Google search engine
Home Politike SHBA kërkon të nisë lufta antikorrupsion në nivele të larta, Palmer: Duhet...

SHBA kërkon të nisë lufta antikorrupsion në nivele të larta, Palmer: Duhet të ketë ndjekje penale dhe dënime, askush mbi ligjin

0
241

Amerikanët presin ndëshkim për zyrtarët e korruptuar. Ambasada e SHBA ka zbardhur dje bashkëbisedimin e zv/ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer me gazetarët, ku ka dhënë një sërë mesazhesh. Gazeta po pasqyron më poshtë bisedën në fjalë. Zyrtari i DASH e ka bërë të qartë se lufta ndaj korrupsionit është vendimtare dhe sipas tij nuk duhet të ketë vetëm ndjekje penale, por dhe dënime për të korruptuarit.

-Muajt e shkuar, e kemi parë Ambasadoren Kim shumë aktive, duke kërkuar që personat me të shkuar kriminale të mos ulen në karriget e Parlamentit. Në veçanti, lidhur me një individ, deputetin aktual Z. Tom Doshi, i cili në vitin 2018 u përcaktua nga Departamenti i Shtetit. Tani, Z. Palmer, të gjithë në Shqipëri po pyesin çfarë dini për këtë individ? Në çfarë lloj korrupsioni është përfshirë? A mund të jepni shpjegime për njerëzit që do të votojnë? Sepse Z. Doshi, për shembull në Tiranë, është i pari në listë edhe në Shkodër. Njerëzit duhet ta dinë se në çfarë lloj korrupsioni është përfshirë.

Së pari, shumë faleminderit për pyetjen. E vlerësoj. E kuptoj plotësisht arsyen. Nuk dua të përfshihem në hollësitë e rasteve të veçanta, personave të veçantë apo çështjeve të veçanta këtë moment. Por dua të theksoj se ata që identifikojmë për sanksione sipas këtyre lloj rregullave, përfshi sanksionet që i ndalojnë të mund të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara, ne e bëjmë mirë punën tonë kërkimore. Sigurohemi që kemi bazën e njohurive që na duhen përpara se të marrim një vendim të tillë. Mendoj se është shumë e rëndësishme, siç e ka thënë fort, publikisht dhe në mënyrë të përsëritur ambasadorja Kim, që kandidatët që publiku shqiptar do të ketë mundësi të votojë, të jenë njerëz të cilëve duan t’iu besojnë pozicione autoriteti dhe përgjegjësie. Dhe është shumë e rëndësishme, do të argumentoja, që partitë politike të bëjnë gjithçka munden për t’u siguruar që listat që paraqesin për të përfaqësuar partitë e tyre dhe për të përfaqësuar vlerat e tyre të jenë të mbushura me njerëz që mund t’i mbështesin dhe t’i mbrojnë. Njerëz që do të donin t’i shihnin në pozicione besimi. Listat janë larg të qenit të përsosura. Ka ende shumë punë për të bërë. Dhe mendoj se Ambasadorja Kim dhe ambasada kanë qenë shumë të qartë për të identifikuar ato fusha ku ne vazhdojmë të kemi shqetësime. Mendoj se populli shqiptar ka të drejtën të presë nga partitë politike dhe nga udhëheqësia politike që do t’iu paraqiten mundësi zgjedhjeje, mundësi të mira zgjedhjeje që mund t’i bëjnë kur të shkojnë në kutinë e votimit. Dhe është edhe përgjegjësia e klasës politike që të jetë në nivelin e këtij detyrimi. Dhe të sigurojë që kur njerëzit shkojnë të votojnë, të kenë listat e kandidatëve përpara tyre dhe që ata janë njerëz për të cilët mund të jenë krenarë.

-A dëgjuat mesazhe nga Z. Meta, Z. Rama dhe Z. Basha mbi reformën në drejtësi dhe se do të vazhdojnë ta mbështesin siç është dhe a morët mesazhe prej tyre për zgjedhjet, që këto zgjedhje do t’i përmbushin standardet?

Faleminderit për pyetjen, janë dy çështje shumë të rëndësishme, dy pyetje shumë të rëndësishme. Mund t’ju them që për sa më përket mua, unë parashtrova pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara që përpjekjet për reformën në drejtësi do të vazhdojnë. Kjo nuk ishte një çështje e lidhur vetëm me një periudhë zgjedhore. Synimi i vërtetë nuk është përsosmëria në reformën në drejtësi. Synimi është që sot të jetë më mirë se dje dhe nesër më mirë se sot dhe kjo është diçka për të cilën të gjithë nevojitet të punojmë në shoqëritë tona – dhe përfshij edhe Shtetet e Bashkuara këtu – për të mbetur vigjilentë që figurat politike të mbahen përgjegjëse për sjelljet e tyre. Për ata që keqpërdorin postet e besimit publik duhet të ketë llogaridhënie dhe publiku duhet të ndjejë që ligji aplikohet drejt dhe në mënyrë të barabartë, që të gjithë ne, të gjithë ne, ballafaqohemi me të njëjtat standarde dhe që jemi të gjithë të barabartë përpara ligjit. Ky është synimi. Është një aspiratë. Është e tillë që drejt saj duhet të punojmë të gjithë ne. Mendoj se kemi parë përparim të vërtetë në reformën në drejtësi, por kushdo, sigurisht Shtetet e Bashkuara, unë, Ambasadorja Kim, dhe për këtë mendoj flas edhe në emër të Kryeministrit dhe Presidentit, si dhe të udhëheqësve të partive opozitare – mendoj që të gjithë ne, kolektivisht, e kuptojmë që ka ende shumë punë për të bërë dhe kjo duhet të jetë përparësi për Shqipërinë, nëse Shqipëria do që të ecë përpara në rrugën e saj europiane. Në lidhje me pritshmëritë për 25 prillin, mendoj se të gjithë po punojnë drejt një procesi që të jetë sa më i ndershëm dhe i drejtë që mundet dhe do të ketë goxha luftë politike rrugës dhe kjo është pjesë normale e politikës demokratike. Por ajo që ka vërtet rendësi dhe sigurisht pozicioni që kam artikuluar dhe kam bërë të qartë është që institucionet e qeverisjes demokratike të jenë të forta dhe të shihen si legjitime nga publiku dhe që proceset të jenë transparente dhe llogaridhënëse dhe prodhojnë rezultate që pasqyrojnë vullnetin e publikut nëpërmjet një procesi demokratik.

-Shqipëria është duke pasur një fushatë të tensionuar politike. Në fakt, Presidenti Ilir Meta tha disa ditë më parë në News 24 se kushdo që prek votën do t’i pritet dora. Ndërkohë në Shqipëri, një ditë pas zgjedhjeve, do të zhvillohet stërvitja ushtarake Defender 21. A ka ndonjë lidhje midis këtyre dy çështjeve, zgjedhjeve dhe stërvitjes ushtarake këtu në Shqipëri?

Nuk ka absolutisht asnjë lidhje. E vetmja gjë që mund të them për stërvitjet ushtarake është që pasqyron dhe thekson rëndësinë që Shtetet e Bashkuara u kushtojnë marrëdhënieve tona me aleatët dhe partnerët tanë në NATO, jo thjesht Shqipërinë. Por, Defender 21 është më e madhe se Shqipëria. Do të kemi stërvitje, angazhime, me shumë partnerë dhe aleatë në NATO në të gjithë rajonin dhe mendoj vërtet që është një mundësi që Shqipëria të shkëlqejë, si aleate në NATO, si një vend i pozicionuar shumë strategjikisht. Por nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet më 25 prill. Sigurisht i kemi kushtuar vëmendje një retorike të mprehtë që ka qenë pjesë e fushatës politike, por e vërteta është që të vetmet vende ku fushatat janë pa nxehtësi dhe jo të mprehta janë në vende si Koreja e Veriut apo Kina komuniste, ku njerëzit vërtet nuk kanë mundësi legjitime zgjedhjeje. Pra, e dini, politika demokratike shoqërohet nga pasioni. Nuk është vetëm normale, por është në fakt e shëndetshme.

-Doja t’ju pyesja nëse Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë për verifikimin e një kandidati të dyshuar edhe pas zgjedhjeve? A do të vazhdojë ndjekja penale e tyre edhe pasi të jenë zgjedhur deputetë?

E dini, kemi pritshmëri jo vetëm për kandidatët për deputetë, por kemi pritshmëri edhe për ata që kanë poste ndaj, nëse po më pyesni nëse Shtetet e Bashkuara do të këmbëngulin që partnerët tanë në qeveri të jenë njerëz të pastër dhe që punojnë në mënyrë që është në përputhje me normat demokratike e standardet demokratike, përgjigja është absolutisht po. Dhe ne mendojmë se është shumë e rëndësishme që institucionet gjyqësore, teksa ecin përpara në Shqipëri me procesin e reformës, të demonstrojnë se janë mjeti i duhur për të siguruar llogaridhënie nga ana e atyre që kanë pushtet. Nuk janë vetëm gjykatat. Shoh edhe SPAK të ngrihet dhe të fillojë të bëjë punën dhe ta bëjë atë në mënyrë të efektshme dhe duke vendosur standarde. Ka një mesazh që po del: që ata që kanë poste të besimit publik dhe i keqpërdorin dhe abuzojnë ato pozicione do të japin llogari për to.

-Kemi pohime të forta të Ambasadores Kim që bën thirrje për një Parlament me integritet nga zgjedhjet e 25 prillit. A ndjeni nga takimet sot se presioni i ambasadores së SHBA do të funksionojë? Më lejoni të shtoj që Gjykata Kushtetuese është funksionale, por ende nuk ka trajtuar çështje themelore që janë bërë pjesë e konfliktit të fortë politik në vend. Një nga këto është vlefshmëria e zgjedhjeve të vitit 2019. Dhe ju ishit shumë aktiv në atë kohë. Si e shihni këtë radhë?

E dini, pyetje e shkëlqyer. A mendoj nëse udhëheqësia në Tiranë po e dëgjon mesazhin tonë? Absolutisht. Ambasadorja Kim është shumë gjëra por nuk ka dyshim që është shumë e qartë. Dhe, mendoj që kjo është një vlerë e rëndësishme kur ne komunikojmë për çështje me rëndësi si reforma në drejtësi, si llogaridhënia. Mendoj që Shtetet e Bashkuara kanë një detyrim dhe përgjegjësi ndaj Shqipërisë për të qenë të qarta dhe pa kurrfarë paqartësie në mesazhet tona për këtë. Ne kemi çdo pritshmëri për t’i kërkuar standarde të larta Shqipërisë. Sinqerisht, nuk është një standard që vendi do ta arrijë nesër apo pasnesër. Ajo që duam të shohim është që Shqipëria të jetë gati të zërë vendin e saj si anëtare e Bashkimit Europian dhe janë 80,000 faqe rregulla që duhen për acquis dhe ka kërkesë për të demonstruar se ka një historik të fortë transparence dhe llogaridhënieje për ata që kryejnë korrupsion. Kjo është një nga vlerat themelore të Bashkimit Europian. Është një prej vlerave themelore të aleancës ndëratlantike. Antikorrupsioni është një vlerë thelbësore, jo thjesht për BE-në, por është vlerë kyçe edhe për NATO-n. Është një vlerë kyçe edhe për Shtetet e Bashkuara. Diçka qendrore për partneritetin tonë me Shqipërinë. Është bërë përparim. Ka vërtet shumë për të bërë. Dhe ajo që duam të shohim është që figurat e fuqishme, njerëzit me ndikim, njerëz që në të kaluarën kishin një pritshmëri se do të ishin të mbrojtur, të japin llogari. Duhet të ketë ndjekje penale. Duhet të ketë dënime. Ata që dënohen duhet të kryejnë dënimet. Këtë pamje ka llogaridhënia dhe gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Mendoj që prirjet e përgjithshme janë në drejtimin e duhur, por jemi të paduruar. Dhe besoj që populli shqiptar është i paduruar. Dhe do të donim të shihnim që përparimi në këtë fushë të përshpejtohet dhe të bëhen shembuj.

-Z. Palmer, ju dëgjova të përmendnit Korenë e Veriut, e cila përdoret shumë nga Presidenti ynë dhe përmendët reformën në drejtësi dhe përfshirjen tuaj në zgjedhjet tona në vitin 2019. Duke vështruar pas në kohë, gjej shumë postime në Facebook, Twitter, komente nga presidenti që deklaroi. Pas dy vjetësh, si janë marrëdhëniet tuaja me Presidentin? A janë normale? Si e shihni përfshirjen e presidentit në këto zgjedhje, se presidenti duhet të jetë mbi palët dhe nuk është mbi palët, por është i përfshirë në këtë fushatë. Ai po kërkon që të vijë ndryshim pas 25 prillit. Si e shihni këtë përfshirje të presidentit dhe si mund të ndikojë kjo situatën e këtyre zgjedhjeve?

Për pjesën time, marrëdhënia me Presidentin Meta është e shkëlqyer. Dhe e kemi njohur njëri-tjetrin për shumë vite dhe kemi pasur shumë biseda dhe flasim me njëri-tjetrin shumë hapur dhe sinqerisht, çka mendoj është mënyra se si duhet të flasin aleatët e partnerët me njëri-tjetrin. Shtetet e Bashkuara unë personalisht, nuk kemi anë. Ana jonë është Shqipëria. Është marrëdhënia Shqipëri-SHBA. Punojmë mirë dhe ngushtë me qeverinë e tanishme. Do të punojmë mirë dhe ngushtë me çfarëdo qeverie që do të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. Jam i bindur se cilado parti të dalë fituese më 25 prill, cilido të jetë kryeministri pas 25 prillit, do të jetë dikush që e vlerëson partneritetin me Shtetet e Bashkuara. Po ndaloj këtu. Nuk marrim anë në politikën e cilitdo.

-Kam dy pyetje që po i kombinoj në një. Pas dy vjetësh, a janë rezultatet nga SPAK ato që prisnit? A janë këto zgjedhje shansi i fundit që ne të arrijmë destinacionin e Bashkimit Europian?

Mendoj që SPAK po bën përparim. Nuk kam një stekë objektive me të cilën ta mat përparimin në kohë. Por synimi është të punojmë me SPAK si partnerë, t’i ndihmojmë ata të ndërtojnë kapacitetet për të qenë të aftë që të veprojnë në mënyrë që nxit qeverisjen e mirë, transparencën dhe në rastin e SPAK, llogaridhënien. Që është dhe synimi në fakt. A mund ta riformuloni pjesën e dytë?

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here