Kryeprokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj iu është përgjigjur menjëherë akuzave që kreu i PD-së Lulzim Basha hodhi ndaj saj teksa ishte i ftuar në emisionin ‘Real Story’.
Kryeprokurorja i dërgoi drejtuesit të emisionit një mesazh direkt ku i bënte me dije se “kriminelët nuk mund t’i bënin presion”.
Sipas Elisabeta Imerajt, sulmet personale dhe direkte të kreut të PD Lulzim Basha bëhen për shkak të dosjeve që ai ka në Prokurorinë e Tiranës. “Presion që i bëhet një prokurore që ka 17 vjet në detyrë, që ka hetuar Saimir Tahirin e Shullazin. Deklarata e Bashës është sulm personal për shkak të dosjeve që ka në Prokurorinë e Tiranës, dhe për këto akuza do të përballet në Gjykatë”, shkruante Kryeprokurorja.
Më tej, ajo shkruante se Lulzim Basha është një ish- i hetuar për akuzën e pastrimit të parave dhe “ikonë e shpëtimit nga drejtësia me procedurë.”
Mesazhi i Elisabeta Imerajt për Lulzim Bashën:
“Nuk bie pre e asnjë presioni politik, ekonomik apo kriminal, as e ikonës së shpëtimit nga Drejtësia me Procedurë. Presioni karshi një prokurori është vepër penale, dhe unë s’kam rënë pre e presionit në asnjë rast nga asnjë lloj krimineli.
Jam prokuror i Republikës së Shqipërisë, dhe do bëj detyrën time, në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit, pavarësisht nga sulmet e botës së politikës, së krimit, apo të njerëzve të futur për arsye të ndryshme.
Shpifja për shkak detyre, fyerja publike, dhe kanosja për shkak detyre janë vepra penale, për të cilat do përgjigjeni sipas ligjit. Reagimi kaq personal është mungese fisnikërie, është reagim i bërë nga një ish- i pandehur i hetuar, për pastrim parash, ikonë dhe simbol i shpëtimit nga drejtësia me procedurë.”









































