Google search engine
Home Politike “Zgjohuni shqiptarë!”, Meta dekoron Kostandin Kristoforidhin me titullin Nder i Kombit

“Zgjohuni shqiptarë!”, Meta dekoron Kostandin Kristoforidhin me titullin Nder i Kombit

0
383

Kreu i shtetit Ilir Meta ka dekoruar pas vdekjes me titullin Nder i Kombit figurën e Rilindjes Kombëtare, Kostandin Kristoforidhi.

Titulli pas vdekjes vjen me motivin: “Për veprimtarinë e çmuar në rrugëtimin e Pavarësisë së Shqipërisë, promovimine ideve të Rilindjes Kombëtare.Me veprën e tij kontribuoi në njësimin gjuhës shqipe, zhvillimin e arsimit, si dhe mbrojtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare.”

“Të vlerësojmë birin e Elbasanit dhe të mbarë kombit shqiptar, lëvruesin e gjuhës shqipe, patriotin dhe veprimtarin e jashtëzakonshëm të arsimit dhe kulturës tonë kombëtare. Gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij Kristoforidhi përçoi idetë e Rilindasve Kombëtare për pavarësinë e Shqipërisë. Kristoforidhi, punoi për mësimin, lëvrimin, forcimin e gjuhës shqipe dhe promovimin e virtyteve më të mira të kombit tonë. Në kohët më të errëta të kombit, ky patrioti i shquar punoi me këmbëngulje dhe palodhur për mësimin në gjuhën amtare. Ai bashkoi veriun dhe jugun përmes Abetareve Gegënisht dhe Toskërisht’, duke projektuar njesimin e kombit përmes një gjuhe. Me botimin e gramatikës së gjuhës shqipe ai, nxori në dritë visaret e paçmuara të popullit tonë pikërisht përmes gjuhës. Me lëvrimin që i bëri gjuhës shqipe me përkthimet dhe veprat e tjera, Kristoforidhi kontribuoi drejpërdrejt për themelimin e gjuhës letrare kombëtare”, u shpreh Meta.

Ai shtoi se zgjimi kombëtar ishte misioni i jetës së tij, dhe mjetin kryesor për këtë, ai e shikonte nëpërmjet gjuhës, kulturës dhe arsimit. “Për Kristoforidhin, gjuha amëtare ishte mjeti më i rëndësishëm për përparimin kombëtar. Ashtu si në vende të tjera të zhvilluara të botës atëkohë, Kristoforidhi solli liturgjinë në gjuhën shqipe, dhe e shndërroi atë në një gjuhë të gjallë duke e lëvruar në të dy dialektet. Kjo punë e tij vizionare do t’i jepte atij me të drejtë meritën e jashtëzakonshme si gurthemeli i njesimit të dy dialekteve në një gjuhë të vetme kombëtare”, tha Meta.

Ai shtoi se figura të tilla madhështore për atdheun tonë, për gjuhën e kulturën shqipe janë shembull frymëzimi në çdo kohë dhe për të gjithë brezat.

“Zgjohuni shqiptarë,” ishte thirrja e Kristoforidhit dhe e të gjithë etërve të kombit. Kjo thirrje jehon veçanërisht sot, sepse Shqipëria është në rrezik dhe ka nevojë për bijtë e saj, ka nevojë që shqiponjat të kthehen në fole”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here