Google search engine
Home Politike Shkon në 30 numri i kandidatëve me probleme, prokuroria vështirësi në hetimet...

Shkon në 30 numri i kandidatëve me probleme, prokuroria vështirësi në hetimet jashtë vendit, Celibashi tregon pse u kërkua verifikim për Tom Doshin

0
216

Ka shkuar në 30 numri i kandidatëve me probleme që po verifikon nga Prokuroria e Përgjithshme. Gazeta pak ditë më parë bëri të ditur se 25 kandidatët po hetohen jashtë vendit për dyshime dhe dënime në disa shtete. Dje ka folur për “Zërin e Amerikës” drejtuesja e Kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm Pranvera Pustina, e cila u shpreh se në procesin hetimor jashtë vendit po hasen vështirësi. Ajo theksoi se vështirësi hasen pasi procesi është i natyrës administrative dhe se me vendet e huaja mund të bashkëpunohet vetëm kur ka hetime penale. “Ky proces përfshin një hetim, i cili pavarësisht se është i plotë dhe i thelluar, është i natyrës administrative, nuk është i natyrës penale. Ndërkohë marrëdhëniet juridiksionale me jashtë, parashikojnë që ne mund të bashkëpunojmë me autoritete të shteteve të tjera, vetëm në rastin e një hetimi penal. Dhe është e kuptueshme, që hetimi në këtë rast nuk është penal, pra ne mbledhim informacione të karakterit administrativ. Kjo e bën pak të vështirë procesin, pasi shumë shtete nuk kanë bazë ligjore, se ku të mbështeten për të kthyer një përgjigje”, tha ajo. Ndër të tjera, Pustina u shpreh se ka pasur edhe raste kur nga autoritetet nuk është marrë një përgjigje dhe hetimet kanë qëndruar të pezulluara. Ajo theksoi se shumë nga këto hetime kanë mbetur edhe nga vitet e shkuara. “Që nga 2016 dhe deri më sot, ka pasur mjaft raste, ku hetimet që bëhen nga sektori i dekriminalizimit, kanë qëndruar të pezulluara, për shkak të moskthimit të përgjigjeve, qoftë dhe nga autoritetet policore me të cilat ne bashkëveprojmë me marrëveshje ndërkombëtare, pasi nuk gjejnë bazën ligjore për të kthyer përgjigje dhe kanë mbetur të mbartura nga vitet e kaluara”, tha Pranvera Pustina.

Celibashi flet për verifikimin e Tom Doshit

Ndërkohë, kryekomisioneri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi foli sa i përket rastit të drejtuesit të Partisë Social Demokrate për të cilin u kërkua hetim. Celibashi u shpreh se për këtë të fundit kishte fakte, të cilat u bënë publike në media prandaj edhe për të nisi një hetim. Celibashi theksoi se hetimi i thelluar për kandidatët përgjithësisht bëhet pas marrjes së të dhënave nga Drejtoria e Gjendjes Civile dhe nga ajo e burgjeve. Ai bëri me dije se ka edhe disa raste të cilat janë bërë me dije nga parti politike në vend. “Bazuar në të dhënat e Drejtorisë së Gjendjes Civile, të Drejtorisë së Burgjeve për gjendjen gjyqësore, bazuar dhe në të dhënat që kandidatët kanë deklaruar në formularin e dekriminalizimit, kur është rasti ne kërkojmë hetim të thelluar. Ose dhe kur ka fakte të bëra publike për kandidatë të caktuar siç ishte rasti i Tom Doshit, por dhe disa raste të tjera të bëra publike nga parti politike të ndryshme”, tha ndër të tjera kryekomisioneri i KQZ, Ilirjan Celibashi. Sakaq, 30 kandidatët për deputetë nën verifikim u përkasin 9 subjekteve politike, 5 kandidatë nga Aleanca ABEKO, 2 nga Bindja Demokratike, 2 nga Lëvizja për Ndryshim, 1 nga Lëvizja e Re, 6 nga Lëvizja Socialiste për Integrim, 2 nga Nisma Thurje, 4 nga Partia Demokratike, 3 nga Partia Socialiste, 3 nga Partia Social-Demokrate dhe dy janë të pavarur. Në formularët e dekriminalizimit të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shumica prej tyre kanë deklaruar dëbime nga një vend i huaj, dënime dhe ndalime brenda dhe jashtë vendit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here