Prokuroria e Posaçme ka ndezur pajisjen e përgjimit me qëllim zbulimin e aferave korruptive dhe goditjen e grupeve kriminale në vend. SPAK ka qenë mjaft i angazhuar në punën e tij për luftën kundër korrupsioni dhe çdo herë ka punuar për sofistikimin e strategjive dhe mjeteve që shërbejnë në këtë proces. Për këtë, në raportin vjetor 2020 të publikuar nga SPAK evidentohet se, në vend ka mbërritur paisja shumë e sofistikuar, e cila do të shërbejë në përgjimet ndaj grupeve kriminale dhe korruptive. Sipas raportit, procedurat për marrjen e kësaj pajisjeje kanë nisur që në janar të 2020 dhe këtë vit është siguruar mbërritja e saj në vend dhe tashmë SPAK është gati për të ndezur motorët për hetime më të thelluara ndaj zyrtarëve të lartë. “Në lidhje me vënien në funksion të Zyrës së Përgjimit brenda ambienteve të SPAK është ndjekur procedura si më poshtë: Në 13 Dhjetor 2019 është bërë nga Ministria e Brendshme lidhja e kontratës për blerjen e Sistemit të Përgjimit. Në 23.09.2020 pajisjet e përgjimit kanë ardhur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme dhe me 28.09.2020, ka filluar montimi, instalimi dhe konfigurimi i sistemit në ambientet e përcaktuara. Prokuroria e Posaçme ka marrë në dorëzim sistemin e përgjimit në fund janarit 2021. Në vijim është punuar për integrimin e Sistemit të Përgjimit me kompanitë që ushtrojnë aktivitetin në vend. Ky proces është realizuar gjatë periudhës shkurt-mars 2021. Në datat 24-29 mars 2021 është bërë transferimi i procesit të përgjimit nga Qendra e Përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme për në SPAK”, thuhet në raport. Por çfar e bënë këtë pajisje kaq të sofistikuar dhe të vlershme për luftën kundër korrupsionit? Sipas të dhënave, tashmë SPAK do mund të përgjojë jo vetëm bisedat telefonike, por edhe bisedat me mesazhe me tekst në ato aplikacione që është e vështirë të ndërhyhet. Konkretisht SPAK do mund të përgjojë bisedat në Whatsapp, Viber dhe Messenger të personave të dyshuar për korrupsion dhe që janë pjesë e krimit të organizuar.
Ja si do procedohet në përgjime
Ndërkohë, mënyra se si do procedohet me përgjimet është paraqitur në ligjin “Për përgjimin e komunikimeve elektronike”, të ndryshuar pak kohë më parë. Përmes këtij ligji i jepet e drejta edhe Byrosë së Hetimit të kryejë përgjime. Vendimi për kryerjen e përgjimit jepet nga Gjykata e Posaçme e Apelit. “Kryetari i Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ose, në mungesë të tij, zëvendëskryetari, pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, Ministrit të Mbrojtjes, Ministrit të Drejtësisë, Ministrit të Financave, Drejtorit të SHISH-it, Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe çdo ministrie që ka në varësi shërbime informative/policore të krijuara me ligj, miraton ose refuzon kërkesën për përgjimin e komunikimeve elektronike. Kërkesa për përgjim shqyrtohet nga gjykata brenda 48 orëve nga momenti i paraqitjes së saj”, thuhet në projektligj. Ligji përcakton se BKH dhe SPAK do mund të përdorin pajisjet përgjuese sipas afateve të përcaktuara, madje kanë të drejtën e kërkesës për më shumë afat në rast se nevojitet vazhdimi i përgjimeve. “Bërthama komanduese elektronike është pajisje teknike në administrim dhe e instaluar pranë SPAK, e cila lejon përgjimin e një pajisjeje fundore. Punonjësi i bërthamës komanduese elektronike, pas vendimit me shkrim për miratimin e kërkesës për përgjim të kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mundëson teknikisht procesin e përgjimit nga sektori i përgjimit në SHISH, seksioni i përgjimeve të Policisë së Shtetit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në ministrinë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike dhe nga Byroja Kombëtare e Hetimit, Punonjësi i bërthamës komanduese elektronike, me përfundimin e afatit, sipas vendimit të Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërpret automatikisht përgjimin, me përjashtim të rastit kur ka kërkesë për zgjatje afati”, saktëson ligji.










































