Bllokimi i aeroportit të Rinasit në prag të stërvitjes “Defender Europe 21” duket qartë se është një strategji e agjenturave të huaja. Paralizimi i fluturimeve ajrore erdhi pikërisht në një moment kur amerikanët do të sjellin rreth 6 mijë trupa në Ballkan, 3 mijë prej tyre në Shqipëri. Kjo stërvitje është një kërcitje dhëmbësh për rusët, të cilët lakmojnë Ballkanin dhe veçanërisht daljen në Adriatik. Gazeta shkroi një ditë më parë se bojkoti i punës nga kontrollorët ka alarmuar SHBA dhe NATO. Dje ishte ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi që konfirmoi se me amerikanët ka pasur kontakte të vazhdueshme, ku janë garantuar se stërvitja ushtarake nuk do të rrezikohet. Ndërkohë mësohet se Ministria e Mbrojtjes ka nisur urgjentisht kontaktet me NATO, pasi dyshimet janë se mund të jetë një skenar më i thellë sesa kërkesat e 60 punonjësve për rritje rroge. Nga ana tjetër kryeministri Rama ka bërë fajtor presidentin Ilir Meta. Nëse rendisim faktet duket se presidenti ka pasur interes të ndodhë diçka e tillë. Në AlbControll shumica e punonjësve janë punësuar nga LSI, si kur qeverisi me PD ashtu dhe me PS. Kanë qenë të besuarit e Metës drejtues në këtë kompani dhe ata e kanë mbushur me militantë. Dyshimet janë se bojkoti u bë me porosi nga jashtë dhe dyshimet janë te kreu i shtetit. Por cilat janë interesat e Metës? Çfarë ka në plan presidenti? Sipas burimeve, amerikanët dhe Ministria e Mbrojtje si tremben një skenari rus për të bllokuar zbarkimin e ushtarëve të NATO-s më 26 prill. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë personi më filorus në Shqipëri është pikërisht Ilir Meta. Ai ka qenë gjithmonë në krah të rusëve. Mediat ruse kanë qenë gjithmonë në krah të presidentit. Nga ana tjetër ish-deputeti i LSI, Luan Rama, ka një foto me Vladimir Putin. Vetë Meta ka mbështetur rusët në qëndrimet e tij publike dhe ka goditur amerikanët. Vetë ambasadori rus pak ditë më parë dha sinjale se Moska po pret një ndryshim qeverie në zgjedhjet që vijnë. Pra Meta duket se është i besuari i Dumës ruse në Tiranë.
Lëvizjet e Metës
Dyshimet janë se Moska përmes njeriut të saj në Tiranë tentoi sabotimin e stërvitjes ushtarake të NATO-s. Zgjedhjet e 25 prillit janë një betejë për “jetë a vdekje” për presidentin, pasi nëse humbet mund të përfundojë në SPAK. Dyshimet janë se nëse ngrihet akuzë ndaj tij, ai do të kërkojë azil politik në Rusi. Nikolla Gruevski, miku më i mirë i Metës, pasi e dënuan u arratis dhe kërkoi azil. Dyshimet janë se dhe Presidenti po përgatit terrenin për të kërkuar azil në Rusi nëse PS mban pushtetin. Në qëndrimet e dy ditëve të fundit Meta e tregoi hapur se ka gisht në të gjithë këtë krizë që ndodhi. Nëse i rendisim faktet, rezulton se kontrollorët kanë 1 vit me ulje page, por greva erdhi pas takimit me presidentin. Më datë 31 mars Meta pati një bisedë me ta ku ka shumë pikëpyetje. Ndërkohë ajo që e bën më të rëndë faktin është se sabotimi i Rinasit erdhi një ditë pas bisedës që pati zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Matthew Palmer me krerët e politikës dhe veçanërisht me presidentin. Vetë Meta nuk dha asnjë detaj për këtë bisedë dhe dyshimet janë se amerikanët ia kanë bërë të qartë se nuk mund të ketë destabilizim para zgjedhjeve. Presidenti duket se menjëherë vuri në zbatim skenarin rus, i cili mesa duket i siguron mbijetesë nëse një ditë do të ngrihet një akuzë penale ndaj tij. Rusia ka qenë shpesh herë xheloze për prezencën e NATO-s në vendin tonë. Kur u vendos hapja e bazës së Kuçovës ishin të shumta shkrimet e mediave ruse që e shihnin si kërcënim ndaj Moskës. SHBA më 26 prill do u japë një mesazh të gjithëve se tashmë dominon ajo në Ballkan dhe njerëzit e saj kanë nisur të vihen në lëvizje. Dje situata u stabilizua dhe puçi dështoi. Por edhe sikur të mos vinin kontrollorë turq, Kulla e Kontrollit është nën administrimin e NATO. Kur erdhi Xhorxh Bush në Tiranë ishin amerikanët që e morën atë nën kontroll dhe shumë lehtë mund ta bënin më 26 prill nëse vijonte sabotimi. E sigurt është se vetë strukturat e inteligjencës ushtarake në vend, por edhe të NATO dhe SHBA kanë nisur hetimet dhe filorusët në Tiranë do e kenë pisk punën.









































