Të rritesh me njerkë dhe përpjekjet për t’u përshtatur janë trajtuar në “Jeta pa filtër” të autores Ervisa Lula këtë javë në “News24”. Një rrëfim plot dhimbje për jetën e vuajtjet tregon Dashuri Begaj, e cila mbeti jetime 11 vjeç kur e ëma ndërroi jetë e më pas i ati u martua me një grua tjetër. Ajo kujton se si e përzunë nga shtëpia, për shkak të dëshirave të moshës, apo se si njerka ia mbyllte bukën me çelës apo detyrohej të lahej me ujë të ftohtë në banjot publike të qytetit të Durrësit.
Begaj dëshmon fatin e keq të një vajze që i mungonte dashuria e nënës dhe përkujdesja e njerkës së saj, kur thotë se edhe i ati “mbante anën e asaj tjetrës’. Nuk mbarojnë këtu peripecitë; mbetet shtatzënë me të dashurin, e burgosin për tendenca moderne, i marrin fëmijën e porsalindur.
Episode si këto janë interpretuar në analizën e psikologes Lorela Garuli. Ajo thotë se ka diferenca në rritjen e këtyre fëmijëve në rastin kur rimartesa e prindërve ndodh kur prindi tjetër humb jetën apo janë të divorcuar. Garuli thekson nevojën e përshtatjes dhe kohës se mjaftueshme për të dy palët.








































