Fqinjët e çiftit Shirja që tronditën Kavajën ditën e sotme kanë rrëfyer se janë shokuar kur kanë mësuar për krimin e dyfishtë. Në një prononcim për Klodiana Haxhiajn, gazetaren e Balkanweb, një prej komishnje tha se i ka parë çdo ditë çiftin Bilbil dhe Fëllënxa Shirja dhe se nuk kishin konstatuar asnjë problem mes tyre.
“Takoheshim çdo ditë dhe nuk më kishte shfaqur asnjëherë asnjë lloj problem,”– tha njëri prej fqinjëve.
Dy të tjerë thanë se as Zoti nuk ka për t’ja falur Bilbil Shirjes që dogji të gjallë të shoqen brenda një makine dhe më pas vetëvari veten në pemë.
“Jemi të pikëlluar nga kjo ngjarje. Jemi shokuar për këtë, ne kishim mësuar që kishin 2-3 muaj në proces divorci. E dimë që janë besimtarë, por edhe Zoti nuk ja fal atë që bëri atij njeriu, që dogji gruan në automjet. Për ne si banorë të fshatit është i pajustifikuar veprimi i Bilbilit,”– thanë ata.
Krimi i dyfishtë ndodhi në një pyll pranë fshatit Maskui, ku nuk kishte asnjë banesë. Bilbil Shirja dogji makinën me gruan brenda dhe pak metra më larg është vetëvarur. Dyshja ishin në proces divorci dhe paraprakisht thuhet se ngjarja ka ardhur për shkaqe xhelozie.









































