kam njoftuar dhe përfaqësuesit e opozitës”, u shpreh Meta.
Debatet për Vlorën
Presidenti ishte i pari që shkonte vazhdimisht në Vlorë, ndërsa më pas shkoi dhe Petrit Vasili. Fillimisht dyshohej se prezenca e Metës kishte të bënte me faktin se në Vlorë garonte kryeministri dhe e kishin sfidë personale. Por ishte një deklaratë e Petrit Vasilit ajo që e zbuloi hapur qëllimin, pasi ai kërkonte që votat të shkonin për kandidaten e renditur e dyta. “Nuk ka mundësi që Vlora e lirisë dhe dinjitetit të votojë listën e Astirit, të Afrim Qendros, që do zaptonte Vlorën. As listën e Damian Gjiknurit, hajdutit ordiner të votave dhe koncesioneve. Nuk mund të shkarkohen mbeturinat e politikës të pa riciklueshme gjëkundi, të kusarëve të Astirit, të koncesioneve, të votave të Dibrës, Gjiknurët, Afrim Qendrot dhe Edi Ramat me shokë në Vlorën e shenjtërisë të patriotizmit dhe dinjitetit. Si do të votojnë? Do të votojnë patjetër dhe e ka vendosur Vlora, do votojë Grisejdën, pedagogen, vajzën e shkëlqyer të Vlorës. Do votojnë pa asnjë diskutim Dikensin, një njeri patriot. Do të votojnë patjetër Anxhelën, vajzën e Gjormit dhe të Vlorës. Jam i lumtur për Lirinë që kam në krahë, kandidaten e shkëlqyer, gruan e jashtëzakonshme. Rilindja do të provojë humbjen më të hidhur në Vlorë”, tha Vasili. Ndërkohë dhe Meta në disa raste akuzonte Ramën se i kishte blerë dhe komisionerët.









































