Një gazetare është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga ish i dashuri i saj ditën e djeshme. Policia bën të ditur se ngjarja ka ndodhur në Kashar, e se 35-vjeçari e ka marrë forcërisht në makinën e tij.
Gazetarja tha në polici, se është dhunuar e kanosur vazhdimisht nga ish-i dashuri.
“Ky person erdhi poshtë shtëpisë sime dhe po më priste rreth orës 8.30 të mëngjesit. Vura re ish-të dashurin me mjetin e tij, “Toyota Corilla” dhe po më ndiqte pas duke më bërë telefonata të vazhdueshme. Ai kërkoi që unë të qëndroja me të, por unë vazhdova rrugëtimin tim, derisa mbërrita në vendin e punës. Në këtë çast, ai më doli përpara derës së zyrave dhe menjëherë më kapi nga krahu, duke më detyruar me anë të presionit dhe të kërcënimeve, që unë të hipja në makinë. Ky person më mori zvarrë, më hipi në makinë dhe në një moment, më futi duart në fyt. Ndërkohë unë kërkova ndihmën e banorëve të zonës, por ai vazhdonte të më gjuante në kokë dhe më kërcënonte mua dhe jetën e fëmijës tim. Pasi e arrestuan, policia më këshilloi të shkoja në komisariat të denoncoja. Ky person më ka dhunuar dhe herë tjetër, por ai premtoi se nuk do më shqetësonte më”, mësohet të ketë thënë gazetarja.