Kandidatja e Partisë Demokratike për Qarkun e Dibrës në zgjedhjet e 25 prillit, Dhurata Çupi shprehet e bindur se PD dhe aleatët e saj do të korrin një fitore plebishitare. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, e teksa i bëri një panoramë situatës në të cilën ndodhte zona e saj elektorale, por edhe Shqipëria në përgjithësi, zonja Çupi u shpreh se në tetë vite të qeverisë “Rama” shqiptarët janë përbuzur, braktisur dhe varfëruar. Sipas saj, të dielën e 25 prillit qytetarët shqiptarët duhet t’i besojnë Partisë Demokratike, pasi siç thotë ajo, PD dhe opozita janë alternativa e vetme që nesër në qeverisjen vëmendjen do ta kenë tek ata, tek projektet për ta dhe për procesin integrues. Po ashtu, ish-deputetja demokrate vuri në dukje faktin se një tjetër arsye se përse PD do të fitojë zgjedhjet e 25 prillit është se Partia Demokratike ka një program të një lideri serioz, siç është zoti Lulzim Basha, që aty ku ka drejtuar, sipas saj, ka provuar të jetë i suksesshëm. Ndërkohë, zonja Çupi garantoi dhe siguroi banorët e Matit dhe të gjithë Dibrës se ajo do të jetë zëri i tyre në Parlament pas 25 prillit, për të kërkuar mbështetje dhe projekte konkrete.
-Zonja Çupi, ndërsa na ndajnë rreth 16 ditë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, partitë politike kanë ndezur zyrtarisht motorët e fushatës zgjedhore. Si paraqitet situata brenda Partisë Demokratike?
Partia Demokratike ka tashmë në terren ekipin e fitores dhe të ndryshimit të madh që do të vijë nga vota plebishitare e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Ne jemi në terren, por kemi qenë në kontakte të vazhdueshëm me qytetarët në çdo kohë, duke denoncuar bashkërisht keqqeverisjen. Sot ne shkojmë tek ata për t’u prezantuar platformën tonë që është platformë në shërbim të qytetarëve dhe për ndryshimin e shumëkërkuar nga qytetarët.
-Dakord! Por përse qytetarët shqiptarë duhet t’i besojnë votën Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj në zgjedhjet e 25 prillit?
Qytetarët shqiptarët duhet t’i besojnë Partisë Demokratike votën më 25 prill, pasi jemi alternativa e vetme që në qeverisjen tonë vëmendjen e kemi pasur tek ata, tek projektet për ta dhe për procesin integrues. Mos harroni që jemi forca politike që kemi bërë të mundur liberalizimin e vizave, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, çuarjen përpara të procesit të integrimit, realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, Rruga e Kombit, rrugët kryesore të jugut, rruga që lidh Tiranën me Elbasanin. Ne bëmë të mundur projektin e gazsjellësit TAP. Që prej vitit 2013 nuk ka asnjë projekt të ngjashëm që t’u shërbejë shqiptarëve. Ne do të vijojmë të realizojmë gjithçka që u la në mes në vitin 2013, procesin e integrimit, infrastruktura, veçoj Rrugën e “Arbërit”, rritje të pagave dhe pensioneve për çdo shqiptar. Ajo që është e rëndësishme, është se paratë e taksapaguesve do të jenë investime për shqiptarët dhe jo për një grusht njerëzish për PPP.
– Sa mandate deputetësh synon opozita në Qarkun e Dibrës?
Ne synojmë të marrim 4 mandate në këtë qark. Kjo nuk ka asnjë diskutim. Qarku i Dibrës është lënë qëllimisht në harresë këto 8 vite, është diskriminuar nga Rilindja. Dibranët do të dinë t’i tregojnë vendin kësaj keqqeverisje që i damkosi ata edhe me një dosje për vjedhje e tjetërsim të votës së tyre. Dibranët janë të mençur dhe do ta çojnë hakën tek i zoti, do ta ndëshkojnë këtë qeveri që i çoi në varfëri të skajshme.
-Meqenëse jemi tek programi. A ka Partia Demokratike një program serioz me të cilin kërkon votën e shqiptarëve, ndryshe nga programi i Partisë Socialiste?
Absolutisht po! Ne si Parti Demokratike kemi një program të një lideri serioz, siç është zoti Lulzim Basha, që aty ku ka drejtuar, ka provuar të jetë i suksesshëm. Ndërsa nga ana tjetër kemi përballë një Parti Socialiste dhe një kryeministër që nuk ka asnjë program, asnjë premtim, pasi edhe ato premtime që ka bërë në 2013 nuk ka arritur t’i mbajë.
-Dakord! Por dëgjova që ju po thoni që me të ardhur Partia Demokratike në pushtet, ju do të vijoni të realizoni dhe t’i bëni realitet, gjithçka që u la në mes në 2013, sikundër është procesi i integrimit, infrastruktura, ku veçoni Rrugën e “Arbërit”. Mirëpo kryeministri Edi Rama dhe qeveria që ai drejton thotë se Rruga e “Arbërit” është vepër e tij. Si qëndron e vërteta?
Unë e kam deklaruar edhe më herët që për Rrugën e “Arbërit” është hedhur ideja në vitin ‘93, ku qeverinë e kryesonte Partia Demokratike. Më vonë është miratuar pas 2009 projekti dhe ka filluar zbatimi. Tashmë shifrat e këtij koncesioni kanë vajtur mbi 300 mln euro dhe nuk ka asnjë shans të inaugurohet këta muaj, as në qershor. Unë që kam mundësinë ta shikoj, ajo nuk ka një metër katror të shtruar në kushtet për të kaluar. E ka premtuar dhe ideuar Partia Demokratike dhe do ta përfundojë Lulzim Basha me qeverinë e tij. Kështu që, kam bindjen se Rruga e “Arbërit”, jo vetëm është një abuzim i pastër porse nuk ka shanse të përfundojë në qershor, siç kryeministri Rama thotë.
-Le të rikthehemi tek fushata zgjedhore që ka nisur. Cila është natyra e mesazheve që merrni në takimet e përditshme me qytetarët e zonës elektorale, ku ju kandidoni për deputet? Si e kanë pritur ata faktin që një zonjë do t’i udhëheqë ata në Kuvendin e Shqipërisë?
Për mua nuk është hera e parë qe jam përfaqësuese e matjanëve dhe dibranëve në Parlamentin e Shqipërisë. Në këto vite në opozitë, në çdo kohë kam ngritur zërin për problematikat e zonës dhe do të vijojë ta bëjë këtë gjë edhe me qeverisjen e drejtuar nga Lulzim Basha.
-Cilat janë çështjet, nevojat, apo problematikat e komunitetit të zonës suaj elektorale, për të cilat ju do të angazhoheni më shumë nesër si deputete e Parlamentit të Shqipërisë?
Banorët e Matit dhe të gjithë Dibrës e dinë shumë mirë që do të jem zëri i tyre në Parlament, për të kërkuar mbështetje dhe projekte konkrete. Rruga e “Arbërit” që e përdori për fushatë dhe nuk bëri asgjë për ta bërë në 8 vjet Rilindja, do të bëhet realitet me qeverisjen demokrate. Për një gjë ju siguroj se askush nuk do të mund të diskriminohet më për shkak të zonës apo për shkak të bindjes politike. Kjo qeveri u hoqi bukën e gojës, duke iu hequr ndihmën ekonomike familjeve që kanë televizor në shtëpi, një absurditet i padëgjuar. Unë angazhohem që kësaj zone t’i jepet prioritet sipërmarrjes së lirë që krijon më pas mundësi të shtuara për punësimin, lehtësirave për biznesin, mbështetje për fermerët. Për shkak të pamundësisë për të mbijetuar, nga Dibra, kanë ikur masivisht banorët në 8 vjet. Kanë ikur në kërkim të jetesës, sepse nuk ia dilnin të mbijetonin. Përmes skemave mbështetëse do të bëjmë të mundur të ndalohet ky largim që s’ka ndalur në 8 vjet. Oferta jonë është konkrete dhe i bën njerëzit të kthejnë sytë nga vatani i tyre.
– Ju po thoni që Qarku i Dibrës ka vuajtur mungesën e investimeve gjatë qeverisjes socialiste. Pse dhe mund të na e argumentoni?
Argumentet dhe faktet që Qarku i Dibrës është lënë në harresë dhe braktisur gjatë këtyre 8 viteve janë shumë. Ne sot që flasim kemi një qark të varfër sa u përket investimeve, pa rrugë rurale, etj. Dhe nisur nga këto, unë si deputete e këtij qarku do të bëj çmos që Qarku i Dibrës të zhvillohet, të ketë infrastrukturë, ujësjellës. Me fitoren e Partisë Demokratike pas 25 prillit, me Lulzim Bashën kryeministër ne do të bëjmë çmos që në Qarkun e Dibrës gjithçka që kemi në program ta realizojmë dhe ta bëjmë këtë qark të banueshëm për banorët e saj.
– A duhet ta shqetësojnë opozitën partitë e reja, si ajo e Topallit, Hajdarit apo më herët e Patozit?
Zgjedhjet janë garë. Ne si opozitë jemi të qartë edhe kemi qenë të qartë që në ditën e parë që kemi dalë në opozitë në vitin 2013. Ato parti që janë krijuar rishtazi dhe që nuk kanë qenë të pozicionuara në opozitë dhe në kauzat e saj, besoj që duhet të qartësojnë veten së pari në raport me elektoratin.
Intervistoi: Rigels Seliman










































