Google search engine
Home Politike Skandali me bllokimin e fluturimeve, Meta i kërkon KLSH-së të auditojë AlbControl,...

Skandali me bllokimin e fluturimeve, Meta i kërkon KLSH-së të auditojë AlbControl, reagon ashpër kryeministri

0
237

Bllokimi i fluturimeve në aeroportin “Nënë Tereza” është kthyer në një betejë të fortë politike. Dyshimet janë se ka qenë një skenar i mirëmenduar, bojkoti i punës nga ana e kontrollorëve, ndërsa kryeministri Edi Rama ka drejtuar gishtin nga presidenti Ilir Meta. Ky i fundit me anë të një postimi në rrjetet sociale i ka kërkuar ditën e djeshme Kontrollit të Lartë të Shtetit që të nisë auditimin e plotë në shoqërinë AlbControl. Ai u ka bërë thirrje për reflektim të gjithë aktorëve të përfshirë dhe thekson se është i gatshëm në çdo moment të thërrasë urgjent një tryezë për një zgjidhje sa më të shpejtë lidhur me këtë problem. “Nisur nga situata tepër e rëndë e krijuar dhe veçanërisht rolit, që ka AlbControl për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë, e lidhur direkt me sigurinë kombëtare të vendit dhe me garantimin e shërbimeve për udhëtarët dhe qytetarët shqiptarë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i është drejtuar sot zyrtarisht Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke i kërkuar të fillojë pa vonesë një auditim të plotë në shoqërinë AlbControl. U bëj thirrje për reflektim të gjithë aktorëve të përfshirë dhe jam i gatshëm në çdo moment të thërras urgjent një tryezë për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të arsyeshme”, tha Meta. Por ndaj tij reagoi kryeministri. Ai u shpreh se Meta ka gisht në bllokimin e Rinasit, duke i thënë se plani i tij dhe i Berishës dështoi, pasi vaksinat do mbërrijnë dhe fluturimet do të rifillojnë sërish. Ai ka komentuar edhe kërkesën e kreut të shtetit drejtuar KLSH-së për të bërë një auditim shoqërisë Albcontrol. Këtë veprim të Metës, Rama e quan thjesht dokrra. “Ilir kam një lajm të keq për ty: Vaksinat vijnë sot dhe fluturimet rifillojnë normalisht nesër! Plani yt me Saliun për bllokimin e vaksinimit e rikthimin e rrumpallës në prag të zgjedhjeve dështoi. Dokrrat me reflektime e auditime, vazhdoji me Leshkon dhe Leskon në skutat e OFL”, tha Rama. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama nga Gjirokastra ka përfshirë në çështjen e bllokimit të trafikut ajror, ish-kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin Ilir Meta. Rama e ka cilësuar situatën si të paimagjinueshme dhe e gjitha u bë për të marrë peng popullin duke krijuar kaos si dhe për të bllokuar vaksinat. Rama tha se Berisha dhe Meta nuk e ka sulmin personal me të, por me popullin. “E paimagjinueshme, por shumë domethënëse, u bllokua aeroporti, me pretendimin në dukje, jemi të stresuar se kemi pagat 2400 dollarë, por me qëllimin për të marrë peng popullin, për të krijuar kaos, për të bllokuar vaksinime që të krijohet një mjegull e madhe, si mund t’i bëhet kjo vendit”, tha Rama.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here